Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë sot në promovimin e dy veprave shkencore të akademik Hivzi Islamit, “Kosova-transicioni i fundit demografik në Evropë” dhe “Studime demografike dhe sociologjike për Kosovën dhe shqiptarët”, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij.
Me këtë rast, presidentja Shiroka Pula tha se këto dy vepra shkencore, përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së tij shumëvjeçare dhe të kontributit të jashtëzakonshëm në studimin e popullsisë së Kosovës dhe të shqiptarëve, raporton KosovaPress.
“Në historinë e çdo institucioni shkencor ka personalitete që nuk dallohen vetëm për veprat që kanë shkruar, por edhe për gjurmët që kanë lënë në zhvillimin e vetë institucionit, në formimin e brezave të rinj dhe në afirmimin e shkencës në hapësirën kombëtare e ndërkombëtare. Një personalitet i tillë është pa dyshim akademik Hivzi Islami”, u shpreh ajo.
Ajo më tej tha se për të personalisht, kjo ditë ka edhe një vlerë të veçantë, ngase, si kolege e tij prej shumë vitesh, ka pasur mundësinë ta njoh nga afër përkushtimin e tij ndaj punës shkencore, seriozitetin profesional, përgjegjësinë institucionale dhe këmbënguljen për të ruajtur e avancuar autoritetin e Akademisë.
“Një ndër meritat e tij të veçanta është institucionalizimi i demografisë si disiplinë shkencore dhe universitare në Kosovë. Ai organizoi studimet pasuniversitare në këtë fushë dhe kontribuoi drejtpërdrejt në përgatitjen e brezave të studiuesve të rinj, shumë prej të cilëve vazhduan rrugën e tyre akademike e shkencore”, pohoi Shiroka Pula.
Presidentja Shiroka Pula, më tej ka thënë se Kosova sot përballet me sfida të mëdha demografike dhe socio-ekonomike: emigrimin, largimin e të rinjve, ndryshimet në strukturën e moshës së popullsisë, rënien e lindshmërisë dhe ndikimin e këtyre proceseve në tregun e punës, në ekonomi dhe në zhvillimin afatgjatë të vendit.
Ajo tha se ky jubile shënon jo vetëm një moment për të vlerësuar rrugën e deritanishme të akademik Hivzi Islamit, por edhe një rast për të shprehur bindjen se puna dhe vepra e tij do të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë shkencore dhe akademike të Kosovës.
Kujtojmë, akademik Hivzi Islami konsiderohet njëri ndër themeluesit e demografisë moderne shqiptare dhe ndër studiuesit më të njohur të proceseve demografike në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare. Veprimtaria e tij përfshin disa libra shkencorë dhe mbi 150 studime e artikuj të botuar në revista dhe publikime shkencore vendore e ndërkombëtare.