Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës kremtoi 25-Vjetorin

Amerika

Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës kremtoi 25-Vjetorin

Nga: Beqir Sina Më: 8 nëntor 2025 Në ora: 07:27
Speciale nga Detroit (MI), Beqir Sina

Nën vezullimin e ngrohtë të sallës madhështore Imperial House në Troy, Michigan, më 1 nëntor 2025, Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës (ALBTVUSA) shënoi çerek shekulli ekzistencë me një mbrëmje gala që tejkaloi pritshmëritë, duke u kthyer në simbol të unitetit të diasporës.

Ky institucion mediatik, i vetmi shqiptar në Shtetet e Bashkuara me studio bashkëkohore të "fjalës së fundit" të paisjve të televizionit në qytetin Troy, afër Detroitit, lindi në vitin 2000 nga vizioni i Gani Vilës për të lidhur shqiptarët e shpërndarë nëpër kontinentin amerikan me rrënjët kulturore dhe traditës shqiptare.

Fillimisht, transmetimet modeste në platformën Comcast – vetëm disa orë ditore me pajisje bazë si kamera VHS dhe montazh manual u transformuan gradualisht në një rrjet global 24/7. Ku sot, përmes Shqip TV, TV Alba, Tibo, TVALB, aplikacioneve mobile dhe faqes http://www.albtvusa.com,

ALBTVUSA arrin në këto paketa miliona shikues në kohë reale, duke ofruar lajme, reportazhe komunitare, programe edukative për fëmijë dhe promovime biznesi.

Mbi 25 vjet, ky televizion gjithmon sfidues ka kapërcyer sfida financiare të rënda, duke u mbështetur si televizionet amerikane te donacionet dhe reklamat e komunitetit, për të mbetur zë autentik i identitetit të tij.

Misioni qendror, i Televizionit të Shqiptarve të Amerikës i mishëruar në moton “Me ju, për ju”, ka edukuar breza të rinj me gjuhën amtare, ka dokumentuar suksese emigrantësh dhe ka nxitur harmoni ndërfetare, duke e bërë televizionin jo thjesht medium, por familje të zgjeruar transatlantike.

Evoluimi historik i tij vjen nga studio modeste deri te rrjeti Global.

Rrugëtimi filloi siç e ceka në fillim në një dhomë të vogël me dy kamera dhe një redaktor, ku emisionet e para fokusoheshin në lajmet lokale të Detroitit dhe intervista me emigrantë të rinj. Ndërsa, në vitet 2005-2010, zgjerimi në Comcast Channel 90 solli audiencë më të gjerë, me programe ditore nga 8 deri në 10 mbrëma.

Sfidat financiare kulmuan gjatë krizës ekonomike 2008, por mbështetja e sponsorëve si showman Agim Lumani, mundësoi blerjen e pajisjeve digjitale. Nga 2015, integrimi me platforma satelitore si Shqip TV dhe TV Alba shtoi transmetime live nga ngjarje historike, si vizita në Vatikan - Shejtërimi i Nëna Terezes, deri te vizitat, dhe reportazhet në Shqipëri, Kosovë, Mal të zi, Çamëri, Luginën e Preshevës dhe Maqedoni, dhe diasporën shqiptare në SHBA.

Puna e këtij televizioni vijoj me protestat për çështje kombëtare, aktivitete kulturore e artistike, përcjelljen me intervista të vizitave të Presidentve, kryeministrave, ministratve dhe deputetve nga Shqipëria, Kosova e trojet shqiptare, tubimet masive shqiptare në New York, e shtet perreth, Washington, Çikago, Toronto, Dallas e tjer.

Pandemia e vitit 2020 përshpejtoi digjitalizimin, thotë pronari i këtij televizioni i cili gjithëçka e ka "mbi shpatullat " e familjes së tij, aplikacionet Apple dhe Android u lansuan brenda muajsh, duke lejuar shikues nga Florida apo Kalifornia, deri në Çikago e Toronto, që shqiptarët të ndjekin emisione në smart TV.

Sot, arkivi dixhital i ALBTVUSA përmban mijëra orë material, reportazhe nga festa e Pavarësisë, intervista me liderë botërorë si edhe kandidatë për presidentë amerikanë, senator e kongresist, zyrtar të lart, njerëz të suksesshëm që përmendin kontributin shqiptar, dhe lider të komunitetit, me qindra dokumentarë për heroinj e figura historike kombëtare.

Ky evoluim pasqyron rezistencën shqiptare nga mjetet informative bazë te platformës multimediale që edukon fëmijët e diasporës me abetare shqipe dhe histori kombëtare, duke parandaluar asimilimin kulturor.

Mbi 600 pjesëmarrës, në një sallë

lokali i njohur Imperial House, që ka pritur evente madhështore shqiptare në Michigan, duke formuar një mozaik të gjithë përfaqësuar në diasporë, tregoi se Televizioni i Shqiptarve të Amerikës është shndërruar në një oaz të identiteti tonë kombëtar.

Flamuj kuq e zi të ndërthurur me Stars and Stripes vareshin në çdo cep, të sallës që tregonin simbol të integrimit të suksesshëm në shoqërinë amerikane. Në tavolina, ishin vendosur broshura elegante me shqiponjë dykrenore dhe mbishkrimin “25 Vjet ALBTVUSA” , që shoqëroheshin nga ekranet gjigante LED që të cilat emëtonin sekuenca arkivore.

Në para/hyrje ku mbahej edhe një koktel ishin dy artiste që luanin muzikë tradicionale nga violinçela dhe piano duke krijuar një sfond klasik gjatë hyrjes, ku mysafirët mund të pozonin në sete fotografike profesionale.

Pjesëmarrja masive e shqiptarve nga Michigani (si vendalit), ata që kishin udhëtuar nga Florida, Kalifornia, New York, Chicago, Teksas, Arizona, Uashington DC, Filadelfia, Kënektikat, Karolina e Veriut dhe madje Kanadaja formuan një mozaik të vërtetë gjithë/shqiptarë.

Udhëheqësit fetarë shqiptar, përfaqësuan harmoni ndërfetare: Dom Fred Kalaj (Kisha Katolike Shën Pali), Imam Shuaip Gërguri (Xhamia Shqiptare), Baba Eliton Pashaj (Teqeja Bektashiane), At Eugene Shkurti (Kisha Ortodokse Shqiptare) të gjithë janë kontribues në zhvillim komunitar.

Federata Panshqiptare Vatra u përfaqësua nga Dr. Elmi Berisha (kryetar), Alfons Grishaj (nënkryetar), Dr. Pashko Camaj (sekretar) si dhe kryeredaktori i Diellit, dhe drejtues degësh si Efi Qeleshi (Boston), Juljan Qefa dhe Mondi Rakaj (Michigan) duke bërë veprimtarinë, edhe më prestigjoze.

Shoqata të tjera atdhetare e bënë edhe më dinjitoze këtë mbrëmje në Imperial House të cilat erdhën nga shtet të tjera si : Bijtë e Shqipes (Filadelfia), Qendra Ballkanike në Michigan, Malësia e Madhe, Fondi Humanitar Rapsha, Koja, Jehona e Malësisë, Kosova, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Beso te Diaspora e tjer.

Mysafirë specialë të kësaj feste ishte kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu, sponsori gjeneral Agim Lumani (pronar Form G.Tech), kandidatët për Kongres Robert Lulgjuraj (prokuror) dhe Senat Renis Nushaj (avokat), botuesit Ramiz Tafilaj (Gazeta e Alpeve) dhe Vehbi Bajrami (botues i gazetës Illyria, ish-drejtues i Zërit të Amerikës, autor i librit voluminoz “Shqiptarët e Amerikës”).

Themeluesi dhe Drejtori i këtij televizioni Gani Vila, kryeredaktorja Valentina Vila dhe stafi i ALBTVUSA, duke përfshirë kryeredaktorin, gazetarët, kameramanët dhe montazhistët, ofruan mirëseardhje të ngroht , ndërsa merrnin intervista të shkurtra si një “kartolin” me përshëndetje emocionale, duke krijuar atë bashkimin që krijoi një ndjesi familjare, ku biseda nga distanca të afërta e të largëta forconin lidhjen shqiptaro-amerikane.

Program jubilar i 25 vjetorit të ALBTVUSA, ritëm emocional dhe reflektim:

Nën drejtim organizativ të aktivistit dhe artisit të komunitetit Fran Gjoka, i njohur për evente komunitare spektakolare, mbrëmja rrjedhi si një valle e koordinuar dhe dinamike. Instalacionet me motive tradicionale që ndërthureshin me projektime video në mure, duke krijuar ambient impersiv.

Moderatoret Brikena Hoxhalli (gazetare profesioniste) dhe Armela Gjoka (prezantuese energjike) hapën me elegancë mbrëmjen e 25-vjetorit të Televizionit të Shqiptarve të Amerikës. Hoxhalli ishte ajo që interpretoi monolog poetik: “Nëpërmjet rreshtave letrare dhe metaforave, që të shtyj publikun drejt reflektimit.

"Një artist i huaj më pyeti për vargjet më të ndjera shqip, dhe unë citova" tha ajo : ‘Shqipëri o nëna ime, ndonëse jam e mërguar, dashurinë tënde zemra kurrë s’e ka harruar’.” Kjo thirrje për dashuri atdhetare dhe "revoltë" shpirtërore ishte bashkimi që elektrizoi sallën.

Armela Gjoka - shtoi: “ALBTVUSA është shtëpia jonë e dytë, që na rikthen te aromat e bukës së freskët dhe tingujt amtare, duke na bërë më pak të vetmuar në këtë kontinent të madh.”

Dokumentari 13-minutësh, narratuar me një zë të veçant nga Valentina Vila, kronologjizoi udhëtimin 25 vjeçar nga ideja fillestare e vitit 2000, nga ajo sfida financiare, transmetimet live nga ngjarje globale, intervista me liderë, promovime biznesi, reportazhe komunitare, e deri te inserte arkivore nga studioja bazë te rrjeti modern , duke shndërruar festën në një homazh historik.

Mesazhe uniteti erdhën nga liderit fetarë të cilët vlerësuan rolin në ruajtjen e traditës e tolerancës. Kreu i vatranve në SHBA, zoti Elmi Berisha e quajti këtë televizion një vazhdim të misionit Vatra-Dielli në diasporë.

Kryebashkjaku i qytetit të Lezhës Pjerin Ndreu, nënvizoi mbështetjen e diasporës për Shqipërinë, Kosovën e trojet etnike.Filantropi Agim Lumani ftoi bashkëpunim gjithë komunitar. Ndërsa, themeluesi dhe pronari, - drejtori i këtij televizioni zoti Gani Vila, nuk i rezistoi dotë anës emocionale të fjalimit.

Ai falenderoi me këtë rast stafin : Rafael Floqi, Ilir Myftari, Astrit Kalibaqi, Beqir Sina, Agim Blloshmi, Kastriot Vila, Gjokë Dukaj, Dijana Dukaj, Jola Rexho, Lidia Balaj, Kolë Vasili, Fation Bobrati e bashkëpunëtorët të tjerë, familjen e tij, institucionet fetare, Vatrën, shoqatat, intelektualët, artistët dhe filantropin e madh në Miçigan Agim Lumani për ndihmë pa interesa.

Po ashtu zoti Vila premtoi programe të pasura për çdo moshë në dekadën e tretë, duke inkurajuar mbështetje përmes reklamave dhe kritikave konstruktive.

Ai në emër të televizionit ALBTVUSA , pranojë nderime dhe Proklamata Zyrtare nga Dhoma e Përfaqësuesve të Michiganit, proklamata për kontribut mediatik.

Ndërsa, ndau nga ALBTVUSA Çmimin “Thank You” si simbol mirënjohjeje për kontribuesit, për: Edward Turfe, Agim Lumani, Fran Gjoka, Anila Niklos Coniku, Alfons Grishaj, Pjetër Stanaj, Peti Gjeto Camaj, Mynyr Nazifi, Ekrem Bardha.

Me Certifikata Mirënjohje u nderuan :, Elidon Haxhia, Gjok Gojçaj e të tjerë.

Kurse, Ramiz Tafilaj - ndau çmimin “Zëri i Kombit” për Gani Vilën dhe “Pjeter Bogdani” për Fran Gjokën.

Diskutimi për projektin e filmit disa milion dollar për Skënderbeun në Hollivud nxitën entuziazëm tek të pranishmit.

Performanca artistike dhe festë e dinamike

Skena u ndez nga dalja né korë e të këngëtarve : Aleksandër Gjelaj (epike), Artur Matia( me shkodranet)Dorina Tiko (balada), Përparim Mefaja (moderne), Albina Ndreaji , Kim Vojkollari, Gerona Hyska (këngë e valle), Sali Malaj (iso-polifoni), Misi Gojçaj (malësore), Alberije Hadergjonaj me këngët më të mira të saj, Behar Neli (fyell melodi matjane) duke vazhduar me këngë e valle që nuk pushuan për orë të tëra, duke kulmuar në një festë shqiptare autentike.

Mbrëmja e njëzetepesë vjetorit të Televizionit të Shqiptarve të Amerikës u mbyllë duke treguar edhe vizionin për të ardhmen, të këtij tekevizioni ku suksesi i ALBTVUSA është sukses kolektiv me urimin :

Gëzuar 25-vjetorin –Me ju, për ju!

Image
Pamje nga kremtimi
Image
Pamje nga kremtimi
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat