“Kosovën e duan jashtë, shovinizmin serb brenda”, Koci godet BE-në pas skandalit në Bruksel

Aktuale

“Kosovën e duan jashtë, shovinizmin serb brenda”, Koci godet BE-në pas skandalit në Bruksel

Nga: A.M. Më: 16 nëntor 2026 Në ora: 10:03
Flamuri i BE-së dhe i Kosovës. Fotografi ilustruese

Analisti Melazim Koci ka reaguar ashpër pas interpretimit të këngës nacionaliste serbe “Oj, Kosovë, Kosovë” nga bendi slloven “Kapobanda”, në një mbrëmje të organizuar në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel. Ai e ka cilësuar këtë veprim si shprehje të shovinizmit serb dhe ka kritikuar ashpër BE-në, duke vënë në pikëpyetje vlerat dhe parimet që ajo pretendon se përfaqëson.

Koci në reagim e tij në Facebook, ka ngritur edhe çështjen e standardeve të dyfishta të Brukselit ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar tolerimin e një kënge me pretendime territoriale ndaj Kosovës si dëshmi të hipokrizisë politike evropiane, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Brukseli i këndon shovenizmit serb!

.....

Kënga me përmbajtje shoveniste serbe "Oj, Kosovë, Kosovë" e interpretuar nga bendi slloven "Kapobanda" në mbrëmjen në kuadër të Forumit të Zgjërimit të BE-së në Bruksel ka për të hapur debat të madh për vlerat që përfaqëson Bashkimi Evropian.

Teksti i kësaj kënge artikulon gjuhë të hapur shoveniste, duke riprodhuar narrativen e pretendimeve historike dhe territoriale serbe ndaj Kosovës.

Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur merret parasysh konteksti në të cilin është interpretuar kjo këngë. Ngjarja është organizuar në prag të Forumit të Zgjërimit të BE-së, ndërsa ditën e dytë janë paraparë të flasin Ursula von der Leyen, Alexander Stub dhe Marta Kos.

Evropa nuk mund te flasë për zgjërim, paqe, dhe pajtim, ndërkohë që në hapësirat e organizimeve të saj normalizohen mesazhe që kontestojnë shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Përmbajtja e këngës:

Nga Kosova zbardh agimi, zbardh një ditë e re.

Graçanica, e tëra në shkëlqim, e pret Vidovdanin!

Oj Kosovë, Kosovë, toka ime e dashur,

Tokë e kalorësve të lavdishëm, Lazarit dhe Milloshit!

Të gjithë trimat nga Serbia, çdo zemër krenare,

E duan dhe puthin tokën e tyre, Gazimestanin, Kosovën!

Oj Kosovë, Kosovë, toka ime e dashur,

Tokë e kalorësve të lavdishëm, Lazarit dhe Miloshit!

E gjithë Serbia thërret: nuk të japim Kosovë!

Ajo gjithmonë ka qenë e jona, ka mbetur nga lashtësia

Oj Kosovë, Kosovë, toka ime e dashur,

Toka e kalorësve të lavdishëm, Lazarit dhe Milloshit!

Pas këtij turpi moral, politik dhe civilizues të BE-së bëhet më e qartë pse Kosova nuk e ka statusin e vendit kandidat, logjika e standardeve të dyfishta - Serbia drejton agresion në Banjskë, por sanksionohet Kosova.

Tash e kemi të qartë pse kishte rezistencë ndaj SHBA-ve për bombardimet e vitit 1999. Pse kishte hezitim për shpalljen e pavarësisë së Kosovës ne vitin 2008. Pse 5 vende të BE-së ende mbajnë qëndrim identik me Beogradin, Moskën dhe Pekinin rreth statusit të Kosovës, ndërsa Brukseli i toleron dhe mirëkupton.

BE i përgjërohet Uashingtonit ta marrë në mbrojtje nga ambiciet perandorake të Moskës, por injoron dhe poshtron krijesën e SHBA-ve në Ballkan (Kosovën).

Turpi, hipokrizia dhe degradimi moral e civilizues nuk janë ndryshe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat