Lushaku-Sadriu: Papërgjegjësia e Qeverisë po u kushton qytetarëve në koston e jetesës
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, në seancën e jashtëzakonshme për Raportin e Progresit, ka renditur gjetjet shqetësuese për Kosovën, duke kritikuar Qeverinë Kurti për gjendjen në plot sektorë.
Ajo ka thënë se konstatimet e raportit kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në rritjen e kostos së jetesës, për shkak të papërgjegjësisë së ekzekutivit.
“Është fatale që ky raport edhe një herë e vërteton gjendjen alarmante në fushën e energjisë, në fushën e mosinvestimit të transportit dhe qasjes joserioze sa i përket përmirësimit – e krejt këto i kushtojnë qytetarëve tanë në koston e jetesës, e rrisin koston e jetesës për shkak të papërgjegjësisë së kësaj qeverie. Të gjitha këto ndikojnë edhe në shëndetin dhe mirëqenien e familjeve tona”, ka deklaruar ajo.
Në emër të LDK-së, Lushaku-Sadriu ka kërkuar që diskutimi në Kuvend të mos mbetet vetëm në nivel debati siç është thirrur seanca, por të pasojë me kërkesa konkrete.
Ajo ka kërkuar që Qeveria të raportojë çdo tre muaj në Kuvend për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit, si dhe që brenda 30 ditësh të paraqesë një plan veprimi.
“Ky raport është përgjithësisht me notë jokaluese dhe në emër të LDK-së, kërkoj që të mos përfundojmë vetëm një diskutim, por të dalim me kërkesa konkrete për Qeverinë e Kosovës, e cila duhet t’i raportojë Kuvendit të Kosovës rregullisht, çdo tre muaj, për realizimin e Raportit të Progresit – e brenda 30 ditësh të na paraqesë një plan veprimi, me veprime konkrete se si duhet të përmbushen dhe kush janë përgjegjësit kryesorë”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Gashi: Integrimi evropian mbetet orientimi strategjik i Kosovës
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Liza Gashi, ka folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet Raporti i Progresit i Komisionit Evropian.
Në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së, Gashi falënderoi opozitën për iniciativën e mbajtjes së kësaj seance, duke e cilësuar debatin si një mundësi të mirë për të diskutuar një nga objektivat strategjikë të Republikës së Kosovës - integrimin evropian.
Ajo tha se kjo seancë është gjithashtu mundësi për të prezantuar sukseset dhe përparimin e Kosovës në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.
Gashi theksoi se integrimi evropian mbetet orientim strategjik dhe angazhim i përbashkët, për të cilin, sipas saj, nuk duhet të ketë dallime politike.
“Integrimi evropian mbetet orientimi ynë strategjik dhe angazhim i përbashkët. Nuk besoj se për këtë çështje ka dallime politike”, ka deklaruar ajo.
Kuvendi debaton për Raportin e KE-së
Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme plenare, në të cilën deputetët do të zhvillojnë debat parlamentar lidhur me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026.
Në kuadër të kësaj seance, në rend dite është shqyrtimi i gjetjeve dhe rekomandimeve të paraqitura nga Komisioni Evropian, si dhe diskutimi për mënyrën e adresimit të tyre nga institucionet e Kosovës.
Raporti i Komisionit Evropian vlerëson progresin e vendit në procesin e integrimit evropian, duke evidentuar njëkohësisht sfidat dhe fushat ku kërkohen reforma dhe angazhim më i madh institucional.
Seanca do të mbahet në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, duke filluar nga ora 13:00.