Analisti politik Sadri Ramabaja, ka vlerësuar se fitorja e Listës së Studentëve në Serbi mund të shënojë fillimin e fundit të modelit autoritar të presidentit Aleksandar Vuçiq, por jo domosdoshmërisht ndryshim të politikës së Beogradit ndaj Kosovës.
Ramabaja ka theksuar se Prishtina duhet ta përshëndesë demokratizimin e Serbisë, por pa krijuar iluzione se ndryshimet politike do të sjellin automatikisht ndryshim strategjik
Sipas tij, marrëdhëniet me Serbinë duhet të ndërtohen mbi njohjen e shtetësisë së Kosovës, mosndërhyrjen dhe respektimin e sovranitetit.
Shkrimi i plotë:
Fitorja e Listës së Studentëve në Serbi mund të shënojë fillimin e fundit të modelit autoritar të Vuçiqit. Por ajo nuk shënon ende fundin e politikës serbe të mosnjohjes dhe të pretendimit kushtetues mbi Kosovën.
Për Prishtinën, kjo kërkon një qasje të matur: ta përshëndesë demokratizimin e Serbisë, por të mos krijojë iluzione se një ndryshim i kursit politik në Beograd do të prodhojë vetvetiu ndryshim strategjik. Kosova duhet të kërkojë që marrëdhëniet e reja të ndërtohen mbi njohjen e realitetit shtetëror, mosndërhyrjen, zbatimin e marrëveshjeve dhe respektimin e sovranitetit.
Dita e djeshme në Serbi shenjoi një kthesë historike, por jo ende një kthesë gjeopolitike.