Veprimtari i çështjes kombëtare, Halil Geci, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me akuzat e fundit ndaj ish-ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Geci ka kritikuar pretendimet se Gërvalla ka bashkëpunuar me armikun, duke kërkuar që për akuza të tilla të paraqiten prova dhe dokumente konkrete.
Sipas Gecit, akuzat e rënda nuk mund të trajtohen si fakte vetëm mbi bazën e deklaratave apo parullave të dëgjuara në protesta.
Ai ka kërkuar që, nëse ekzistojnë pretendime për bashkëpunim me Serbinë apo për dëshmi të dhëna kundër të akuzuarve në Hagë, ato të bëhen publike dhe të mbështeten me dokumente.
Postim i plotë:
AKUZA PA PROVA, PROPAGANDË E RE: TASH PASKAN KËRKUAR EDHE SHKARKIMIN E DONIKA GËRVALLES!
“Donika Gërvalla bashkëpunëtore me armikun”… Kjo qenka akuza e re që paskan gjetur kundër saj!
Por këtu është një problem shumë i thjeshtë: KU JANË PROVAT?
A mjafton tash një parullë në protestë që një akuzë e rëndë të shndërrohet në “fakt”? Apo për akuza të tilla duhen dokumente, dëshmi dhe prova konkrete?
Nëse dikush e akuzon Donika Gërvallën për bashkëpunim me Serbinë, le të dalë para opinionit dhe të paraqesë provat konkrete. Le të tregojë nëse ekziston ndonjë dokument, dëshmi apo vendim gjyqësor që dëshmon se Donika Gërvalla ka qenë dëshmitare kundër ndonjërit prej të akuzuarve në Hagë, apo çfarëdo prove tjetër që e mbështet këtë pretendim.
Sepse është shumë e lehtë të hedhësh një akuzë. Por është krejt tjetër gjë ta provosh atë.
Kur kërkohen prova dhe dokumente, akuzat pa bazë fillojnë të humbin peshën e tyre.
Dhe pyetja është shumë e thjeshtë:
A është vërtet halli te Donika Gërvalla, apo te proceset e drejtësisë që po kërkojnë përgjegjësi për pasuri të dyshuara si të paligjshme, korrupsion dhe krime të dyshuara?
Nëse dikush është i pafajshëm, le të përballet me drejtësinë dhe t’i rrëzojë akuzat me prova. Kështu funksionon një shtet ligjor.
Por ta përdorësh patriotizmin si perde tymi dhe të hedhësh akuza të rënda pa prova nuk është mbrojtje e së vërtetës; është shmangie nga përgjegjësia për atë që pretendohet.
Një akuzë e pabazuar nuk bëhet fakt vetëm pse përsëritet vazhdimisht.
Prandaj, atyre që i bëjnë këto akuza:
Mos kërkoni që opinioni t’ju besojë vetëm mbi bazën e fjalëve ,nxirrni dokumentet dhe argumentet!
Nëse pretendoni se Donika Gërvalla ka qenë dëshmitare apo ka dhënë ndonjë dëshmi kundër të akuzuarve në Hagë, tregojeni dokumentin, rastin dhe provën konkrete.
Përndryshe, kemi të bëjmë me akuza politike që mbeten për t’u vërtetuar.
Prandaj, ju që akuzoni, etiketoni dhe bëni shantazhe, na tregoni ku i keni provat!
Ju lutem, më pak akuza dhe më shumë dokumente!
Më pak britma dhe më shumë prova!
Më pak propagandë dhe më shumë fakte!
Sepse e vërteta nuk përcaktohet nga zhurma e mitingjeve, por nga faktet, dokumentet dhe provat!
E vërteta përcaktohet nga FAKTET!