Gjykata konstatoi se nuk kishte prova të besueshme që shumica e viktimave ishin bashkëpunëtorë ose spiunë, siç pretendonin pjesëtarët e UÇK-së.
Përmbledhja e aktgjykimit të shpallur në Hagë zbulon se personat e perceptuar si kundërshtarë politikë etiketoheshin si “spiunë”, “tradhtarë” dhe “bashkëpunëtorë të Serbisë”, përpara se të arrestoheshin, keqtrajtoheshin dhe, në disa raste, vriteshin.
Sipas Trupit Gjykues, gjatë marrjes në pyetje, të ndaluarit pyeteshin për vendin e punës, lidhjet e pretenduara me serbët, arsyen pse nuk i ishin bashkuar UÇK-së dhe pse dyshohej se kishin spiunuar.
Një i ndaluar ishte pyetur edhe se përse nuk ishte në “anën e Thaçit”.
Të ndaluarit akuzoheshin se ishin:
- “spiunë”;
- “tradhtarë”;
- “ushtarë të Rugovës”;
- mbështetës të LDK-së;
- pjesëtarë ose përkrahës të FARK-ut;
- kundërshtarë të UÇK-së.
Në disa vende, personat detyroheshin të shkruanin deklarata dhe të jepnin emrat e personave të tjerë që dyshoheshin si bashkëpunëtorë.
Por Trupi Gjykues konstatoi se, me përjashtime shumë të kufizuara, nuk kishte prova se të arrestuarit kishin kryer veprimtari kriminale, kishin marrë pjesë në luftime ose përbënin kërcënim të ligjshëm.
Gjykata tha se nuk kishte prova të besueshme që personat e arrestuar dhe të mbajtur në vendet e ndalimit ishin vërtet “spiunë”, “tradhtarë” ose “bashkëpunëtorë”, siç etiketoheshin.
Sipas vendimit, në disa raste arrestimet mund të jenë nxitur edhe nga hakmarrje personale. Megjithatë, pjesëtarë të UÇK-së i formalizonin ndalimet pa e kontrolluar burimin ose vërtetësinë e akuzave.
Të ndaluarit më pas etiketoheshin si spiunë ose bashkëpunëtorë, keqtrajtoheshin dhe, në raste të caktuara, vriteshin.
Trupi Gjykues e përshkroi këtë si pjesë të “luftës speciale”: një narrativë e qëllimshme që i paraqiste kundërshtarët si bashkëpunëtorë të autoriteteve serbe ose si pengesë për luftën e UÇK-së. Sipas Gjykatës, kjo narrativë shërbeu për ta legjitimuar dhe nxitur dhunën kundër tyre.
Në shënjestër ishin veçanërisht persona të lidhur me forca të tjera politike dhe ushtarake, në radhë të parë me LDK-në dhe FARK-un, por edhe persona të dyshuar për lidhje me autoritetet serbe dhe pjesëtarë të komuniteteve rom dhe serb.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet.