Nëntë seanca bllok, njëra pas tjetrës, që ishin caktuar për t’u mbajtur qysh nga sot, duke shënuar kështu fillimin e procesit të gjykimit ndaj ish-profesorit të Matematikës në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Xhevat Krasniqi, janë shtyrë për një afat të pacaktuar.
Seanca e parë ishte caktuar të mbahej më 22 shtator të këtij viti, më pas me 28, 29 dhe 30 shtator. Në muajin tetor ishin caktuar datat 1, 5, 6, 7 dhe 8.
Avokati i Krasniqit, Drilon Imeri, ka njoftuar për Klan Kosova se gjatë ditës së djeshme, Bujar Ahmeti, gjyqtar i vetëm në këtë rast, i ka njoftuar përmes telefonit se "seancat shtyhen për shkak të kërkesave nga disa palë".
Arsyet e shtyrjes nuk dihen, ashtu siç nuk dihet kur do të ricaktohet data e fillimit të këtij procesi të gjykimit.