Punëtorët e KEK-ut protestojnë të enjten për paga, sindikata organizon transportin

Aktuale

Punëtorët e KEK-ut protestojnë të enjten për paga, sindikata organizon transportin

Më: 11 nëntor 2026 Në ora: 12:07
Foto nga protesta

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të protestojnë të enjten, më 12 nëntor, për shkak të pakënaqësive me pagat dhe kërkesave të papërmbushura.

Sindikata e Re e KEK-ut ka njoftuar se protesta do të nisë në orën 11:00, ndërsa për pjesëmarrësit do të sigurohet transport i organizuar.

Sipas njoftimit të sindikatës, nisja e autobusëve është paraparë në 2 orare, në orën 10:00 dhe 10:15, ndërsa kthimi është planifikuar për në orën 12:00.

Transporti do të organizohet nga disa lokacione, përfshirë Grabovcin, Mirashin, Obiliqin, Prishtinën, Bardhin, Hajvalinë, Fabrikën Palaj dhe njësi të tjera të KEK-ut.

Sindikata u ka bërë thirrje punëtorëve që t'i bashkohen protestës për realizimin e kërkesave të tyre.

“Bashkë, të bashkuar dhe të vendosur për kërkesat tona!”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

Protesta organizohet në shenjë pakënaqësie me nivelin e pagave dhe mosrealizimin e kërkesave të punëtorëve nga menaxhmenti i KEK-ut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat