Pas tensioneve në Hagë, policia holandeze: Dy të arrestuar dhe një polic i lënduar

Aktuale

Pas tensioneve në Hagë, policia holandeze: Dy të arrestuar dhe një polic i lënduar

Më: 16 shtator 2026 Në ora: 12:16 Përditësuar në ora: 17:42 më 16.09.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Policia holandeze për protestat në Hagë: Dy të arrestuar dhe një polic i lënduar

Dy protestues janë arrestuar dhe një zyrtar policor është lënduar lehtë gjatë protestës së mbajtur të mërkurën në Hagë, ku një pjesë e demonstruesve tentoi të afrohej drejt selisë së Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Sipas Policisë holandeze, protesta ishte zhvilluar në Malieveld dhe ishte e autorizuar nga autoritetet lokale. Pas përfundimit të saj, rreth orës 12:00, një pjesë e protestuesve u nisën drejt Raamwegut, ku ndodhen Dhomat e Specializuara të Kosovës, pavarësisht se një lëvizje e tillë nuk ishte lejuar.

Për të penguar kalimin drejt Raamwegut, Njësia Mobile e Policisë formoi një kordon. Situata u tensionua kur një grup protestuesish u kthye kundër policisë. Forcat policore ndërhynë për shpërndarjen e protestuesve, duke përdorur për një kohë të shkurtër topin e ujit dhe sprejin. Sipas policisë, rendi u rikthye shpejt pas ndërhyrjes.

Policia tha se gjatë përplasjes disa protestues përdorën dhunë ndaj zyrtarëve dhe pajisjeve policore. Si pasojë, një polic pësoi lëndime të lehta. Dy persona u arrestuan, të dy nën dyshimin për vandalizëm.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë shpallur aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Thaçi dhe Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.

Në total, katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar me 81 vjet burgim.

E rrëzojnë për toke, policia holandeze arreston disa mbështetës së krerëve të UCK-së

Ka eskaluar protesta në Hagë pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së.

Faqet lokale kanë publikuar pamje ku shihen njësia speciale e policisë holandeze.

Qytetarët drejt Gjykatës Speciale, forca të shtuara të Policisë në Hagë

Një numër qytetarësh janë mbledhur në Hagë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Turma është nisur në drejtim të objektit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndërsa në zonë janë parë forca të shtuara të Policisë së Holandës.

Raportohet se disa protestues kanë hipur edhe mbi autobusë.

Qytetarët e mbledhur kanë shprehur revoltën e tyre pas vendimit të gjykatës dhe një pjesë e tyre kanë kërkuar të afrohen drejt objektit të Gjykatës Speciale.

Ndërkohë, organizatorët e tubimit u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve që të ruajnë qetësinë dhe të shmangin incidentet. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat