63 minatorët dalin nga horizonti 11, ja si është gjendja shëndetësore e tyre

Aktuale

63 minatorët dalin nga horizonti 11, ja si është gjendja shëndetësore e tyre

Më: 7 tetor 2026 Në ora: 22:09 Përditësuar në ora: 07:57 më 08.10.2026
Pamje nga vendi i ngjarjes

63 minatorët dalin shëndoshë e mirë nga Miniera e Trepçës

Të gjithë minatorët që ishin të ngujuar në Minierën e Trepçës kanë arritur të dalin nga miniera.

Kështu ka bërë të ditur gazetari, Urall Boshnjaku, përmes emisionit “Ora Shtatë”.

Ai bëri të ditur se 63 minatorët që ishin të ngujuar, gjenden në gjendje të mirë shëndetësore.

“Kanë pasur pak vështirësi që të dalin të gjithë, pasi jo të gjithë janë në moshë të re dhe të përshtatshme për të ngjitur daljen emergjente. Kështu më kanë bërë të ditur persona të afërt me ta, ani pse si informacion nuk munda ta siguroja nga burime zyrtare”, tha ai.

Doli: Edhe 15 minatorë dolën nga miniera

Nga: A.M.

Pesëmbëdhjetë minatorë kanë dalë nga miniera pas disa orësh të vështira të kaluara të ngujuar në thellësi, duke sjellë lehtësim dhe shpresë për familjarët dhe kolegët e tyre.

Lajmin e ka bërë të ditur asambleistja shqiptare në Komunën e Mitrovicës së Veriut, Aida Doli, e cila përmes një njoftimi në Facebook ka konfirmuar se minatorët kanë arritur të dalin nga miniera.

“Pas orëve të vështira të ngujuar në thellësi, dalja e tyre është një lajm që sjell lehtësim e shpresë”, ka shkruar Doli.

Ajo ka uruar që edhe minatorët e tjerë të dalin shëndoshë e mirë dhe të rikthehen pranë familjeve të tyre.

Postim i plotë:

Tashmë edhe 15 minatorë dolën nga miniera.

Pas orëve të vështira të ngujuar në thellësi, dalja e tyre është një lajm që sjell lehtësim e shpresë.

Urojmë që të gjithë minatorët të dalin shëndoshë e mirë dhe të kthehen pranë familjeve të tyre.

Me lot në sy, babai pret djalin e ngujuar në Trepçë

Nga: A.M.

Me lot në sy dhe i shqetësuar për fatin e djalit të tij, një baba po pret me ankth jashtë minierës së Trepçës. Djali i tij është në mesin e minatorëve që ende kanë mbetur të ngujuar në thellësi.

Babai ka treguar se djali i tij ka gjashtë vjet që punon në Trepçë. Sot, ai po përjeton momente të rënda, duke pritur çdo informacion që mund t’i japë shpresë se djali i tij është mirë dhe se së shpejti do të dalë nga miniera.

Rreth 20 minatorë të Trepçës kanë arritur të dalin nga miniera, ndërsa mbi 40 të tjerë vazhdojnë të mbeten të bllokuar në thellësi.

Në total, 63 minatorë kanë mbetur të ngujuar brenda minierës, pasi është djegur trafoja kryesore e këtij horizonti.

U nxor nga miniera e Trepçës, minatori tregon çfarë përjetoi brenda

Ka folur njëri prej 63 minatorëve që kanë mbetur të ngujuar sonte në horizontin e 11-të të minierës së Trepçës.

Ai tha se është hera e tretë që i ndodh një gjë e tillë, derisa u shpreh se gjendja shëndetësore e minatorëve është e mirë.

Minatori gjithashtu deklaroi se për disa persona mund të jetë e vështirë dalja.

“Ende janë duke dalë, sepse kemi lënë kolegë që duke ardhur dhe dalin kohë pas kohe. Ata që e ndjejnë veten fizikisht të fortë, ata ma merr mendja që dalin. Për disa mendoj që është shumë telashe të dalin”.

“Gjendja shëndetësore ka qenë e mirë, por atje vështirësohet ajri. Ka panik, është hera e tretë që ngujohem në minierë, po shtohet panika dhe stresi. Kam qëndruar afër dy orë e gjysmë, me pauza, në çdo horizont kemi pushuar” , u shpreh ai.

Dalën rreth 20 minatorë nga Trepça, mbi 40 të tjerë mbeten të ngujuar

Rreth 20 minatorë të Trepçës kanë arritur të dalin nga miniera, ndërsa mbi 40 të tjerë vazhdojnë të mbeten të ngujuar në thellësi.

Në total, 63 minatorë kanë mbetur të bllokuar brenda minierës, pasi është djegur trafoja kryesore e këtij horizonti.

Sipas informacioneve të fundit, gjendja shëndetësore e minatorëve është e mirë.

Ekipet përkatëse po punojnë për krijimin e kushteve të nevojshme që edhe minatorët e mbetur të dalin nga miniera.

Del grupi i parë i minatorëve të ngujuar në Trepçë

Grupi i parë i minatorëve ka nisur të dalë nga miniera, katër prej tyre përmes shkallëve emergjente, ndërsa energjia elektrike ende nuk është rikthyer.

Burime brenda minierës kanë bërë të ditur për kp se fillimisht 63 minatorë kanë mbetur të ngujuar në horizontin 11 minierë.

Sipas këtyre burimeve, aktualisht nuk dihet ende numri i saktë i minatorëve që kanë nisur të dalin nga miniera.

Për shkak të mungesës së energjisë elektrike, dalja po bëhet përmes shkallëve emergjente, ku po dalin minatorët që janë në gjendje më të mirë fizike. Ndërkohë, ende nuk ka informacione të plota për gjendjen e tyre shëndetësore.

Në vendngjarje janë të pranishme të gjitha ekipet mjekësore, të cilat janë të gatshme të ndërhyjnë dhe të ofrojnë ndihmën e parë në rast nevoje.

Ibishi: Zjarri në trafon e Trepçës është lokalizuar, minatorët kanë nisur të dalin

Gjatë mbrëmjes së sotme, 63 minatorë të Trepçës kanë mbetur të ngujuar brenda minierës, pas një defekti në pajisjet e furnizimit me energji elektrike.

Burim Ibishi, komandant i zjarrfikësve në Mitrovicë, ka thënë se ekipet kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ku një trafo kishte marrë flakë.

“Lajmin e kemi marrë rreth orës 19:45 në lagjen Tuneli, ku ishte duke u djegur trafoja. Kemi dalë në vendin e ngjarjes, kemi intervenuar dhe e kemi sanua problemin. Zjarri është lokalizuar”, ka thënë Ibishi.

Ai ka bërë të ditur se gjendja e 63 minatorëve është e mirë dhe se ata kanë nisur të dalin nga miniera.

“63 minatorët, gjendja e tyre është e mirë. Kanë filluar të dalin. Kanë dalë tre minatorë, ndërsa të tjerët janë rrugës duke dalë. Kanë gjëra me vete, ushqim e pije”, ka deklaruar Ibishi.

Ekipet emergjente kanë intervenuar në vendin e ngjarjes, ndërsa zjarri është lokalizuar.

Januzi: Minatorët janë të sigurt, por njëri ka problem me këmbën

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, ka thënë se minatorët kanë mbetur të ngujuar në horizontet e minierës në Stantërg, pas një defekti në sistemin e energjisë elektrike.

Januzi ka thënë se defekti ka ndodhur rreth orës 19:30, si pasojë e djegies së linjave të tensionit të lartë dhe një defekti në trafostacionin e tunelit të parë.

Sipas tij, një pjesë e minatorëve kanë nisur të dalin përmes daljeve alternative, ndërsa minatori i parë tashmë ka arritur të dalë nga miniera.

“Minatori i parë, sipas informacioneve të mia, ka arritur me dalë, po shpresojmë edhe janë duke dalë edhe grupet e tjera”, ka thënë Januzi.

Ai ka bërë me dije se me minatorët ekziston komunikimi përmes linjës telefonike me tela induktiv dhe se gjendja e tyre është stabile.

“Për gjendjen e tyre për momentin është stabile, nuk ka ndonjë shqetësim”, ka deklaruar Januzi, duke shtuar se një minator raportohet të ketë problem me këmbën, gjë që mund t’ia vështirësojë daljen në këmbë.

Januzi ka thënë se, sipas informatave nga vendi i ngjarjes dhe komunikimit me menaxhmentin, linja që furnizon minierën nuk duket të ketë defekte të mëdha dhe mund të riparohet në një kohë më të shkurtër.

Ai ka theksuar se defektet në pjesën e flotacionit nuk paraqesin pengesë për nxjerrjen e minatorëve, pasi nuk lidhen me liftin që përdoret për transportimin e tyre nga miniera.

Kryetari i Sindikatës ka kritikuar mungesën e investimeve dhe gjendjen e vjetërsuar të pajisjeve, duke thënë se raste të tilla janë përsëritur edhe më parë.

“Fatkeqësisht, mungesa e investimeve dhe trafostacionet e stërvjetëruara po bëjnë që shpesh të mbesin të mbyllur”, ka thënë Januzi.

Sipas tij, mungesa e një alternative tjetër për furnizim me energji po bën që minatorët të mbesin të ngujuar për orë të tëra, duke e cilësuar këtë situatë si rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre.

Nxirret minatori i parë nga 63 të ngujuarit në Trepçë, vazhdon operacioni i shpëtimit

Njëri nga 63 minatorët që kanë mbetur të ngujuar në minierën e Trepçës është nxjerrë nga horizonti i 11-të.

Lajmin e ka konfirmuar komandanti i Zjarrfikësve të Mitrovicës, Bekim Ibishi, i cili ka bërë të ditur se operacioni i shpëtimit po vazhdon për nxjerrjen e minatorëve të tjerë.

Sipas Ibishit, ngujimi i minatorëve ka ndodhur si pasojë e djegies së transformatorit kryesor në këtë horizont.

Ekipet emergjente po vazhdojnë ndërhyrjen në minierë, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje lidhur me gjendjen e minatorëve dhe zhvillimin e operacionit.

IHDNj kërkon shpëtim urgjent për minatorët e ngujuar në Stan Tërg

Nga: A.M.

Mbi 60 minatorë kanë mbetur të ngujuar nën tokë në minierën e Stan Tërgut, në një thellësi që arrin deri në rreth 645 metra. Minatorët ndodhen në horizontet 11, 10, 9 dhe 8, ndërsa ekipet përgjegjëse janë angazhuar për nxjerrjen e tyre përmes rrugëve emergjente.

Situata ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë e punëtorëve, ndërsa vëmendja kryesore është përqendruar te operacioni për nxjerrjen e sigurt të të gjithë minatorëve.

Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe ekipet e shpëtimit, duke vlerësuar se çdo minutë është e rëndësishme dhe se operacioni duhet të zhvillohet me koordinim dhe profesionalizëm maksimal.

Sipas informacioneve të deritanishme, minatorët po tentojnë të dalin përmes rrugëve emergjente, ndërsa ekipet në terren po punojnë për krijimin e kushteve të sigurta për nxjerrjen e tyre.

Përveç shpëtimit të minatorëve, një tjetër çështje që pritet të jetë në fokus është zbardhja e shkaqeve që çuan në incident. IHDNj ka kërkuar nga Prokuroria kompetente nisjen e një hetimi të plotë dhe të pavarur për të përcaktuar nëse kanë funksionuar mekanizmat dhe pajisjet e sigurisë dhe nëse ka pasur shkelje të rregullave të sigurisë në punë.

Hetimi pritet të shqyrtojë edhe mundësinë e neglizhencës institucionale, problemeve teknike apo përgjegjësive individuale dhe institucionale. Në rast se konstatohen shkelje, përgjegjësit duhet të përballen me pasojat ligjore.

Incidenti ka rikthyer në vëmendje kushtet dhe rreziqet me të cilat përballen minatorët në Kosovë. Puna qindra metra nën tokë i ekspozon ata ndaj rreziqeve të shumta, duke e bërë sigurinë në punë një çështje të vazhdueshme dhe jo vetëm një temë që rikthehet në vëmendje pas incidenteve.

IHDNj thotë se këto probleme i ka evidentuar edhe më herët përmes hulumtimit “Punëtorët e padukshëm të Nëntokës”, ku janë dokumentuar kushtet e vështira të punës dhe rreziqet profesionale me të cilat përballen minatorët.

Sipas gjetjeve të këtij hulumtimi, punëtorët në miniera përballen me ekspozim ndaj pluhurit, gazrave, ngarkesave të rënda fizike dhe faktorëve të tjerë që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin dhe sigurinë e tyre.

Rasti në Stan Tërg pritet të rikthejë në diskutim edhe nevojën për kontroll më të rreptë të standardeve të sigurisë, mirëmbajtjen e pajisjeve dhe infrastrukturës, si dhe funksionimin e rrugëve dhe procedurave emergjente.

Pas përfundimit të operacionit të shpëtimit, IHDNj kërkon një vlerësim të plotë të gjendjes së minierës, pajisjeve dhe procedurave të sigurisë, me qëllim që të përcaktohen shkaqet e incidentit dhe të merren masa konkrete për parandalimin e rasteve të ngjashme.

Në këtë fazë, prioritet mbetet nxjerrja e sigurt e 64 minatorëve nga nëntoka. Më pas, hetimi pritet të përcaktojë se çfarë e shkaktoi incidentin dhe nëse dikush duhet të mbajë përgjegjësi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat