Piktura e Edi Ramës me vlerë artistike - Bota Sot
Piktura e Edi Ramës me vlerë artistike

Art

Piktura e Edi Ramës me vlerë artistike

Nga: Ilir Muharremi Më: 16 maj 2020 Në ora: 21:24
Edi Rama

Unë nuk jam më Edin me asnjë politkan, as në Kosovë e as në Shqipëri. Jam kritik i artit. Kur e shikova pikturën e Edi Ramës “Pikëllimi i netëve kosovare” ndikoi thellë në shpirtin tim.

Artisti politikan ndoshta do t’i bënte mirë politikës, ndërsa politikani artist do t’i bënte dëm artit. I pari do ta stolisë politikën me hijeshi, me ngjyra, estetikë, intensitet të lartë që japin përjetime dhe ndjesi që deprton thellë në shpirtin e secilit derisa i dyti rrënjësisht do ta shkund dhe dobëson artin me gënjshtra, mashtrime, vulgarizma. Komunikimi ëngjëllor do të zëvendësohej me atë djallëzor. Edhe te i pari jemi skeptik ngaqë braktisë artin-sinqeritetin për t’u bërë politikan shkatërrues sepse atë që e ndërtojnë artistët , politikanët me një të rënë të lapsit e shkatërrojnë.

Kryeministri i tanishëm i Shqipërisë Edi Rama ishte artist, por a duhet të mbaj atë anën artistike, apo të mburret me atë se ishte artist dhe do të mbetet artist. A është artist? Nga imazhi duket si artist e në veprimtari mungojnë krijimet e vazhdueshme. Marrim këtu një pikturë të Ramës me titull “Pikëllimi i netëve kosovare”. Ishte 25 vjeçar kur e krijoji këtë vepër. Kjo pikturë ka qenë pjesë e ekspozitës së 45-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë dhe mësojmë se mes pikturave më të mira është zgjedhur në vitin 1989 kjo vepër kushtuar dramës kosovare.

Image

Vepra është e një natyre kubiste në të cilën dominojnë portrete shkëmbore malësoresh dhe duken shumë të gjalla të bëjnë të ndjesh pulsin e vërshimeve pasionuese të prekshme. Është e pasqyruar me ngjyra kafe, dikund edhe e kuqe e përzier e shkrirë në tonalitete të shoqëruara me oker. Thuhet se piktura rrëfen problemin e vrasjes dhe çastin e varrimit të Jusuf Gërvallës (1945-1982). Dikund mund të gjejmë se bëhet fjalë për vrasjen e Bajram Currit, ndonëse mund të asocojë me kostumet e personazheve që identifikojnë kohën. Në art shpesh përdoret përveç ngjyrës dhe formës edhe simbolika. Petku i veshjes kombëtare te heroi mund të përdoret si simbol atdhetarizmi dhe patriotizmi. Kjo vërshohet në artin modern pra lëvizja në kohë me anë të veshjes.

Tema në pikturë është shumë e prekshme duke krijuar ura të shpirtit dhe ndjenjës e që lëviz botën tonë të brendshme pavarësisht në cilen kohë ajo vështrohet. Figurat janë të renditura në një kompozicion horizontal, një grup malësorësh të veshur me kosutme tradicionale e që në krahë dhe në duar mbajnë pushkët. Nga tërësia kompozcioni merr pamjen vertikale. Në pjesën e poshtme të pikturës qëndron i shtrirë heroi i cili është i vrarë sepse mbi të janë njolla gjaku. Nëse gjurmojmë më thellë në pikturë mund të gjejmë edhe Azem Galicën. Piktura më mirë do ta mbarte emrin “Epikë Kosovare” se sa “Pikëllim i netëve kosovare”. Aty mungon pikëllimi, ndjesia e pikëllimit për ta lëvizur universin tonë të brendshëm, t’i zgjoj shpërthimet galaktike. Këtu unë shohë njerëz të qëndrueshëm, burra trima që nuk duan ta dinë për pikëllimin, vuajtjen dhe brengën.

Pastaj sodis shkëmbinj të konfigurar me frymën kubiste të Zhorzh Brak. Unë shohë qëndresë promethiane si produkt të heroizimit që krijohet përtej simbolikës. Thelbi i veprës shkon me tej epikës pra te tragjedia.

Ku mund ta shohim këtu pikëllimin dhe a është qëllimi i shpërfaqjes së pikëllimit? Te vrasja e pastaj te varimi dhe ja vdekja shfaqet në pikturë si siluetë pikëllimi dhe lotë, por vdekjen Rama e ngritë mbi historinë sepse vdekja këtu shënon historinë e jo pikëllimi. Me vrasje figura hyn në histori.

Guximi i Ramës është se piktura e tejkalon kohën nuk i respekton kriteret e realizmit socialist, ngritët mbi kubizmin e Pikasos. E bukura e saj është drita mbi elemenetet kubike veçanërisht te pjesa e shkëmbinjëve e që përplaset te shpella malore e cila qëndron si arkitekturë në pikturë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat