Isni Kilaj del i lirë nga Haga, i vetmi i pafajshëm në rastin e Thaçit

Aktuale

Isni Kilaj del i lirë nga Haga, i vetmi i pafajshëm në rastin e Thaçit

Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 15:22
Isni Kilaj

Isni Kilaj, ish-kryetar i Malishevës, është i vetmi nga pesë të akuzuarit në rastin për pengim të drejtësisë që doli i pafajshëm nga Gjykata Speciale në Hagë.

Gjyqtari i vetëm i çështjes, Christopher Gosnell, e shpalli Kilajn të pafajshëm për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për mosbindje ndaj gjykatës, dy akuzat që i ngarkoheshin në aktakuzë. Gjyqtari urdhëroi që ai të lirohet pas përfundimit të seancës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar që Kilaj të dënohej me tre vjet burgim, njësoj si për Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun.

Sipas përmbledhjes së aktgjykimit, gjykata konstatoi se Hashim Thaçi i kishte zbuluar Kilajt informacione konfidenciale për disa dëshmitarë të Prokurorisë, prandaj për këtë pjesë Thaçi u shpall fajtor. Megjithatë, gjykata nuk gjeti se Kilaj kishte ndihmuar në nxjerrjen e këtyre informacioneve dhe e liroi nga akuzat.

Kilaj, një nga themeluesit e UÇK-së në Malishevë, ish-komandant i njësitit "Lumi" dhe ish-kryetar i PDK-së në këtë komunë, ishte arrestuar në Kosovë në dhjetor të vitit 2024 dhe ishte transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në të njëjtin proces, Hashim Thaçi u dënua me 17 muaj burgim, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu me nga 12 muaj, ndërsa Hajredin Kuçi me një muaj burgim me kusht. Për Smakajn dhe Fazliun, koha e kaluar në paraburgim e mbulon dënimin.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ta ankimojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat