Ndeshja e shumëpritur mes Tyson Furyt dhe Anthony Joshuas, e cila është planifikuar të zhvillohet më 11 dhjetor në Cardiff të Uellsit, mund të mos realizohet sipas planit, pasi gjendja shëndetësore e ish-kampionit të botës në boks ka vënë në lëvizje autoritetet britanike të këtij sporti.
Fury së fundmi ka zbuluar se është diagnostikuar me skizofreni dhe çrregullim bipolar, duke folur hapur për problemet e tij me shëndetin mendor në një dokumentar të ri të publikuar në Netflix. Këto deklarata kanë ngritur pikëpyetje rreth aftësisë së tij për të vazhduar karrierën në boks dhe, në veçanti, për të zhvilluar përballjen e madhe me Joshuan.
Sipas mediumit spanjoll “Marca”, duke iu referuar “Daily Mail”, Bordi Britanik i Kontrollit të Boksit (BBBofC) është duke shqyrtuar raportet mjekësore të boksierit britanik, përpara se të marrë vendim nëse do ta autorizojë atë të ngjitet në ring për duelin që pritet të ketë një fond shpërblyes prej 150 milionë dollarësh.
Sekretari i përgjithshëm i këtij bordi, Robert Smith, ka bërë të qartë se siguria shëndetësore e Furyt do të jetë vendimtare për lejimin e tij në këtë përballje.
“Tyson nuk do të lejohet të hyjë në ring nëse mjekët tanë nuk janë të bindur se nuk ka rrezik për shëndetin e tij. Ne po shqyrtojmë të gjithë informacionin në lidhje me gjendjen e tij mendore dhe do të marrim një vendim për autorizimin e ndeshjes në ditët në vijim”, ka deklaruar Smith.
Fury ka treguar se problemet me shëndetin mendor datojnë prej më shumë se një dekade. Ai kishte zbuluar se ishte diagnostikuar me skizofreni menjëherë pas fitores ndaj Wladimir Klitschkos në vitin 2015, kur fitoi titujt botërorë në peshat e rënda.
Përballja e planifikuar e revanshit ndaj Klitschkos nuk u zhvillua asnjëherë, pasi Fury u shpall i papërshtatshëm nga ana mjekësore për të boksuar dhe njoftoi se nuk do të ishte i gatshëm të kthehej në ring në të ardhmen e afërt. Në atë periudhë, ai gjithashtu rezultoi pozitiv për kokainë në një kontroll antidoping të Agjencisë Botërore Antidoping (WADA), ndërsa më vonë pranoi publikisht se kishte pasur probleme me shëndetin mendor dhe varësitë.
Në dokumentarin e ri, boksieri britanik ka rrëfyer për periudhën e vështirë nëpër të cilën kaloi, duke përshkruar gjendjen e tij psikologjike dhe frikën se nuk do të arrinte të dilte nga ajo situatë.
“Nuk ka fjalë për të përshkruar errësirën në të cilën ndodhesha. Ishte si versioni real i thellësive të ferrit”, ka rrëfyer Fury, duke treguar se në atë periudhë ishte i bindur se do të përfundonte i izoluar në një institucion psikiatrik.
Ai ka zbuluar gjithashtu se në vitin 2016 kishte përjetuar një sulm ankthi, për çka ishte dërguar në spital. Më pas kishte kërkuar ndihmë te një psikiatër në Londër, ku iu nënshtrua disa testeve dhe vlerësimeve mjekësore.
Sipas rrëfimit të tij, rezultatet kishin konfirmuar disa probleme, përfshirë depresionin, ankthin dhe çrregullimin bipolar.
Pavarësisht vështirësive të mëdha personale, Fury arriti të rikthehej në boks dhe të bëhej njëri prej emrave më të rëndësishëm të peshave të rënda në dekadat e fundit. Megjithatë, tashmë vëmendja është përqendruar te vendimi i autoriteteve britanike, të cilat duhet të vlerësojnë nëse ai është në gjendje të garojë në mënyrë të sigurt.
Kështu, dueli me Anthony Joshuan, për të cilin është folur prej vitesh dhe që më në fund është planifikuar të zhvillohet më 11 dhjetor në stadiumin Principality të Cardiffit, mbetet nën pikëpyetje deri në përfundimin e vlerësimit mjekësor.