Armand Duplantis ka dhënë një intervistë mjaft interesante për “Gazzetta dello Sport”, ku bën një përmbledhje të karrierës dhe objektivave të tij.
Kërcyesi suedez me shkop, i pamposhtur që nga korriku i vitit 2023, me plot 41 fitore radhazi, vjen pas një viti perfekt, gjatë të cilit fitoi dy tituj botërorë (në sallë dhe në natyrë) dhe theu katër rekorde botërore, duke kapërcyer shiritin mbi 6,30 metra.
Pavarësisht këtyre arritjeve, “Mondo”, nofkë që, sipas tij, ia ka vendosur një mik siçilian i babait, beson se ka ende një hapësirë të madhe për përmirësim:
“Qëllimi është t’i shtyjmë kufijtë gradualisht. Arritja e tyre është kënaqësi e madhe, por kurrë nuk kam ëndërruar se do të shkoja kaq larg.
Nëse qëndroj i shëndetshëm dhe përfitoj nga kushtet e favorshme, mund të arrij 6,40 metra. Është brenda mundësive të mia dhe është objektivi i karrierës sime”.
Atleti nordik, i lindur në Shtetet e Bashkuara, mendon se për këtë do t’i nevojiten disa faktorë, përfshirë edhe një përparim teknologjik, ashtu si në disiplina të tjera të atletikës:
“Ne përdorim të njëjtat materiale që nga vitet 1980. Ndryshe nga specialitete të tjera, këtu materialet kanë mbetur pothuajse të pandryshuara.
Do të doja që të kishte pasur më shumë progres…”.
Ai shton se përmirësimi vjen edhe nga “aftësia për të përdorur shkopinj më të fortë dhe më fleksibël, me kapje më të larta, si dhe një shpejtësi më të madhe afrimi për të shndërruar energjinë e prodhuar në momentin e shkëputjes”.
Duplantis është i bindur se ka ende çfarë të përmirësojë: “Kërcimi perfekt? Nuk e kam bërë kurrë dhe nuk besoj se do ta bëj.
Gjithmonë do të ketë një detaj që mund të përmirësohet. Nuk jam aspak perfeksionist nga natyra. Jam më shumë një konkurrues”.
Vetëm 26 vjeç dhe me një karrierë të shkëlqyer, ai nuk mendon ende për tërheqjen: “Do të vazhdoj për aq kohë sa të argëtohem dhe trupi të ma lejojë.
Le të themi se do të doja të tërhiqesha pasi të kisha fituar edhe dy medalje të tjera të arta olimpike, të paktën dy”.
Si ambasador i madh i disiplinës së tij, ai mendon edhe për të ardhmen e sportit:
“Do të doja që kërcimi me shkop të bëhej gjithnjë e më popullor. Për këtë arsye do të më pëlqente të garoja në Afrikë ose Amerikën Latine, ku kam marrë pjesë vetëm një herë, në Kampionatin Botëror për të Rinj në Kolumbi në vitin 2015”. Duplantis nuk kursen lëvdatat për hedhësin grek Emmanuil Karalis, i cili në vitin 2025 arriti 6,08 metra:
“Manolo dhe unë jemi miq prej rreth dhjetë vitesh. Ai vjen pas një sezoni të shkëlqyer, ndoshta më i miri i karrierës së tij.
Më ka sfiduar shpesh dhe jam i sigurt se do të vazhdojë të përmirësohet. Është një rival i denjë”. Në intervistë, Duplantis zbulon gjithashtu se planifikon të martohet së shpejti me të dashurën e tij Desire dhe se do të vazhdojë karrierën e tij muzikore në rritje:
“Së shpejti, pas suksesit të ‘Bop’, kënga ime e parë, do të publikoj edhe këngë të tjera që i kam tashmë të regjistruara. Kam dhjetëra gati.
Është diçka që më pëlqen dhe më ndihmon të shkëputem nga atletika”. Në fund, suedezi zbulon edhe pasionin e tij tjetër sportiv: “Kohët e fundit, tenisi: ndeshjet mes Alkarazit dhe Sinerit më kanë magjepsur”, përfundon Duplantis.