SHBA/Washington: Parada ushtarake më e madhe e Planetit

Amerika

SHBA/Washington: Parada ushtarake më e madhe e Planetit

Nga: Beqir Sina Më: 17 maj 2025 Në ora: 07:35
Foto ilustrim

WASHINGTON DC – Ashtu siç e kishte premtuar në fund të mandatit të tij të parë, Presidenti i 47-të i SHBA-së, Donald J. Trump, do të organizojë për herë të parë në historinë e vendit një paradë ushtarake. Sipas zëdhënëses së Ushtrisë Amerikane, Linh Bui, parada do të mbahet më 14 qershor 2025.

Sipas mediave amerikane, të gjitha detajet e paradës tashmë janë planifikuar dhe organizimi po ecën sipas planit.

Në këtë paradë do të marrin pjesë të gjitha mjetet ushtarake, përfshirë ato më të sofistikuarat: autoblinda, helikopterë dhe avionë bombardues, tanke, automjete të blinduara, mjete për transportimin e raketave, si dhe trupa nga të gjitha degët e ushtrisë amerikane.

Parada në Washington DC pritet të jetë një nga më të mëdhatë dhe më ambiciozet në botë, sipas shtypit amerikan. Ajo është pjesë e festimeve për 250-vjetorin e Ushtrisë Amerikane dhe do të përkojë me 79-vjetorin e lindjes së Presidentit Trump.

Gazetarja e The Washington Post, Olivia George, shkruan se një zëdhënëse e ushtrisë i ka konfirmuar se kostoja e vlerësuar e paradës ushtarake më 14 qershor pritet të jetë mes 25 dhe 45 milionë dollarësh.

Gjithashtu, mijëra ushtarë që do të marrin pjesë do të strehohen në ambiente qeveritare dhe ka të ngjarë të flenë në ndërtesa shtetërore në qendër të qytetit.

Parada do të përfshijë rreth 6,600 ushtarë dhe 580 automjete ushtarake, përfshirë tanke dhe 50 avionë.

“Ne konfirmuam disa nga raportimet tona të mëparshme për nivelin e pajisjeve që do të përfshihen,” tha George për The Washington Post, duke shtuar se avionët luftarakë dhe makineritë e tjera ushtarake do të vijnë nga baza të ndryshme në të gjithë SHBA-në dhe do të vendosen në baza në rajonin e DC-së.

Përgatitjet kanë nisur më shumë se një muaj më parë, dhe trupat janë duke ushtruar për datën 14 qershor.

Ndërkohë, banorët dhe udhëheqësit lokalë kanë shprehur shqetësime për ndikimin që mund të ketë parada në qytet, veçanërisht për mënyrën se si do të duken rrugët pas kalimit të automjeteve të rënda ushtarake.

Një tribunë ceremoniale për presidentin dhe anëtarët e qeverisë amerikane, senatorët, kongresistët, politikanët dhe diplomatët do të vendoset afër një skene të madhe koncerti që do të mbahet pas parakalimit në sheshin Ellipse.

Mbrëmja në zonën e Lincoln Memorial, në National Mall dhe në parkun Lafayette pritet të jetë spektakolare, me fishekzjarrë dhe demonstrime ajrore nga avionë luftarakë dhe sportivë, të cilët do të krijojnë në qiell ngjyrat e flamurit amerikan: të kuqe, blu dhe të bardhë.

Nga ana tjetër, grupe anarkiste dhe të majta, që kundërshtojnë Presidentin Trump, pritet të organizojnë protesta kundër paradës ushtarake. Një nga organizatorët e protestës i tha The Washington Post se detajet janë ende duke u finalizuar, por ata që planifikojnë të kalojnë nëpër rrugët afër itinerarit të paradës kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

“Me siguri do të ketë shumë aktivitete të tjera jashtë perimetrit të paradës,” tha Olivia George. “Pritet të ketë njerëz me ndjenja të ndryshme ndaj kësaj feste.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat