Nga përplasjet në Kuvend te kontrolli i mishit nga Brazili, deputetët miratojnë komisionin për Bordin e RTK-së

Aktuale

Nga përplasjet në Kuvend te kontrolli i mishit nga Brazili, deputetët miratojnë komisionin për Bordin e RTK-së

Më: 22 tetor 2026 Në ora: 08:10 Përditësuar në ora: 12:57 më 22.10.2026
Kuvendi

​Kuvendi e miraton formimin e komisionit Ad-Hoc për Bordin e RTK-së

Deputetët e Kuvendi të Kosovës kanë votuar për formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e dy anëtarëve shqiptarë, një anëtar nga komuniteti serb dhe një anëtar nga komunitetet jo shumicë në Bordin e RTK-së.

Për formimin e Komisionit Ad-Hoc ishin 80 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, teksa kryesuesi i seancës së sotme, nënkryetari Ardian Gola tha se ky komision tashmë ngarkohet që në përputhje me ligjin për RTK-në t’ia paraqes kuvendit raportin me rekomandime.

Po ashtu, në fund të kësaj seance nuk ka pasur kuorum të votohet që deputetët e Listës Serbe të emërohen në komisione parlamentare. 

Muja: Kontroll 100 për qind për mishin nga Brazili

Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka bërë të ditur se është vendosur kontroll 100 për qind për çdo dërgesë të mishit nga Brazili, pas dyshimeve për parregullsi me etiketat e afatit të përdorimit të mishit të destinuar për Kosovë

Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka ngritur shqetësimin për sigurinë e ushqimit që u ofrohet qytetarëve.

Duke folur për rastin e mishit të bllokuar nga autoritetet e Malit të Zi në Portin e Tivarit, Muja ka thënë se institucionet e Kosovës kanë intensifikuar kontrollet dhe po verifikojnë dërgesat e importuara nga Brazili.

“Kemi vendosur 100% kontroll të dërgesave të mishit nga Brazili në saje të lajmërimit të Bashkimit Evropian që Brazili do të hiqet nga lista e establishmentëve të aprovuara. Më 29 shtator, ne kemi pranuar informacionet e para të cilat konfirmojnë dyshimet që i kanë autoritetet se në këto disa dërgesa ka pasur ose ka dyshime për ndërrim të etiketave. Deri më tani, këtë informacion e kemi nga autoritetet e Malit të Zi. Megjithatë, unë dëshiroj t’ju informoj që paralelisht dhe pa marrë parasysh veprimet e Malit të Zi e raportin zyrtar për të cilin po e presim zyrtarisht, që nga shtatori kemi urdhëruar 100% kontroll të çdo dërgese. Që nga shtatori ka kontrolle më të intensifikuara, ndoshta më të mëdha, ndonjëherë brenda tregut. Gjithashtu, është nisur kontroll-verifikimi prej janarit deri më 5 shtator i çdo dërgese. 1,446 dërgesa të mishit nga Brazili janë duke u verifikuar një nga një. Inspektohet çdo operator ekonomik; operatori Apetit është një nga operatorët e mëdhenj, por 60% e importeve nga operatorë të tjerë dhe ato po verifikohen një nga një”, tha Muja.

Gjatë diskutimit, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka kërkuar sqarime lidhur me rrezikun që mund t’u kanoset qytetarëve nga mishi me afat të skaduar, duke ngritur shqetësime për kontrollet dhe përgjegjësinë institucionale.

“Nuk duhet që të helmohet popullata. A do ta fusnin në listën e zezë kompaninë Apetit? Po bleni mish me afat të skaduar që të helmoni popullatën”, theksoi Kadrijaj.

Autoritetet malazeze kanë ndaluar në dy raste gjithsej rreth 103 tonë mish viçi të ngrirë, të cilat kishin si destinacion kompaninë kosovare “Apetit SHPK”. Sipas njoftimeve të tyre, mishi kishte afat të skaduar, ndërsa në rastin e parë dyshohej se etiketat origjinale ishin zëvendësuar.

Ymeri për mungesën e terapisë për pacienten me kancer: Lus prokurorët ta hetojnë vdekjen

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për mungesën e terapisë për pacientët me kancer, pas rastit të pacientes që humbi jetën pasi, sipas shoqatës së pacientëve me kancer “Renesansa”, kishte mbetur rreth katër muaj pa medikamentin Palbociclib.

Ymeri ka ngritur shqetësime edhe për rritjen e vdekjeve dhe të rasteve të reja me tumore.

Duke iu referuar reagimit të Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ymeri ka thënë se vetë sqarimi për funksionin e barit tregon rëndësinë e terapisë për ngadalësimin e përparimit të sëmundjes.

“Nga reagimi, njëkohësisht edhe i QKUK-së, është e kuptueshme: barnat e gjeneratës së re, përfshirë Palbociclibin, janë terapi mbështetëse që synojnë ta ngadalësojnë përparimin e sëmundjes. Por kjo është esenca: ka pasur një ngadalësim të përparimit të sëmundjes dhe, në mungesë të këtij hapi, nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Pastaj, e njoh rastin dhe po përballet me sëmundjen për herë të dytë. A ka rëndësi kur dikush përballet me sëmundjen për herë të parë, kur dikush përballet me sëmundjen për herë të dytë, kur dikush i ka tre muaj pa hapa, edhe kur dikush i ka katër muaj pa hapa? Tani, ministër, meqenëse je këtu, jo se Albin Kurti nuk është më përgjegjës se ti; ai sigurisht që është më përgjegjës. Nuk e di qysh fle natën, kur dikush qan se e ka kancerin, e ju e rregulloni një mendilin. A e ke idenë që, për gjashtë vitet e fundit, ka pasur rritje prej 30 për qind të vdekjeve në spitalet rajonale dhe në QKUK? Mbi 42 për qind janë rritur rastet e reja me tumor”, tha Ymeri.

Musliu-Shoshi: Qeveria nuk ka dëshmuar se ka strategji për ta mbrojtur historinë tonë

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi tha se Qeveria e Kosovës nuk e ka dëshmuar se ka një plan strategjik për ta mbrojtur historinë e shtetit dhe mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në foltoren e kuvendit, Musliu-Shoshi tha se vetëm Ambasada e Republikës së Kosovës në Holandë reagoi publikisht ndaj vendimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish krerëve të UÇK-së, teksa pyeti se pse nuk reaguan përfaqësitë e tjera diplomatike të Kosovës.

“Atë që do duhej ta bënte diplomacia e shtetit, sot po detyrohen ta bëjnë studentët shqiptarë nëpër botë, konkretisht studentët shqiptarë në Francë arritën të ndikojnë në tërheqjen e një publikimi për Hashim Thaçin dhe UÇK-në. Pa paga nga shteti, pa buxhet diplomatik, pa ambasada, por me guxim, dinjitet dhe përgjegjësi kombëtare. Me 16 shtator në Hagë u mor një vendim i padrejtë ndaj udhëheqësve të UÇK-së dhe historisë sonë që shkundi themelet e këtij shteti. Kosova ka plotë 34 ambasada dhe 12 konsultata të përgjithshme nëpër botë.

Pra, 46 përfaqësi diplomatik edhe konsullore dhe nga reagimet publike që i kam identifikuar vetëm një ambasadë ka reagim të konfirmuar dhe kjo është Ambasada e Republikës së Kosovës në Holandë, çka kanë bërë 45 tjera, përderisa Serbia vazhdon përpjekjet për ta deformuar historinë tonë, qeveria jonë ende nuk ka dëshmuar se ka një strategji të koordinuar diplomatike për ta mbrojtur atë”, tha ajo.

Çështja e protezave për invalidët e luftës, flet ministri Vitia

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është deklaruar pas adresimeve të shqetësimeve pas mos-amandamentimit të buxhetit prej 1 milion eurosh për protezat e invalidëve të luftës.

Sipas Vitisë, protezat sigurohen nëpërmjet Fondit Shëndetësor në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, e që deri tani nuk kanë evidentuar ndonjë rast me mungesë.

“Çështjet bëhen me kërkesë nga formularët shëndetësorë dhe secila kërkesë trajtohet veç e veç. Siç është trajtuar deri tani, edhe secila lëndë tjetër do të trajtohet. I bëj thirrje edhe z. Hoti që të bëjë aplikimin, nëse nuk e ka bërë ende. Nëse e ka bërë, do të shqyrtohet. Cilido qoftë kabineti ku mund të drejtohet, ne në çdo kohë do të jemi të gatshëm ta ndihmojmë dhe ta sigurojmë se kjo do të ndodhë”, ka thënë Vitia.

Sipas tij, deri tani, mbulimi i tarifave ka ndodhur në një mënyrë jo plotësisht institucionale.

“Shpesh ka qenë në vullnetin e qeverive nëse do të ndanin ose jo fonde për t’i mbuluar këta persona, të cilët kanë dhënë gjithçka për vendin tonë, për t’ua mbuluar shpenzimet që i kanë pasur. Shpeshherë ata kanë hasur në vështirësi. Për këtë arsye, në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta, e në veçanti me Organizatën e Invalidëve të Luftës, kemi ndërtuar një sistem dhe e kemi institucionalizuar këtë proces” shtoi Vitia.

Ai u zotua se asnjë invalid i luftës, qoftë civil apo ushtar, nuk ka asnjë mundësi të mbetet pa iu përgjigjur kërkesës për subvencionimin e tij.

“Prandaj, falënderoj organizatat dhe shoqatat e dala nga lufta, e në veçanti Organizatën e Invalidëve të Luftës, e cila ka dhënë një kontribut të paçmueshëm në hartimin e këtij udhëzimi administrativ që ka të bëjë me mbulimin e dëmtimeve”, deklaroi Vitia.

Përplasje në kuvend, Teuta Haxhiu nuk e lëshon foltoren pasi i përfundon koha për fjalim

Deputetja e Aleancës Teuta Haxhiu, nuk e ka lëshuar foltoren e Kuvendit të Kosovës pasi i ka përfunduar koha e paraparë për fjalim.

Ajo ka kërkuar që t’i vazhdohet koha për ta përfunduar fjalën, por kryetarja e kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk ia ka lejuar vazhdimin e fjalimit, duke ia dhënë fjalën deputetit te Lëvizjes Vetëvendosje, Sylejman Meholli.

Pas përfundimit të minutave të caktuara për fjalën e saj, Teuta Haxhiu ka insistuar që t’i jepet kohë shtesë për ta përfunduar fjalimin.

Por nuk është larguar nga foltorja edhe pasi kryetarja e kuvendit ka vazhduar.

Deliu-Kodra: PDK kërkon një mekanizëm profesional për monitorimin e procedurës në Gjykatën Speciale

Deliu-Kodra: PDK kërkon një mekanizëm profesional për monitorimin e procedurës në Gjykatën Speciale

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra tha se ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po u shkelet të drejtat nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Deliu-Kodra tha në seancën e sotme të Kuvendit se për PDK-në, dretësia për krerët e UÇK-së “mbetet një përgjegjësi e përhershme”.

“Familjet e tyre kanë të drejtë të presin që institucionet e Kosovës të përmbushin detyrën e vet me seriozitet dhe vendosmëri”, tha ajo.

Deputetja kërkoi, në emër të PDK-së, një mekanizëm profesional dhe të pavarur për monitorimin e procedurës në Speciale.

“Prandaj, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkojmë që ky Kuvend dhe Qeveria të mundësojnë mbështetjen e njëmekanizmi profesional dhe të pavarur për monitorimin e procedurës pranë Dhomave të Specializuara, në përputhje të plotë me kornizën ligjore dhe garancitë për pavarësi të gjyqësorit”, tha ajo.

Shqipe Mehmeti-Selimi: U bëj thirrje shqiptarëve që votojnë në Serbi të dielën ta mbështesin koalicionin shqiptar

Shqipe Mehmeti-Selimi: U bëj thirrje shqiptarëve që votojnë në Serbi të dielën ta mbështesin koalicionin shqiptar

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi u bëri thirrje shqiptarëve në Serbi që në zgjedhjet parlamentare të dielën ta mbështesin koalicionin e partive shqiptare atje.

Duke folur në Kuvend në emer të grupit parlamentar të LVV-së, ajo tha se bashkimi i partive shqiptare në Serbi “është përgjegjësi politike”.

“Nga kjo foltore, u bëj thirrje shqiptarëve me të drejtë vote në Serbi të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 tetorit dhe ta mbështesin koalicionin shqiptar”, tha ajo.

Mehmeti-Selimi tha se “Serbia nuk mund të kërkojë në Kosovë të drejta që nuk ua njeh shqiptarëve brenda kufijve të saj”.

Kuvendi mblidhet sot, këto janë pesë pikat që do të shqyrtojnë deputetët

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot (e enjte) seancë plenare, duke filluar nga ora 10:00, me pesë pika në rend dite. Në mesin e tyre janë formimi i një komisioni për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) dhe votimi i propozimit të Listës Serbe për përfaqësimin në komisionet parlamentare.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në pikën e parë deputetët do të shqyrtojnë miratimin e procesverbalit nga seanca e mëparshme, ndërsa në pikën e dytë do të kenë mundësi të bëjnë deklarime jashtë rendit të ditës për çështje të ndryshme me interes publik.

Pika e tretë parasheh pyetjet parlamentare, përmes të cilave deputetët mund të kërkojnë përgjigje dhe sqarime nga anëtarët e Qeverisë lidhur me punën dhe përgjegjësitë e tyre.

Në pikën e katërt është paraparë formimi i Komisionit Ad-Hoc, i cili do të merret me procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për katër pozita në Bordin e RTK-së.

Nga këto pozita, dy janë të përcaktuara për anëtarë nga komuniteti shqiptar, një për komunitetin serb dhe një për komunitetet e tjera joshumicë.

Ndërkaq, pika e pestë ka të bëjë me votimin e propozimit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve të saj në komisionet parlamentare.

Seanca do të zhvillohet në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat