Debat i ashpër në Kuvend: Qorrolli akuzon Bajramin për gënjeshtra, ajo i kundërpërgjigjet

Aktuale

Debat i ashpër në Kuvend: Qorrolli akuzon Bajramin për gënjeshtra, ajo i kundërpërgjigjet

Më: 11 nëntor 2026 Në ora: 07:27 Përditësuar në ora: 18:12 më 11.11.2026
Kuvendi i Kosovës

Ymeri: A mund ta demantoni që nuk i keni marrë para Martin Berishajt për fushatë dhe nuk i keni borxh Vuk Hamoviqit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar Qeverinë Kurti për menaxhimin e sektorit të energjisë, duke e akuzuar atë për dështim në sigurimin e energjisë elektrike dhe mungesë të progresit në zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme.

Gjatë një diskutimi në Kuvend, Ymeri tha se inflacioni nuk është shkaktuar nga zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit, por nga çmimet e energjisë dhe të shërbimeve.

Ymeri: Inflacioni nuk është shkaktuar nga Ngushtica e Hormuzit, por nga çmimi i energjisë dhe i shërbimeve

“Inflacioni nuk është shkaktuar nga Ngushtica e Hormuzit, por nga energjia edhe nga çmimi i energjisë, edhe nga çmimi i shërbimeve. Kur jemi te energjia, në agjendë të Vuk Hamoviqit keni punuar kësisoj: burimet e ripërtëritshme kanë pasë zero progres gjatë këtij raporti. Keni dështuar të siguroni energji elektrike sepse keni ardhur me skemë të instaluar me kompani, me ZRRE që ia ka ndreq agjendën, me KOSTT për t’i shërbyer Martin Berishajt dhe skemës”, tha Ymeri.

Ajo ngriti edhe akuza lidhur me pretendimet për financimin e fushatës dhe raportet e pretenduara me persona të përmendur në deklarimin e saj.

Ymeri: A mund ta demantoni që nuk i keni marrë para Martin Berishajt për fushatë dhe nuk i keni borxh Vuk Hamoviqit

“A mund ta demantoni që nuk i keni marrë para Martin Berishajt për fushatë dhe nuk i keni borxh Vuk Hamoviqit, ujkut të qeverisë suaj? Me këtë pyetje mund t’i drejtoheni Albin Kurtit dhe nëse mund ta demantojë, mund të vijë këtu”, tha deputetja e LDK-së.

Kraki: Pasivizimi i adresave në Luginë të Preshevës, një spastrim etnik me letra nga Serbia

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, gjatë diskutimit për raportin e Bashkimit Evropian dhe procesin e integrimit evropian, ka ngritur çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi, duke kritikuar pasivizimin e adresave në Luginën e Preshevës dhe diskriminimin e tyre nga institucionet serbe.

Kraki ka theksuar se raportet vjetore të Bashkimit Evropian duhet të trajtohen me seriozitet, pasi respektimi i të drejtave të njeriut dhe i të drejtave të komuniteteve etnike përbën një nga vlerat themelore të BE-së.

Duke iu drejtuar deputetëve të Listës Serbe, të cilët kishin ngritur shqetësime për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, Kraki ka kërkuar që në të njëjtin diskutim të merren parasysh edhe gjetjet e raportit të BE-së për Serbinë.

Kraki: E domosdoshme që ta risjellim raportin e të njëjtit komision që flet për Serbinë dhe për të drejtat e shqiptarëve atje

“Nëse ne diskutojmë sot raportin e Kosovës dhe këtu vijnë deputetë të Listës Serbe dhe ankohen për mungesën e të drejtave të tyre në Kosovë, atëherë është e domosdoshme që ta risjellim këtu raportin e të njëjtit komision që flet për Serbinë dhe për të drejtat e shqiptarëve atje”, ka deklaruar Kraki.

Ai ka theksuar se raporti evidenton përpjekjet sistematike të Serbisë për ta zvogëluar përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet lokale si dhe praktikën e pasivizimit të adresave.

Kraki: Pasivizimi i adresave në Luginë të Preshevës, një spastrim etnik me letra nga Serbia

“Aty thuhet se Serbia në mënyrë sistematike, të organizuar, synon dhe arrin uljen e prezencës së shqiptarëve në institucionet lokale përfaqësuese. Aty përmendet po ashtu pasivizimi i adresave, që është realisht një spastrim etnik me letra”, ka thënë ai.

Kraki ka bërë dallimin mes përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së komuniteteve në institucionet e Kosovës dhe trajtimit që, sipas tij, Serbia u bën shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kraki: S’mund të krahasohet braktisja e institucioneve vullnetarisht në Kosovë me përndjekjen e Serbisw ndaj shqiptarëve në Luginë

“Nuk mund të krahasohet braktisja e institucioneve vullnetarisht këtu në Kosovë me përndjekjen nga institucionet që ia bën Serbia shqiptarëve në Luginën e Preshevës Në qoftë se duan deputetët e Listës Serbe ta shohin se çka është një pakicë e diskriminuar, i kisha ftuar të regjistrohen përkohësisht si shqiptarë në Preshevë”, tha Kraki.

Në një pjesë tjetër të diskutimit, deputeti Kraki ka folur për rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke vlerësuar se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i domosdoshëm për stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit.

Duke iu referuar deklaratës së Robert Schumanit për Evropën dhe luftën, Kraki ka theksuar se moszgjerimi i BE-së mund ta rrisë pasigurinë në rajon dhe më gjerë.

Kraki: Zgjerimi i BE-së është domosdoshmëri gjeopolitike

“Nëse nuk zgjerohet Evropa dhe nëse nuk futemi edhe ne brenda, atëherë mund ta kemi luftën, të paktën pasigurinë e kemi të sigurt, sepse pasiguria është aktuale tash”, tha ai.

Sipas Krakit, procesi i zgjerimit evropian që nga fillimet e tij ka qenë i ndikuar fuqishëm nga interesat gjeopolitike dhe jo vetëm nga përmbushja e kritereve teknike.

Ai ka përmendur integrimin e Spanjës, Portugalisë, Greqisë dhe vendeve të Evropës Lindore, duke argumentuar se zgjerimet e mëdha të BE-së janë realizuar edhe mbi bazën e nevojave strategjike të kontinentit.

Kraki: Bashkimi Evropian gjendet sot në një cikël të ri

“Bashkimi Evropian gjendet sot në një cikël të ri. Jemi rikthyer te nevoja fillestare që e kemi pasur për integrim dhe zgjerim, edhe për arsye, sidomos për arsye gjeopolitike”, përfundoi Kraki.

Musliu-Shoshi: Kosova e fundit në listën e vendeve për anëtarësim në BE

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi ka thënë se Kosova është e fundit në listën e vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku po diskutohet për raportin e BE-së për Kosovën, ajo ka kritikuar ekzekutivin e vendit për ngecje në shumë fusha sa i përket procesit të integrimeve.

“Jemi shteti i vetëm që ka qenë nën sanksione nga BE-ja për më shumë se 1 vit. Janë bërë rreth 10 vjet që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociim dhe është marrëveshja e vetme kontraktuale që Kosova e ka me BE-në dhe LVV-ja e ka kundërshtuar ashpër. Janë bërë 4 vjet që kur Kosova e ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në BE dhe ajo ka mbetur në sirtarë.”, ka thënë ajo.

Deputeja Musliu Shoshi ka shtuar se orientimi evropianë për qytetarët e shoqërinë është i qartë, por sipas saj, mbetet e paqartë ajo se çfarë po bën Qeveria në këtë drejtim.

“Hallakamë” në Kuvend: Përplasje mes deputetëve të LVV-së dhe Hykmete Bajramit

Përplasje të ashpra janë zhvilluar në Kuvendin e Kosovës mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, gjatë seancës në Kuvend për Raportin e Progresit, raporton KosovaPress.

Përplasja nisi pas deklaratave të Vigan Qorrollit për sundimin e ligjit, për çka Bajrami tha se Qorrolli kishte qenë vazhdimisht pjesë e pushtetit dhe se nuk mund të paraqitej si i shkëputur nga qeveritë e mëhershme.

Kjo nxiti reagimin e Qorrollit, i cili e akuzoi deputeten e LDK-së për pavërtetësi dhe deklarata të pavërteta.

“Po flet të pavërteta”, Qorrolli me akuza ndaj Bajramit

“Zonja Bajrami, me shumë kallauzë dhe shumë të pavërteta po flet gjëra që nuk i besoj as vetë. Kjo është e turpshme për një profesoreshë universiteti, e cila gënjen kaq hapur në institucionin kryesor të kësaj demokracie. Nuk e kuptova prekjen e setrës sonë kur iu referova krahut të djathtë dhe të majtë. Unë tregova për çështje empirike që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë. Unë, sikurse ti, jam mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës dhe kam mundësi t'iu ofroj shërbimet e mia profesionale cilësdo qeveri që më thërret. Ndërkaq, për herë të parë, në vitin 2023 jam emëruar zëvendësministër i Drejtësisë, e në shkurt të këtij viti jam zgjedhur deputet”, tha ai.

Bajrami e kundërshtoi akuzën se kishte gënjyer dhe më pas ngriti pretendime lidhur me një rast të Qorrollit në Universitetin e Prishtinës.

Në debat ndërhyri edhe deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, i cili pretendoi se Bajrami, përmes përplasjes me Qorrollin, po synonte të sulmonte shefen e Grupit Parlamentar të LDK-së dhe përfaqësuesit e tjerë të kësaj partie..

“Përparim i propaganduar”, Osmani, Qeverisë: Krahasoni veten tuaj me vetveten, jo me ata të 2014-ës

Deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani, ka kritikuar Qeverinë Kurti për të gjeturat e Raportit të Progresit të Komisionit Europian për Kosovën.

“Për pushtetin e sotëm, për besë, a ka ma marre sesa ju me krahasu veten me ata të vitit 2014. 2015, 2016…Krahasoni me veten. Krahasoni veten me vetveten tuaj të vitit paraprak. Dhe për këtë shërben Raporti”.

Ajo tha se raporti “na tregon se vendi jonë nuk ka arritur të shënojë përparimin e nevojshëm, përparimin e premtuar, apo në rastin tuaj, përparimin e propaganduar”.

“Përfundimi më shqetësues është në disa fusha që janë më themelore në jetën e qytetarëve, Kosova s’ka shënuar asnjë përparim”.

Osmani tha se te funksionimi i gjyqësorit, për vitin 2025, nuk ka progres dhe tha se edhe pas gjashtë vitesh në pushtet, Komisioni Europian flet për ndikime politike në sistemin e drejtësisë, “që vazhdojnë të jenë pengesë serioze në paanshmërinë e këtij sistemi”.

“Shumë më lehtë të shpallësh luftë ndaj së të kaluarës sesa të ndërtosh institucione të pavarura në të tashmen”.  

Osmani theksoi më pas edhe të gjeturat e Raportit për luftën ndaj korrupsionit ku pati tha se rastet e korrupsionit të nivelit të lartë shënuan rënie të vendimeve e dënimeve në Kosovë dhe se mungon strategjia për luftimin e korrupsionit.

“Gjashtë vjet dhe strategjia askund”.

Opozita përballë Konjufcës: Kritika për arsimin, korrupsionin dhe përgjegjësinë e Qeverisë

Pas paraqitjes së ministrit Glauk Konjufca, ka reaguar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës  Besnik Tahiri, i cili ka kritikuar Qeverinë për gjendjen e procesit të integrimit evropian.

Tahiri ka thënë se çështjet e përmendura nga Konjufca, si përfaqësimi gjinor në Kuvend, moszgjedhja e kryeprokurorit dhe çështja e Akademisë së Drejtësisë, nuk e arsyetojnë gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet Kosova në raport me integrimin evropian.

“Leximi i fjalës suaj në asnjë moment as nuk justifikon, as nuk demanton disa nga ngecjet tona kryesore. Referimet e kota gjinore në Parlamentin e Kosovës, pastaj se janë gjashtë kryetare të komisioneve, duke vazhduar te zgjedhja e kryeprokurorit, e ai kryeprokuror nuk u zgjodh për katër vite nga ky Kuvend, nga kjo Qeveri, pastaj referimet te çështja e Akademisë së Drejtësisë e kështu me radhë, nuk janë çështje që më mundojnë dhe as nuk duhet të të preokupojnë ty e as të mundohesh të justifikosh një pozicion shumë të keq”, tha Tahiri.

Tahiri u bëri thirrje ministrit Konjufca dhe Qeverisë që ta marrin më seriozisht raportin për integrimin evropian dhe të mos shmangin përgjegjësinë.

“Po e përsëris për ju dhe qytetarët e Kosovës,  letërnjoftimi i Kosovës sot në raport me integrimin evropian është shumë i thjeshtë: Kosova nuk është vend kandidat. Në dhjetor të vitit 2022 kemi aplikuar për kandidaturë dhe nuk ka ndodhur asgjë. Kosova është vendi i vetëm që i ka humbur 46 milionë euro dhe rrezikon t’i humbasë edhe 131 milionë euro. Ajo që ju them juve si ministër dhe Qeverisë: hiq dorë nga përgjegjësia e integrimit evropian. Ki shumë gjëra të tjera. Merrni dikë nga kabineti, ngriteni nivelin dhe merreni seriozisht këtë raport, i cili është i keq për vendin”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka kritikuar zëvendëskryeministrin Glauk Konjufca gjatë diskutimit për Raportin e Progresit, duke ngritur çështje që lidhen me arsimin, korrupsionin dhe përgjegjësinë e Qeverisë.

Lushaku ka pyetur se çfarë e ka penguar Ministrinë e Arsimit që të harmonizojë kurrikulat me tregun e punës dhe të realizojë riorganizimin e shkollave.

“Kush e ka ndaluar Ministrinë e Arsimit që t’i harmonizojë kurrikulat me tregun e punës? Çfarë kompetencash i janë dashur Ministrisë së Arsimit për ta bërë riorganizimin e shkollave?

Tjetra, fakt është që po mundoheni t’ia hidhni përgjegjësinë krizës politike, bojkotimit ose zgjedhjeve. Por, dua t’ju kujtoj se ky Raport i Progresit e kritikon shpërndarjen lineare të parave në kohë zgjedhjesh, për të mos thënë blerjen e votave. Po ashtu, asnjëherë nuk e përmendët korrupsionin, përderisa vetë Qeveria, edhe me kompetenca në detyrë, ka mundur ta harmonizojë dhe ta sjellë këtu Strategjinë Kundër Korrupsionit. Dhe e fundit që desha të them është se po e merrni si arritje emërimin e koordinatorit për integrim evropian. Qeveria juaj, në vend të kësaj, është dashur të tregojë seriozitet dhe të ketë një ministër për integrim evropian”, tha Lushaku.

Në kundërpërgjigjen e tij, zëvendëskryeministri Glauk Konjufca tha se i kishte dëgjuar me vëmendje kritikat e tyre , por theksoi se disa nga çështjet e ngritura nuk trajtohen në mënyrë specifike në Raportin e Progresit.

“Ju dëgjova me vëmendje kritikat që ia bëtë Qeverisë. E para, këtu ngritët shumë çështje të cilat Raporti i Progresit nuk i trajton fare. Pra, i bëtë më shumë për ballafaqim politik. Unë këtë e kuptoj, domethënë, Parlamenti e ka edhe këtë funksion. Për shembull, arsimi dual dhe reformat në funksion të përafrimit të arsimit me nevojat e ekonomisë. Nuk është kjo çështja për të cilën Raporti i Progresit merret në mënyrë specifike. Kjo është një kritikë që opozita mund t’ia bëjë Qeverisë. Pajtohem, por duhet t’i përmbahemi Raportit të Progresit”, u kundërpërgjigj Konjufca.

Besnik Tahiri kërkon hapa konkretë për integrimin evropian: Rrezikohen 131 milionë euro

Mungesa e një agjende të qartë për integrimin evropian dhe keqmenaxhimi i parasë publike ishin ndër çështjet që ngriti deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, gjatë debatit parlamentar për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2026.

Tahiri vlerësoi se Kosova po kalon nëpër një proces integrues pa agjendë të qartë, duke e cilësuar vendin si shtetin me progresin më të dobët në Ballkanin Perëndimor.

Ai gjithashtu theksoi se Kosova është i vetmi vend që ka qenë nën masat e Bashkimit Evropian për më shumë se dy vjet.

Deputeti ngriti shqetësime edhe për menaxhimin e parasë publike, duke thënë se korrupsioni dhe keqmenaxhimi i financave paraqesin rrezik të madh.

Ai kërkoi nga Qeveria ndërmarrjen e tri veprimeve konkrete: caktimin e një ministri ose zëvendësministri përgjegjës për agjendën e integrimit evropian, adresimin e statusit të vendit kandidat dhe shmangien e humbjes së 131 milionë eurove nga fondet evropiane.

“Kjo qeveri duhet të ndërmarrë tre hapa: caktimin e një ministri ose zëvendësministri përgjegjës për agjendën e integrimit evropian, adresimin serioz të çështjes së statusit të vendit kandidat dhe të mos lejojë të humben 131 milionë euro, ashtu siç janë humbur 43.8 milionë euro”, deklaroi Tahiri. 

Konjufca flet për ngecjet me bllokadën politike: S'ka rënie, por ritëm më të ngadalshëm të reformave

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, në emër të Qeverisë së Kosovës, në emër të Qeverisë, ka folur gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për Raportin e Progresit, të thirrur nga LDK-ja.

Konjufca është arsyetuar se në periudhën e mbulimit të raportit janë mbajtur tri palë zgjedhje, si dhe ka pasur bllokadë institucionale, me Kuvendin jofunksional dhe Qeveri në detyrë.

Sipas tij, Komisioni Evropian e ndërlidh drejtpërdrejt ngadalësimin e reformave me bllokadën politike, e cila ka kufizuar efektivitetin e qeverisjes dhe ka vonuar reformat strukturore.

“Raporti mbulon nga shtatori 2025 deri në shtator 2026 dhe gjatë kësaj periudhe kemi pasur tri palë zgjedhje, dy palë të parakohshme dhe një palë komunale. Pa president të zgjedhur deri në tetor dhe me Kuvend jofunksional për pjesën më të madhe të kohës. Raporti konstaton se përgjatë gjithë kësaj periudhe, Kuvendi punoi vetëm nga mesi i shkurtit deri në fund të prillit, ndërsa Qeveria ishte në detyrë në pjesën më të madhe të periudhës.

Madje, edhe në këtë kohë pati një ndërprerje prej tri javësh, nga 6 marsi deri te vendimi i Gjykatës Kushtetuese, më 25 mars. Sipas raportit, kjo e kufizoi efektivitetin e qeverisjes dhe i vonoi reformat strukturore. Komisioni e ndërlidh drejtpërdrejt ngadalësimin me bllokadën. Progresi në reformat e Bashkimit Evropian mbetet i pabarabartë për shkak të paqëndrueshmërisë dhe bllokadës politike.

Pavarësisht se raporti në masë të madhe konstaton se s’është bërë progres, Konjufca deklaroi se niveli i përgatitjes së Kosovës nuk ka rënë në asnjë fushë.

"Megjithatë, pasqyra e përgjithshme tregon se niveli i përgatitjes nuk kishte rënë në asnjë fushë. Në luftën kundër krimit të organizuar, niveli i përgatitjes është ngritur. Progresi është vlerësuar më mirë se në vitin e kaluar, në së paku shtatë prej kapitujve. Së pari, në reformën e administratës publike, në lëvizjen e lirë të kapitalit, në shërbimet financiare, në akuakulturë, në statistika, në politikat rajonale dhe koordinimin e instrumenteve strukturore, në drejtësi, liri dhe siguri, ndërsa në kapitullin që është gjyqësori, është përmirësuar gjendja në dimensionin e lirisë së shprehjes. Gjithmonë po e krahasoj me Raportin e Progresit të vitit 2025.

Në disa kapituj ka vlerësim për rënie të ritmit të reformave, pra ritëm më të ngadalshëm, por jo rënie në nivel tjetër, konstatim që i kishim tri palë zgjedhje, Kuvend të bllokuar dhe Qeveri në detyrë."

Për seancën, ministri pati edhe kritika, për mënyrën se si sipas tij, po paraqitet ekzekutivi.

"Kërkesa e LDK-së për këtë seancë e paraqet Qeverinë sikur të kishte pasur kompetenca të plota, duke neglizhuar bllokadën në të cilën ndodheshim”, ka deklaruar Konjufca.

Raporti i Progresit, Bajrami: Për 960 ditë Kosova ishte nën masa ndëshkuese, sot flisni për progres

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës gjatë diskutimit për Raportin e Progresit.

Ajo ka thënë se gjatë 960 ditëve të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, Kosova ka qenë nën masa ndëshkuese, duke ngritur çështjen e kostos që ato i kanë shkaktuar vendit.

Bajrami ka deklaruar se, sipas saj, Raporti i Progresit nuk evidenton asnjë përparim në asnjë fushë.

Ajo ka përmendur edhe rezultatet e testit PISA.

“Dhe sot keni fytyrë të na flisni për progres. Ky raport nuk shënon as edhe një progres në asnjë fushë të vetme”, ka thënë Bajrami, duke pyetur se çfarë progresi përfaqësojnë rezultatet e PISA-s.

Kësisoj ajo komentoi edhe fjalimin e deputetes së VV-së, Liza Gashi e cila përmendi reformat dhe progresin.

Tahiri kërkon nga Qeveria të mos arsyetohet: Raporti i Komisionit s'është i opozitës, reflektoni!

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, në seancën e jashtëzakonshme për Raportin e Progresit, ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se gjetjet e Komisionit Evropian duhet të trajtohen me seriozitet dhe përgjegjësi.

Tahiri në fillim të fjalës së tij theksoi se ky raport nuk është dokument i opozitës apo i ndonjë partie politike, por një vlerësim institucional i progresit të Kosovës.

Ai ka thënë se përballëgjetjeve, Qeveria duhet të reflektojë dhe të marrë përgjegjësi, në vend që të merret me arsyetime dhe propagandë.

“Raporti i Komisionit Evropian nuk është dokument i opozitës, i PDK-së, LDK-së e Aleancës. Nuk është shkruar për t’i shërbyer interesit të asnjë partie politike. Është vlerësim institucional i progresit të Republikës së Kosovës dhe për këtë arsye duhet lexuar me seriozitet e përgjegjësi.

Kur institucionet evropiane evidentojnë mangësi në demokraci, drejtësi, ekonomi dhe funksionimin e institucioneve, përgjigja e një qeverie serioze nuk duhet të jetë arsyetimi e propaganda, por reflektimi dhe përgjegjësia. Në këtë raport ka konstatime që duhet të na shqetësojnë secilin prej nesh.

Komisioni Evropian evidenton paralizën e zgjatur institucionale, dobësimin e mekanizmave të kontrollit dhe mbikëqyrjen shumë të kufizuar të ekzekutivit. Këto s’janë vetëm vërejtje teknike, por paralajmërime për demokracinë tonë.

Një qeveri mund t’i ketë votat për të marrë vendime, por kjo nuk i jep të drejtë ta trajtojë shtetin si pronë politike. Opozita nuk është pengesë për demokracinë. Kosova s’ka nevojë për institucione që i shërbejnë pushtetit”, ka deklaruar Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat