Kryeministri i ngarkuar i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka zhvilluar takime me përfaqësuesit diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se në Zyrën e Kryeministrit ka pritur të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-së, Anu Prattipati, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, si dhe ambasadorin e Gjermanisë, Rainer Rudolph.
Sipas Kurtit, të tre diplomatët i kanë përcjellë urime për formimin e Qeverisë dhe mandatin e ri.
Postim i plotë:
Në kuadër të takimeve të rregullta me përfaqësues të shteteve aleate, partnere dhe mike të Republikës së Kosovës, dje prita në Zyrën e Kryeminsitrit të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, si dhe ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Rainer Rudolph. Nga të tre pranova urime për Qeverinë dhe mandatin e ri.
Krahas bisedave për marrëdhëniet e mira dypalëshe me secilin prej vendeve që përfaqësojnë dhe mundësive të avancimit të mëtejmë, sikurse për përparimin demokratik, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe proceset integruese të Kosovës, diskutuam edhe për temat aktuale, me theks nevojën për stabilitet institucional, posaçërisht në rrethanat e krijuara pas 16 shtatorit.
Republika e Kosovës është gjithmonë falënderuese dhe përherë mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të ShBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë.