​Hillary Clinton: Kur gratë kanë një vend në tryezë, komunitetet janë më të forta

Aktuale

​Hillary Clinton: Kur gratë kanë një vend në tryezë, komunitetet janë më të forta

Më: 1 tetor 2026 Në ora: 19:47
​Hillary Clinton

Në Prishtinë u mbajt konferenca “Partneritet për Ndryshim: Gratë që Transformojnë Sistemet – Avancimi i Parimeve të Prishtinës 2026–2035”, ku u diskutua roli i grave në vendimmarrje, ndërtimin e paqes dhe transformimin e shoqërisë.

Në këtë konferencë, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, foli për rolin e Fondacionit Jahjaga në fuqizimin e grave dhe avokimin për drejtësi sociale.

Jahjaga theksoi se përfshirja e grave në vendimmarrje nuk duhet të matet vetëm përmes statistikave, por edhe përmes ndikimit real që ato kanë në proceset vendimmarrëse.

Jahjaga: Nuk mjafton të kemi vetëm statistika të mira

“Sepse nuk mjafton vetëm të numërojmë se sa gra janë të përfaqësuara, por duhet të pyesim sa gra kanë ndikim real. Nuk mjafton të kemi statistika më të mira dhe sa gra janë ulur në tavolinën e vendimmarrjes, por duhet të shohim se sa vendime formësohen dhe firmosen nga vetë gratë”, tha Jahjaga.

Ajo gjithashtu përgëzoi ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për rolin e saj në udhëheqjen e politikave vendimmarrëse.

Në anën tjetër, Haxhiu theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në pozita vendimmarrëse, duke veçuar kontributin e tyre në sektorët e sigurisë dhe institucionet shtetërore.

Haxhiu: Gratë mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha

“Nuk duhet të pyesim më nëse gratë janë të afta për të shërbyer apo për të udhëhequr. Përgjigjen e kemi prej vitesh, sepse gratë janë pjesë e policisë, janë pjesë e ushtrisë, janë pjesë e shërbimit korrektues dhe institucioneve të tjera të sigurisë. Ato janë aty, përballen me vështirësi dhe mbajnë në supe përgjegjësi shumë të mëdha... Kjo është edhe një nga çështjet thelbësore të agjendës ‘Gratë, paqja dhe siguria’, rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurisë në Kombet e Bashkuara, emërtuar në vitin 2000, e njohur për rolin e grave në parandalimin e konflikteve, në ndërtimin e paqes dhe në siguri”, tha Haxhiu.

Në këtë konferencë u transmetua edhe një video-mesazh i ish-sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, e cila vlerësoi rëndësinë e avancimit të grave në pozita vendimmarrëse.

Clinton: Jam me ju në shpirt dhe po ju mbështes me gjithë zemër, miqtë e mi

“E dini, mësimi mbetet i thjeshtë: kur gratë kanë një vend në tryezë, komunitetet janë më të forta, paqja është më e qëndrueshme dhe shoqëritë janë më përfshirëse. Ndaj më lejoni të uroj të gjithë ekipin e Fondacionit. Shpresoj se kjo konferencë do të sjellë ide të reja, partneritete më të fuqishme dhe një përkushtim të ripërtërirë për t’i kthyer idetë në vepra. Më vjen keq që nuk mund të jem aty personalisht, por jam me ju në shpirt dhe po ju mbështes me gjithë zemër, miqtë e mi”, tha Clinton.

Konferenca është realizuar me mbështetjen e projektit “Mbështetje për shoqërinë civile në Kosovë”, të financuar nga Luksemburgu dhe të implementuar nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat