Kurti pret albanologun Zymer Ujkan Neziri, e uron për 80-vjetorin e lindjes

Aktuale

Kurti pret albanologun Zymer Ujkan Neziri, e uron për 80-vjetorin e lindjes

Nga: Bota sot Më: 7 nëntor 2026 Në ora: 12:09
Pamje nga takimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit albanologun dhe studiuesin e njohur të eposit shqiptar, prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij.

Përmes një postimi, Kurti ka bërë të ditur se në takim, përveç Nezirit, ishin të pranishëm edhe studiuesja prof. dr. Ina Arapi, studiuesi prof. dr. Ardian Ahmedaja nga Universiteti i Vjenës, studiuesi arbëresh prof. dr. Nicola Scaldaferri nga Universiteti i Milanos, si dhe e bija e profesorit, Shqipe Neziri Vela.

Kreu i Qeverisë ka vlerësuar lart kontributin shumëvjeçar të Nezirit në mbledhjen, dokumentimin dhe studimin e trashëgimisë gojore shqiptare, duke theksuar rëndësinë e punës së tij për ruajtjen e këngëve kreshnike.

Sipas Kurtit, gjatë dekadave të punës së tij, Neziri ka mbledhur dhe regjistruar drejtpërdrejt këngë nga lahutarët shqiptarë, por ka zhvilluar hulumtime edhe në arkiva të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë ato të Universitetit të Vjenës dhe Universitetit të Harvardit.

“Falë kësaj pune të përkushtuar, trashëgimia jonë kulturore është pasuruar me një korpus prej më shumë se 100 mijë vargjesh të këngëve kreshnike, të botuara në 15 vëllime, një pasuri e jashtëzakonshme për kulturën, kujtesën historike dhe studimet shqiptare”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shprehur mirënjohje dhe respekt për veprën jetësore të studiuesit, duke e vlerësuar kontributin e tij në ruajtjen e trashëgimisë kombëtare.

Në fund, Kurti i ka uruar profesor Nezirit shëndet, jetë të gjatë dhe suksese të mëtejshme në punën e tij shkencore e kulturore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat