Haxhiu takon Presidenten e Parlamentit Evropian, i kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në BE

Aktuale

Haxhiu takon Presidenten e Parlamentit Evropian, i kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në BE

Nga: A.M. Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 18:38
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë takimit me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në Bruksel.

Haxhiu takon Roberta Metsolën në Bruksel, kërkon angazhim për avancimin e Kosovës drejt BE-së

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në Bruksel, ku po merr pjesë në Konferencën Botërore për e-Parlamentin.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka bërë të ditur se gjatë takimit ka falënderuar Metsolën për ftesën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për Kosovën.

Ajo ka theksuar se në takim ka diskutuar për rrugën evropiane të Kosovës, duke kërkuar angazhimin e Presidentes së Parlamentit Evropian që Këshilli i BE-së ta ftojë Komisionin Evropian të japë mendimin për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Haxhiu ka rikujtuar se në dhjetor bëhen katër vjet nga dorëzimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, duke vënë në pah përafrimin e vendit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, si dhe mbështetjen e madhe të qytetarëve për integrimin evropian.

“Qytetarët tanë janë ndër mbështetësit më të mëdhenj të anëtarësimit në gjithë rajonin. Ata meritojnë të shohin përparim konkret në rrugën drejt BE-së”, ka shkruar Haxhiu.

Në takim, sipas saj, është diskutuar edhe për prioritetet e Kuvendit të Kosovës në procesin e reformave evropiane, forcimin e bashkëpunimit me Parlamentin Evropian përmes Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, si dhe shkëmbimet e drejtpërdrejta ndërmjet deputetëve dhe administratave të dy parlamenteve.

Një tjetër çështje e ngritur nga Haxhiu ishte anëtarësimi i Kuvendit të Kosovës në Unionin Ndërparlamentar (IPU). Ajo ka bërë të ditur se Metsola është zotuar se do të ndihmojë në këtë drejtim.

Në fund të takimit, kryetarja e Kuvendit të Kosovës ka ftuar Presidenten e Parlamentit Evropian për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat