Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, vlerëson se asnjë nga politikanët kryesorë shqiptarë nuk mund të konsiderohet udhëheqës i të gjithë shqiptarëve në rajon. Në një interviste për gazetën malazeze “Dan”, ai përmend Sali Berishën, Edi Ramën, Ali Ahmetin dhe Albin Kurtin.
Sipas Hasanit, rivaliteti mes Ramës dhe Kurtit është mosmarrëveshje për politika, jo garë për rolin e liderit kombëtar.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare thotë se protestat e fundit e kanë dobësuar ndjeshëm kryeministrin e Shqipërisë. Ai pretendon se Rama nuk jep dorëheqje dhe nuk pranon qeveri teknike nga frika e SPAK-ut, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit.
Hasani kritikon edhe Kurtin. Ai pretendon se pranimi në vitin 2023 i një forme autonomie për serbët në Kosovë tregon se kryeministri nuk ndjek bashkimin kombëtar.
Idejën e bashkimit të trojeve shqiptare, Hasani e quan kryesisht retorikë politike, që sipas tij nuk merret seriozisht nga askush aktualisht.
Për sigurinë rajonale, ai thekson rolin e NATO-s, të cilën e quan “çadër” sigurie për Ballkanin. Sipas tij, marrëdhëniet mes shteteve të rajonit janë të mira, me përjashtim të Serbisë.
Deri në botimin e këtij lajmi nuk kishte reagim nga politikanët e përmendur.