Gërvalla: Kishte raporte para vrasjes së Arlindës – Sveçla nuk jep dorëheqje

Aktuale

Gërvalla: Kishte raporte para vrasjes së Arlindës – Sveçla nuk jep dorëheqje

Nga: Bota sot Më: 30 tetor 2026 Në ora: 07:14 Përditësuar në ora: 09:49 më 30.10.2026
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Sveçla refuzon dorëheqjen pas vrasjes së Arlindës: Jam me protestuesit, e kuptoj mllefin e tyre

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur për kërkesat për dorëheqje pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke thënë se nuk beson se largimi i tij nga detyra do të kontribuonte në fuqizimin e grave dhe në avancimin e të drejtave të tyre.

Sveçla ka kujtuar se para dhjetë vjetësh kishte dhënë dorëheqje nga një pozitë, edhe pse, sipas tij, nuk kishte pasur përgjegjësi për rastin e atëhershëm.

“Para 10 vitesh kam dhënë dorëheqje nga pozita, pa pasur kurrfarë përgjegjësie për rastin e atëhershëm, duke menduar se dorëheqja ime do të kontribuonte në përmirësimin e praktikave në atë fushë”, ka deklaruar Sveçla, transmeton "Bota sot".

Megjithatë, ai ka thënë se këtë herë nuk mendon se dorëheqja do të sillte ndryshimin e dëshiruar.

“Tash unë nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas, në të drejtat e saj, sepse ne jemi të angazhuar 100 për qind në atë pikë”, është shprehur ministri.

Sveçla ka deklaruar gjithashtu se i mbështet protestuesit dhe se e kupton zemërimin e tyre pas rastit të rëndë.

“Jam me protestuesit, e kuptoj indinjatën dhe mllefin e protestuesve”, ka thënë ai.

Presion për dorëheqje pas vrasjes së Arlindës, ja çfarë thotë ministrja Gërvalla

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka folur për kërkesat për dorëheqjen e saj pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke thënë se do ta kishte ndërmarrë këtë hap nëse do të besonte se dorëheqja do të ndihmonte në identifikimin më të saktë dhe më të shpejtë të veprimeve apo mosveprimeve institucionale.

“Po të konsideroja që dorëheqja do të ishte mekanizmi përmes të cilit do të kontribuonim për një identifikim më të saktë e më të shpejtë të veprimit ose mosveprimit, unë do të kisha dhënë dorëheqje”, ka deklaruar Gërvalla, transmeton "Bota sot".

Ajo ka theksuar se, sipas saj, dorëheqja nuk do të ishte zgjidhja në këtë moment, duke shtuar se qytetarët e dinë që ajo është gjithmonë në anën e viktimave.

“Nuk është momenti”, ka thënë Gërvalla lidhur me kërkesat për dorëheqje pas rastit tragjik.

Sveçla prezanton gjetjet e raportit: 19 policë të suspenduar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media së bashku me ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka prezantuar gjetjet e raportit për trajtimin institucional të rastit të Arlinda Zekajt.

Sveçla bëri të ditur se, përmes Inspektoratit Policor të Kosovës, gjatë ditëve të fundit janë verifikuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Policisë së Kosovës lidhur me raportimet dhe kërkesat për mbrojtjen e Arlindës.

Ai njoftoi se, bazuar në gjetjet e raportit, janë pezulluar 19 zyrtarë policorë, përfshirë drejtorin rajonal të Policisë në Pejë, shefin e Hetimeve Rajonale, komandantin dhe zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, si dhe zyrtarë të tjerë nga zinxhiri komandues dhe sektori i hetimeve.

“Shkeljet e identifikuara përfshijnë mosekszekutimin e urdhrit të parë për mbrojtje, vonesa në ekzekutimin e urdhrit të dytë për mbrojtje, si dhe mospërfilljen e kërkesës për rivlerësimin e rrezikut”, deklaroi Sveçla.

Sipas tij, raporti evidenton shkelje serioze nga disa zyrtarë policorë dhe pjesëtarë të zinxhirit komandues në Pejë, ndërsa gjetjet pritet të trajtohen dhe vlerësohen edhe nga Prokuroria.

Ministri bëri të ditur se raportin mbi veprimet e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor ia kishte dorëzuar kryeministrit Albin Kurti, ndërsa theksoi se hetimet e mëtejshme mund të nxjerrin në pah edhe fakte dhe përgjegjësi të tjera.

Ai theksoi se pezullimet nuk janë të mjaftueshme pa një hetim të plotë dhe përcaktim të përgjegjësisë për secilin zyrtar që ka neglizhuar detyrat e tij.

“Asnjë uniformë, asnjë gradë dhe asnjë pozitë komanduese nuk mund të shërbejë si mburojë ndaj përgjegjësisë”, u shpreh ministri.

Sveçla shtoi se Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje dhe kishte paralajmëruar për rrezikun ndaj jetës së saj, ndërsa institucionet kishin pasur detyrim të vepronin në kohë për të garantuar sigurinë e saj.

“Arlinda kishte kërkuar mbrojtje. Institucionet kishin detyrimin të vepronin”, theksoi ai.

Gjatë konferencës, ministri bëri të ditur edhe se, me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, është përpiluar një raport i veçantë për rastet aktive me rrezikshmëri të lartë që monitorohen nga Policia e Kosovës.

Sipas Sveçlës, janë identifikuar 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë, për të cilat Policia ka raportuar mbi veprimet dhe masat e ndërmarra. Po ashtu, janë përfshirë edhe rastet e vlerësuara me rrezikshmëri të mesme dhe të ulët.

Ndërkohë, ai bëri të ditur se 70 raste aktualisht janë nën monitorim elektronik, si pjesë e mekanizmave shtesë për mbrojtjen e personave që ndodhen në rrezik.

Megjithatë, Sveçla theksoi se pajisjet teknologjike dhe mekanizmat mbrojtës nuk mund ta zëvendësojnë përgjegjësinë njerëzore dhe profesionale të zyrtarëve që duhet të reagojnë në kohë dhe në përputhje me ligjin.

Ai shtoi se, përveç hetimit të plotë të rastit të Arlindës, është e domosdoshme që gjetjet e raportit të shërbejnë edhe për identifikimin dhe adresimin e mangësive në procedurat institucionale për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.

“Përgjegjësia jonë është të sigurohemi që çdo veprim dhe mosveprim të hetohet deri në fund”, përfundoi Sveçla.

Sveçla: I kemi identifikuar 155 raste me rrezikshmëri të lartë, do t'i trajtojmë me seriozitet

Ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla dhe Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla kanë dalë në konferencë për media lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Sveçla tha se:

"Arlinda kërkoi mbrojtje. Sot përgjegjësia jonë është që të sigurohet që çdo veprim apo mosveprim të hetohet. Përtej verimeve, përgjegjësia jonë është që të gjitha rastet e tjera të identifikuara të trajtohen me seriozitetin dhe vëmendjen e duhur institucionale.

Me kërkesë të Kurtit, është përpiluar një raport i veçantë për rastet aktive me rrezikshmëri të lartë. Sipas këtij raporti, janë identifikuar 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë".

Gërvalla: Qendra për Punë Sociale nuk dorëzoi raportin brenda afatit, s’e kishte konsideruar detyrim ta kthente Arlindën në shtëpinë e përbashkët

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se raporti tregon që Qendra për Punë Sociale në Pejë pavarësisht se ishte në komunikim me Arlinda Zekajn nuk e kishte konsideruar si detyrim të saj krijimin e kushteve për kthimin e Arlinda Zekajt në shtëpinë e përbashkët.

“Nga korriku dhe deri në tetor, Qendra për Punë Sociale kishte komunikim të vazhdueshëm me Arlinda Zekajn. Megjithatë, raporti evidenton se Qendra s’e kishte konsideruar si detyrim të saj krijimin e kushteve për kthimin e Arlinda Zekajt në shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, Qendra nuk dorëzoi ashtu siç i ishte kërkuar nga gjykata brenda afatit raportin e kërkuar. Më 5 tetor, madje përfaqësuesi i saj mungoi në seancë dhe raporti nuk ishte dorëzuar duke kontribuuar në shtyrjen të mëtejshme. Përfaqësuesi i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të viktimave ka deklaruar se kishte kërkuar vazhdimisht, pra çdo ditë raportin nga zyrtari përgjegjës Durim Kelmendi, por pa rezultat”.

Ajo tha gjithashtu se “vlerësimi i psikologes klinike përmban të dhëna që e kundërshtojnë paraqitjen publike të thjeshtuar deri tash se fëmija nuk dëshironte të qëndronte me nënën e tij”.

“Për shkak të mbrojtjes së privatësisë nuk do të hyj në hollësi sot”.

Rasti i Arlindës, Gërvalla: Prokurorja ka refuzuar të hapte rast për kanosje ndaj Albert Sylajt

Ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla dhe Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla kanë dalë në konferencë për media lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Gërvalla bëri të ditur se raportoi ka zbuluar se është refuzuar të hapej rast nga Prokruroia për kanosjen e Albert Sylajt, i cili e vrau Arlindën.

"Prokuroria ishte e njoftuar për dhunën dhe kërcënimet e Arlinda Zekajt. Për zhvillimet e rastit ishin të njoftuar vazhdimisht prokurorët. Më 23 tetor, dy ditë para vrasjes, edhe kryeprokurorja ishte e njoftuar me shkrim.

Sipas dokumentacionit, prokurorja përgjegjëse kishte refuzuar të hapte rast për kanosje." - tha Gërvalla.

Gërvalla: Arlinda nuk u vra pa paralajmërim, institucionet kishin marrë sinjale paraprake

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se raporti për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt është pjesërisht i plotë, pasi nga disa prej zyrave përgjegjëse nuk janë marrë ende përgjigjet e kërkuara.

Në konferencën për media, Gërvalla tha se presin sqarime shtesë nga institucionet përkatëse.

Ajo theksoi se konstatimi më shqetësues i raportit është se Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim, pasi institucionet kishin marrë sinjale paraprake për rrezikun që i kanosej.

Sipas Gërvallës, Arlinda kishte raportuar në Polici dhunën fizike dhe psikologjike më 10 korrik.

Ajo gjithashtu kishte dorëzuar prova dhe kishte informuar Policinë se bashkëshorti posedonte armë me leje.

Gërvalla ka vazhduar leximin e raportit, të cilin ajo dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ia kishin dorëzuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, mbrëmjen e së enjtes.

Mblidhen protestuesit para Qeverisë, pritet konferenca e Gërvallës dhe Sveçlës për rastin e Arlinda Zekajt

Protestuesit kanë nisur të mblidhen para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku pas pak pritet të fillojë konferenca e dy ministrave, Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla.

Konferenca e përbashkët e ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Punëve të Brendshme është paralajmëruar për orën 09:00, ndërsa protestuesit po kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Një ditë më parë, Zyra e Kryeministrit njoftoi se ka pranuar raportet e hollësishme të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me trajtimin e rastit të viktimës.

Sipas njoftimit, raportet do të analizohen për të identifikuar lëshimet, neglizhencën, mosreagimin dhe përgjegjësinë e mundshme institucionale.

Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Gërvalla dhe Sveçla do të flasin për këto raporte dhe veprimet e mëtejme.

Ndërkohë, protestuesit janë mbledhur para objektit qeveritar, duke vazhduar kërkesat për përgjegjësi nga institucionet që kanë trajtuar rastin e Arlinda Zekajt.

Vrasja e saj ka nxitur protesta dhe reagime të shumta gjatë ditëve të fundit në Kosovë.

Gërvalla dhe Sveçla sot në konferencë për rastin e Arlinda Zekajt, paralajmërohet edhe protestë para Qeverisë

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë sot një konferencë të përbashkët për media lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra në Vitomiricë të Pejës.

Konferenca është paralajmëruar të mbahet në orën 09:00, në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, ndërsa në të njëjtën kohë, para objektit të Qeverisë, pritet të zhvillohet një protestë kundër vrasjes së grave, transmeton “Bota sot”.

Një ditë më parë, Zyra e Kryeministrit njoftoi se ka pranuar raportet e hollësishme nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me rastin e Zekajt.

Sipas njoftimit, këto raporte do të shqyrtohen dhe analizohen në detaje, me qëllim identifikimin e lëshimeve të mundshme, neglizhencës, mosreagimit dhe përgjegjësisë institucionale në trajtimin e rastit.

“Së bashku me ministrat përkatës do të bëhet shqyrtimi dhe analizimi i tyre në detaje, për historinë dhe rrjedhën e rastit, për secilin lëshim e trajtim të papërgjegjshëm, për neglizhencë e mosreagim, si dhe gjithçka që lidhet me procedurën dhe përgjegjësinë institucionale”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Qeveria ka bërë të ditur se konferenca e Gërvallës dhe Sveçlës do të përqendrohet pikërisht në këto raporte dhe veprimet e mëtejshme institucionale.

Ndërkohë, protesta e paralajmëruar para Qeverisë vjen pas reagimeve të shumta që ka shkaktuar vrasja e Arlinda Zekajt, si dhe kërkesave për llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse.

Vrasja e saj ka nxitur protesta gjatë ditëve të fundit, ku është kërkuar hetimi i veprimeve dhe mosveprimeve të zyrtarëve që kanë qenë të përfshirë në trajtimin e rastit të viktimës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat