Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis, i cili njëherësh ushtron detyrën e kryesuesit të radhës të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Vizita e kryediplomatit zviceran në Prishtinë zhvillohet në kuadër të një turi zyrtar në tri shtete të Ballkanit Perëndimor, Serbi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, nga 4 deri më 6 nëntor. Sipas autoriteteve zvicerane, vizita ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, mbështetjen e integrimit evropian dhe promovimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Gjatë takimeve në Kosovë, në fokus pritet të jenë marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Bernës, bashkëpunimi ekonomik, integrimi evropian dhe zhvillimet politike e të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Një prej çështjeve kryesore të agjendës është edhe marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s, ku bën pjesë edhe Zvicra, e cila ka hyrë së fundmi në fuqi. Kjo marrëveshje synon të krijojë mundësi të reja për shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin ekonomik ndërmjet palëve.
Po ashtu, pritet të diskutohet edhe mbështetja e Zvicrës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe rëndësia e vazhdimit të përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Në kuadër të vizitës, Cassis do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, me të cilin do të mbajë një konferencë të përbashkët për media.
Në cilësinë e kryesuesit të radhës të OSBE-së, kryediplomati zviceran do të vizitojë edhe misionin e kësaj organizate në Kosovë, për t'u njohur nga afër me punën, aktivitetet dhe sfidat me të cilat përballet misioni në terren.
Agjenda e tij përfshin gjithashtu një vizitë në misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, ku Zvicra kontribuon që nga viti 1999 përmes kontingjentit të saj SWISSCOY. Prania zvicerane në këtë mision është pjesë e angazhimit të Bernës për mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Cassis do të inaugurojë edhe ambientet e reja të Ambasadës së Zvicrës, në kuadër të angazhimit për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Autoritetet zvicerane kanë bërë të ditur se gjatë vizitës në rajon do të theksohet rëndësia e dialogut, trajtimit të së kaluarës dhe mbrojtjes së të gjitha komuniteteve. Zvicra, e cila ka qenë e angazhuar në promovimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor që nga vitet 1990, i konsideron lidhjet me vendet e rajonit të rëndësishme edhe për shkak të pranisë së madhe të diasporës ballkanike në territorin e saj.
Pas Kosovës, Cassis do ta vazhdojë vizitën në Maqedoninë e Veriut, ku më 6 nëntor do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme, Timço Mucunski. Në këtë takim pritet të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe, integrimi evropian dhe situata aktuale në Ballkanin Perëndimor.