Ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë zhvilluar qitje me mortaja në një poligon ushtarak në Shqipëri.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur sot, se stërvitja përfshiu mortajat 60, 81 dhe 120 milimetra, në kuadër të trajnimeve në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt.
Qitjet u zhvilluan në poligonin e armëve të rënda të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
“Ushtarakët tanë dëshmuan përgatitje të lartë profesionale, disiplinë dhe zbatim të standardeve gjatë ekzekutimit të qitjeve”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Sipas tij, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë po forcohet përmes aktiviteteve të përbashkëta stërvitore.
Maqedonci ka theksuar se këto aktivitete zhvillojnë kapacitetet në fushën e artilerisë dhe rrisin aftësitë operacionale.
Ato, sipas tij, ndikojnë edhe në forcimin e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave të të dyja vendeve.