“515 pushkë më shumë për sigurinë”/ Kurti: Mbi 1 miliard euro për ushtrinë, synojmë anëtarësimin në NATO

Aktuale

“515 pushkë më shumë për sigurinë”/ Kurti: Mbi 1 miliard euro për ushtrinë, synojmë anëtarësimin në NATO

Më: 23 tetor 2026 Në ora: 16:23 Përditësuar në ora: 18:30 më 23.10.2026
Ceremonia e betimit të rekrutëve të rinj të FSK-së

Ushtarja e re e FSK-së Argjendë Elshani: Forca e një ushtari nuk matet nga gjinia

Ndër 515 ushtarët e rinj të FSK-së që sot dhanë betimin, ishte edhe Argjendë Elshani.

Ajo foli për sfidat dhe përgatitjet që kanë kaluar gjatë trajnimit ushtarak.

Elshani: Zgjimet pa zbardhur drita, marshimet, netët pa gjumë, testet e njëpasnjëshme

“Zgjimet pa zbardhur drita, marshimet sfiduese në terren, netët pa gjumë dhe testet e njëpasnjëshme, ato e sfilitin trupin tonë, por mbi të gjitha ngrenë lart vullnetin tonë. Historia jonë ushtarake ka dëshmuar se forca e një ushtari nuk matet nga gjinia, por nga gjakftohtësia, niveli i disiplinës dhe dashuria për vendin tonë”, u shpreh ajo.

515 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë betuar në një ceremoni zyrtare, duke shënuar përfundimin e fazës së tyre të përgatitjes dhe fillimin e një kapitulli të ri në shërbim të vendit. Ceremonia është zhvilluar në prani të krerëve institucionalë dhe përfaqësuesve të FSK-së.

Kurti: Synimi ynë i qartë: t’i dalim zot atdheut e ushtria jonë të bëhet pjesë e NATO-s

“Qeveria e Kosovës synon të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri gjatë këtij mandati. Zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet prioritet”, tha kryeministri Albin Kurti në ceremoninë e betimit të 515 ushtarëve të rinj të FSK-së

Kurti e quajti gjeneratën më të madhe e FSK-së që ka pasur ndonjëherë.

Kurti: 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes

“Sot, këtu në kazermën ‘Adem Jashari’, në një vend ku emri i kryekomandantit simbolizon qëndresën shqiptare dhe sakrificën për liri, jemi mbledhur për të shënuar një ditë të veçantë për ju, për familjet tuaja dhe për Republikën e Kosovës. Sot po betohen 515 ushtarë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, njëherazi gjenerata më e madhe që kemi pasur ndonjëherë. 515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut, 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit, 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes.

Të dashur ushtarë, betimin tuaj sot e filloni duke e ditur thellë në qenien tuaj që liria jonë është rezultat i përpjekjeve të shumë brezave, i atyre që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për vendin tonë. Betimi juaj ishte dhe mbetet simbol i vendosmërisë së popullit tonë për të mos u nënshtruar, për të mos u pajtuar me robërinë”, tha Kurti.

Ai theksoi se flijimi i dëshmorëve dhe martirëve të kombit i obligon që ta ruajnë të vërtetën historike, ta nderojmë luftën e drejtë çlirimtare dhe të krenohemi me të kudo që jemi e ngado që shkojmë.

Kurti theksoi se ushtria është një nga shtyllat kryesore të shtetit dhe se zhvillimi i saj është obligim yni për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të mbrojtur sovranitetin e shtetit dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës/

Kurti: Synimi ynë i qartë: t’i dalim zot atdheut e ushtria jonë të bëhet pjesë e NATO-s

“Për këtë arsye, rritja e forcimi i ushtrisë ka qenë dhe mbetet një prioritet i qeverisë sonë.

Gjatë mandatit të kaluar, u trefishua buxheti i ushtrisë. Në këtë mandat, zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri. Kemi rekrutuar 3,220 ushtarë të rinj, duke zgjeruar radhët e forcës sonë dhe duke arritur më shumë se dyfishimin e saj në numër. Përveç kësaj, kemi edhe një gjeneratë tjetër që do të fillojë këtë vit trajnimin, dhe së bashku me ta, ne po i mbërrijmë kapacitetet ushtarake që ishin paraparë të arriheshin në vitin 2028. Pra, kemi përshpejtuar për dy vjet realizimin e objektivave tona strategjike. Kemi realizuar blerje të armatimit me vlerë mbi 430 milionë euro. Mbështetjen ajrore e kemi me dronët Bayraktar dhe Skyguard, ndërsa nga toka kemi mbi 40 lloje të armatimit të rëndë e të lehtë, modern e sipas standardeve të NATO-s. Ushtria jonë është duke u kompletuar çdo ditë e më shumë, e për këtë ne jemi shumë të vendosur. Synimi ynë është i qartë: t’i dalim zot atdheut e ushtria jonë të bëhet pjesë e NATO-s”, tha Kurti.

Ndërsa, komandanti i Qendrës së stërvitjes bazë të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Besnik Thaçi, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës, ku ushtarët e rinj do të bëjnë pjesë, është një forcë profesionale, moderne, gjithëpërfshirëse, simbol i sovranitetit, i përkushtimit ndaj vlerave demokratike dhe partner i besueshëm dhe i ndërveprueshëm me aleatët.

Thaçi: Prej sot do të mbani mbi supe besimin e një populli të tërë

“Prej sot, ju do të mbani mbi supe jo vetëm uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe besimin e një populli të tërë që pret nga ne shërbim vetëmohues, profesionalizëm, etikë, disiplinë dhe përkushtim të palëkundur. Të dashur rekrutë, detyra, nderi dhe atdheu janë themelet e forcës sonë. Vlera këto që duhet t’i mbani gjithmonë në zemrën dhe mendjen tuaj, si qytetarë të ndershëm dhe ushtarakë të zotë. Para jush qëndrojnë mundësi të shumta për zhvillim profesional dhe për të përfaqësuar shtetin tonë në secilin mjedis që do të shërbeni. Një falënderim i veçantë shkon për familjet tuaja, për besimin që na kanë dhënë. Dua të falënderoj të gjithë përkushtimin e institucioneve tona për mbështetjen e dhënë për realizimin e këtij trajnimi”, tha Thaçi.

“Nuk do ta kursej as jetën time”, betohen 515 ushtarët e rinj të Kosovës

Ushtarët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë dhënë sot betimin solemn gjatë ceremonisë së diplomimit të mbajtur në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

515 rekrutët e diplomuar kanë dhënë zotimin për shërbim ndaj shtetit dhe qytetarëve.

Të rreshtuar para eprorëve dhe flamujve shtetërorë e ushtarakë, rekrutët ngritën dorën e djathtë dhe përsëritën njëzëri fjalët e betimit solemn.

“Betohem solemnisht se do të jem i përkushtuar dhe do t'i qëndroj plotësisht besnik Republikës së Kosovës, se do t'u bindem urdhrave të Presidentit të Republikës së Kosovës dhe eprorëve të mi në pajtim me ligjin, dhe se do t'i kryej detyrat e mia me zell, nder dhe dinjitet. Betohem solemnisht se do ta zbatoj Kushtetutën e Republikës së Kosovës, do t'i shërbej popullit dhe atdheut tim, dhe për mbrojtjen e tyre nuk do ta kursej as jetën time. Betohem! Betohem! Betohem!”.

Kurti, ushtarëve: Emri i kryekomandantit Adem Jashari, të jetë kujtesë se çfarë do të thotë të qëndrosh për atdheun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të ushtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermën “Adem Jashari”, ku diplomuan 515 ushtarë të rijnë.

Kurti u bëri thirrje rekrutëve të rinj që ta kryejnë me nder dhe vetëdije të lartë detyrën fisnike në shërbim të vendit.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë theksoi se pas uniformës ushtarake qëndron e gjithë shoqëria kosovare dhe dëshira e saj për të jetuar e ndërtuar të ardhmen në paqe.

“Të dashur ushtarë, mos harroni kurrë se pas uniformës suaj janë qytetarët e Kosovës, familjet e tyre, fëmijët që duan të rriten në paqe dhe një popull që e ka fituar lirinë me shumë mund e vuajtje”, tha Kurti.

 Ai nënvizoi gjithashtu se emri dhe vepra e kryekomandantit Adem Jashari mbeten udhërrëfyes i përhershëm i vetëmohimit dhe përkushtimit për atdheun.

“Le të jetë emri i kryekomandantit legjendar Adem Jashari një kujtesë e përhershme se çfarë do të thotë të qëndrosh për atdheun. Ky është atdheu ynë. Ky është shteti ynë. Liria është amanet. Mbrojtja e saj është tërësi funksionesh që i ndajmë bashkë, përgjegjësi zyrtare dhe qytetare e përbashkët. Urime diplomimi. Rroftë Forca e Sigurisë së Kosovës. Rroftë Republika e populli ynë”, përfundoi kryeministri Kurti.

Rekrutët e rinj të FSK-së, Kurti: 515 ushtarë i shtohen mbrojtjes së atdheut

Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, është mbajtur ceremonia e diplomimit të rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha se sot po betohen 515 ushtarë të rinj të FSK-së, që shënon edhe gjeneratën më të madhe që ka pasur ndonjë ushtria e Kosovës.

“515 qytetarë të Republikës që kanë zgjedhur t’i shërbejnë atdheut. 515 pushkë më shumë për sigurinë e vendit. 515 garantues të rinj të lirisë dhe të paqes”.

Kështu e nisi fjalimin Kurti, duke shtuar: “Të dashur ushtarë, rrugëtimin tuaj sot e filloni duke e ditur thellë në qenien tuaj që liria jonë është rezultat i përpjekjeve të shumë brezave, i atyre që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për vendin tonë”.

I pari i ekzekutivit tha se “UÇK-ja ishte dhe mbetet simbol i vendosmërisë së popullit tonë për të mos u nënshtruar, për të mos u pajtuar me robërinë. Flijimi i dëshmorëve e martirëve të kombit na obligon që ta ruajmë të vërtetën historike, ta nderojmë luftën e drejtë çlirimtare e të krenohemi me të kudo që jemi e ngado që shkojmë”.

“Nga malet e Drenicës, te Kullat e Dukagjinit, nga Drini i Bardhë te Ibri e Sitnica, nga Llapi e Gollaku te Anamorava e Karadaku – çdo krahinë e rajon, qytet e fshat, kodër e luginë, ruan kujtime të rezistencës dhe kryengritjes, të përpjekjeve për liri dhe të dashurisë për atdheun”, u shpreh Kurti.

Ai tha më tej se në këtë tokë, “liria është histori familjesh, sakrificë brezash dhe përgjegjësi që trashëgohet”.

“Ushtria është një nga shtyllat kryesore të shtetit. Zhvillimi i saj është obligim yni për të ndërtuar institucione, me mundësi dhe aftësi për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të mbrojtur sovranitetin e shtetit dhe integritetin territorial të Republikës, në përputhje me mandatin e saj kushtetues dhe ligjor”, u shpreh kryeministri Kurti.Ai u zotua për investime mbi 1 miliard euro tha se zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri.

Nis ceremonia e betimit të rekrutëve të rinj të FSK-së

Ka nisur ceremonia e betimit të rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në Kazermën “Adem Jashari”.

Në ceremoni po marrin pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Të pranishëm janë edhe oficerë dhe nënoficerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Ceremonia shënon një moment të rëndësishëm për rekrutët e rinj, të cilët po përgatiten t’i bashkohen radhëve të FSK-së në shërbim të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat