LIVE: Trump në Holandë për samitin e NATO-s, armëpushimi Izrael-Iran duket se po respektohet

Bota

LIVE: Trump në Holandë për samitin e NATO-s, armëpushimi Izrael-Iran duket se po respektohet

Nga: Bota sot Më: 13 qershor 2025 Në ora: 07:17 Përditësuar në ora: 21:38 më 13.06.2025
Presidenti Donald Trump

Izraelitët tani mund të largohen nga strehimoret, thonë autoritetet izraelite

Civilët izraelitë tani mund të largohen nga strehimoret e tyre, por duhet të qëndrojnë afër, tha sonte Komanda e Brendshme e Izraelit pas sulmeve të fundit të Iranit ndaj qendrave të populluara.

Një municion iranian i kapur nga Izraeli ka rënë në Distriktin Verior të vendit të premten në mbrëmje sipas kohës lokale, sipas zëdhënësit të policisë së Izraelit.

"Në këtë fazë, nuk ka raportime për lëndime, por janë raportuar dëme materiale," tha zëdhënësi, raporton CNN.

Zjarrfikësit në Distriktin Verior po punojnë në dy incidente në zona të hapura si rezultat i sulmeve iraniane, tha shërbimi lokal i zjarrfikësve dhe shpëtimit.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se Irani “kapërceu vijat e kuqe” duke qëlluar raketa në qendrat e popullsisë civile dhe u zotua se do të paguajë një “çmim shumë të lartë”.

Policia izraelite ndërkohë i ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin vendet ku kanë rënë raketa balistike iraniane, raporton KosovaPress.

“Njësitë e përforcuara dhe të trajnuara mirë të Policisë Izraelite, duke përfshirë ekipet taktike, skuadrat e reagimit ndaj emergjencave dhe vullnetarët janë vendosur plotësisht në të gjithë vendin. Këto ekipe do të mbërrijnë shpejt në çdo vendngjarje, do të sigurojnë zonën dhe do t'u mundësojnë ekspertëve të asgjësimit të bombave të neutralizojnë kërcënimet gjatë kryerjes së operacioneve të shpëtimit sipas nevojës”, tha Njësia e Zëdhënësit të Policisë së Izraelit në një deklaratë.

“Policia e Izraelit u bën thirrje të gjithë qytetarëve të shmangin grumbullimet në ose afër vendeve të përplasjes, me qëllim parandalimin e dëmeve të panevojshme ose rrezikut për jetën”, tha ajo.

Irani do të paguajë shtrenjtë sulmin ndaj qendrave të populluara, thotë një zyrtar izraelit

Një zyrtar izraelit tha për CNN se "Irani do të paguajë një çmim të lartë për sulmin ndaj qendrave të populluara".

Komenti vjen pasi Irani qëlloi "qindra raketa të ndryshme balistike" drejt Izraelit, në atë që Teherani e quajti fillimin e "përgjigjes shkatërruese" ndaj sulmeve izraelite ndaj vendit të premten në mëngjes.

Shpërthime të mëdha janë dëgjuar në Tel Aviv, Izrael, sipas ekipit të CNN në terren.

Kjo vjen pasi ushtria izraelite thotë se ka identifikuar raketa që vijnë të lëshuara nga Irani drejt Izraelit, raporton KosovaPress.

Irani fillon sulmet ndaj Izraelit

Sirenat e sulmeve ajrore kanë rënë në Tel-Aviv mbrëmjen e së premtes, duke ngjallur frikë dhe pasiguri mes qytetarëve.

Sipas raportimeve zyrtare, Irani ka lëshuar një breshëri raketash drejt territorit izraelit, në një hakmarrje të paralajmëruar për sulmet ajrore të fundit që Izraeli kreu në objektet strategjike dhe bërthamore iraniane.

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) janë në gjendje të plotë gatishmërie. I gjithë Izraeli është nën zjarr”, thuhet në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, ku theksohet se dhjetëra raketa janë zbuluar duke u afruar në drejtim të territorit izraelit.

Image
Pamje nga sulmet

Të paktën një shpërthim i largët është dëgjuar në Tel-Aviv, sipas mediave lokale, ndërsa Komanda e Frontit të Brendshëm ka urdhëruar qytetarët të zhvendosen menjëherë në strehimore. Paralajmërimi për sulm është aktiv për të gjithë vendin, çka nënvizon seriozitetin dhe shtrirjen e gjerë të kërcënimit.

Media shtetërore iraniane IRNA ka konfirmuar nisjen e sulmit, duke e cilësuar këtë si “fillimin e hakmarrjes ndaj agresioneve izraelite”. Sulmet vijnë vetëm disa orë pasi Irani raportoi shpërthime pranë kompleksit bërthamor Fordo dhe goditje të rënda ajrore në zonat e Teheranit dhe Karajit.

Televizioni izraelit Channel 13 ka raportuar se raketat pritet të godasin objektiva brenda dhjetë minutash, duke lënë pak kohë për reagim taktik.

Ndërkohë, SHBA ka rritur praninë ushtarake në rajon, duke dislokuar avionë luftarakë dhe anije luftarake për të mbrojtur instalimet dhe trupat amerikane në Lindjen e Mesme.

Tensionet janë në pikën më të nxehtë të dekadës së fundit, me komunitetin ndërkombëtar që shpreh shqetësim për përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit në një luftë të hapur rajonale.

Mediat iraniane: Raketat izraelite u interceptuan mbi qytetin Tabriz

Zhvillime tëreja mes Iranit dhe Izraelit.

Raketa izraelite u interceptuan mbi qytetin e Tabrizit në Iranin veriperëndimor të premten në mbrëmje, sipas medias shtetërore iraniane Press TV, raporton CNN, përcjell kp.

Irani ka kryer sulme ndaj "dhjetëra objektivave, qendrave ushtarake dhe bazave ajrore", që i përkasin Izraelit, tha Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike në një deklaratë.

Ai tha se operacioni u quajt "Premtimi i vërtetë 3" dhe se detaje të mëtejshme do të publikohen.

​7 të plagosur pas sulmit iranian, thonë shërbimet e emergjencës së Izraelit

Shtatë persona janë të plagosur lehtë dhe mesatarisht pas një sulmi iranian që goditi kufirin e Tel Avivit dhe qytetin Ramat Gan në Izrael, sipas Eli Bin, kreut të Magen David Adom, shërbimeve të emergjencës së Izraelit.

Sulmet hakmarrëse të Iranit kanë tronditur ndërtesat në Izrael, sipas ish-ambasadorit izraelit Michael Oren, i cili thotë se ai dhe familja e tij tani janë në një "dhomë të sigurt".

“Ndërtesa u drodh jo pak minuta më parë”, tha ish-ambasadori izraelit në Shtetet e Bashkuara për CNN të premten.

Irani qëlloi “qindra raketa të ndryshme balistike” drejt Izraelit, në atë që Teherani e quajti fillimin e “përgjigjes shkatërruese” ndaj sulmeve izraelite të premten në mëngjes, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Iranit, IRNA.

Oren tha se mori paralajmërime në telefonin e tij celular përpara sulmeve për të “na thënë saktësisht, e dini, çfarë të presim dhe ku të shkojmë kur të vijë ajo që pritet”.

“Dhe ajo që pritet mbërriti”, shtoi ai.

Ai theksoi efektivitetin e Kupolës së Hekurt të Izraelit në shmangien e disa prej raketave të Iranit.

“Nëse Irani ka qëlluar 100 raketa drejt nesh dhe pesë deri në shtatë kanë goditur, kjo është normale”, tha Oren.

Izraeli sulmon objektet bërthamore e ushtarake të Iranit, Teherani hakmerret me sulm me dronë

Izraeli ka vazhduar sulmet ndaj Iranit dhe në valën e re të sulmeve janë shënjestruar Teherani, Komi, Karaxhi, raportoi televizioni izraelit Channel 13 të premten.

Uzina për pasurimin e uraniumit Fordov gjendet në periferi të Komit, por ende nuk ka konfirmim nëse kjo ndërtesë bërthamore është sulmuar, tha ky televizion.

Sipas reporterëve izraelitë, qëllimi është që të vazhdohen sulmet ndaj bazave ushtarake iraniane, në mënyrë që të shkatërrohen raketat dhe që Iranit të privohet nga çdo aftësi ushtarake për një kundërsulm ndaj Izraelit.

Izraeli nisi sulmet mëngjesin e së premtes, duke shënjestruar objektet bërthamore iraniane dhe në pjesë të tjera në të gjithë Iranin, duke i vrarë gjeneralë e zyrtarë të lartë ushtarakë, dhe duke e rritur mundësinë për një luftë të përgjithshme midis dy vendeve rivale në Lindjen e Mesme.

Irani u përgjigj valës së parë të sulmeve, duke i lëshuar dhjetëra dronë dhe raketa ndaj objekteve izraelite. Ushtria e Jordanisë tha se ka rrëzuar disa prej tyre në hapësirën e vet ajrore.

Ndër objektet e goditura në Iran ishte edhe një komandë e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e IRGC-së, gjeneralmajor Hossein Salami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli kreu një operacion ushtarak, synimi i të cilit ishte “frenimi i kërcënimit të Iranit ndaj vetë mbijetesës së Izraelit”.

Ai tha se sulmi “do të vazhdojë derisa të eliminohet ky kërcënim”.

“Ne goditëm në zemër të programit të Iranit për pasurimin bërthamor. Në shënjestër ishin objekti kryesor i pasurimit të uraniumit i Iranit në Natanz... Gjithashtu goditëm në zemër të programit iranian të raketave balistike”, tha ai në një deklaratë me video.

Ushtria izraelite tha se rreth 200 avionë luftarakë morën pjesë në sulmet masive, dhe televizioni izraelit raportoi se agjencia e inteligjencës, Mossad, mund të ketë ngritur një bazë sekrete brenda Iranit si pjesë e këtij operacioni.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli do të përballet me pasoja të rënda për shkak të këtyre sulmeve.

“Me këtë krim, regjimi sionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm dhe do ta marrë atë pa dyshim”, tha Khamenei në një deklaratë.

Njoftimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës për qytetarët e Kosovës në Izrael

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, të premten, ka lëshuar një komunikatë duke këshilluar të gjithë qytetarët e Kosovës që ndodhen aktualisht në Izrael që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në vende të sigurta.

Ky njoftim vjen pas përkeqësimit të situatës së sigurisë në Izrael dhe në rajon.

Ministria u bën thirrje qytetarëve që të ndjekin udhëzimet e Komandës së Mbrojtjes së Brendshme të Izraelit, të cilat mund t’i gjeni në linkun: https://www.oref.org.il/eng

Po ashtu, Ministria njofton se për çdo pyetje apo nevojë për ndihmë, qytetarët mund të kontaktojnë Ambasadën e Republikës së Kosovës në Izrael në numrin: +972 (0) 586 340 450

Objekti bërthamor Natanz në shënjestër të sulmeve

Objekti për pasurimin e uraniumit në Natanz u godit "disa herë", raportoi televizioni shtetëror, duke treguar pamje me tym të dendur që ngrihej nga vendi i ngjarjes.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) konfirmoi se Natanz ishte cak i sulmeve, por tha se nuk ka vërejtur nivele të rritura të rrezatimit në vend. Dy objekte të tjera të lidhura me programin bërthamor iranian – Isfahani dhe Fordov – nuk janë prekur, sipas agjencisë.

Ky imazh satelitor, i ofruar nga Maxar Technologies, tregon impiantin bërthamor të Natanzit në Iran më 24 janar.

Izraeli gjithashtu sulmoi shkencëtarë bërthamorë iranianë “që punonin për zhvillimin e bombës iraniane”, shtoi ai.

Një zyrtar izraelit tha se Izraeli goditi dhjetëra objekte në të gjithë Iranin, duke e rritur mundësinë e një lufte të përgjithshme mes dy vendeve.

Në një deklaratë pas sulmeve, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) pohuan se Irani është "afër arritjes në pikën e pakthyeshme" në përpjekjet e tij për ta zhvilluar një armë bërthamore.

“Regjimi po prodhon mijëra kilogramë uranium të pasuruar, krahas objekteve të shpërndara dhe të fortifikuara për pasurim, në vende nëntokësore të mbrojtura,” thuhej në deklaratë.

Zona të banuara në Teheran dhe në disa qytete të tjera u goditën gjithashtu, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA, e cila raportoi se sulmet shkaktuan vdekjen e disa njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë, në një kompleks banimi në Teheran.

Më vonë gjatë së premtes, televizioni izraelit Channel 13 raportoi për një valë të re sulmesh, që shënjestruan perëndimin e Tehranit, Komin dhe Kraxhin.

Uzina për pasurimin e uraniumit Fordov gjendet në periferi të Komit, por ende nuk ka konfirmim të raportimeve se kjo ndërtesë bërthamore është sulmuar, tha Channel 13.

Sipas reporterëve izraelitë, qëllimi është që të vazhdohen sulmet ndaj bazave ushtarake iraniane, në mënyrë që të shkatërrohen raketat dhe që Iranit të privohet nga çdo aftësi ushtarake për një kundërsulm ndaj Izraelit.

Izraeli tha se Irani nisi rreth 100 dronë drejt tij si hakmarrje, por nuk tregoi nëse kishte goditje të drejtpërdrejta apo dëme.

“Irani nisi afërsisht 100 UAV [dronë] drejt territorit izraelit, të cilët jemi duke u përpjekur t’i kapim”, tha zëdhënësi ushtarak, Effie Defrin, duke shtuar se sulmet e Izraelit ndaj Iranit përfshinë 200 avionë luftarakë që goditën rreth 100 objektiva në të gjithë Iranin.

Disa vende të Lindjes së Mesme mbyllën hapësirën e tyre ajrore, dhe agjencia shtetërore e lajmeve e Jordanisë raportoi se një numër raketash dhe dronësh që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore u rrëzuan.

SHBA-ja, aleati më i ngushtë i Izraelit, mbrojti veprimet izraelite, por deklaroi se Uashingtoni nuk u përfshiri në sulme.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili vetëm disa orë para sulmeve kishte bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike të tensioneve, do të marrë pjesë në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në mëngjesin e së premtes, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Izraeli ndërmori “veprim të njëanshëm kundër Iranit” dhe se Shtetet e Bashkuara nuk janë përfshirë.

Izraeli kishte njoftuar Uashingtonin se besonte se sulmet ishin të nevojshme për vetëmbrojtje, tha Rubio në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë masa për t’i mbrojtur forcat e tyre dhe kanë mbajtur kontakt me partnerët në rajon, tha Rubio, duke paralajmëruar Iranin që të mos ua mësyjë interesave apo personelit amerikan.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, shpalli “gjendje të veçantë” në vend në pritje të një sulmi të mundshëm hakmarrës nga Irani.

“Pas sulmit parandalues nga Shteti i Izraelit kundër Iranit, pritet në një afat të menjëhershëm një sulm me raketa dhe UAV (dronë) kundër Shtetit të Izraelit dhe popullatës së tij civile”, tha Katz në një deklaratë.

Kompania ajrore izraelite, El Al, njoftoi se ka pezulluar të gjitha fluturimet për dhe nga Izraeli, ndërsa media shtetërore iraniane raportoi se Irani ka mbyllur hapësirën ajrore deri në një njoftim të radhës. Edhe Iraku mbylli hapësirën e tij ajrore dhe pezulloi fluturimet në të gjitha aeroportet, sipas mediave shtetërore.

Netanyahu e kishte ngritur mundësinë e sulmeve kundër Iranit në një bisedë telefonike me Trumpin më herët këtë javë, sipas gazetës Wall Street Journal.

Trump tha se i kishte bërë thirrje Netanyahut të përmbahej nga veprime të tilla tani për tani, derisa administrata e tij po negocionte me Iranin për programin bërthamor.

“Përderisa mendoj se ka [mundësi për] marrëveshje, nuk dua që ata të ndërhyjnë, sepse mendoj se do të prishin punë”, tha Trump.

Në rrjetin e tij Truth Social, të enjten vonë, Trump shkroi se Shtetet e Bashkuara ende dëshirojnë të negociojnë me Iranin, megjithëse paralajmëroi gjithashtu se një sulm izraelit ndaj Iranit është i mundshëm.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një zgjidhjeje diplomatike për çështjen bërthamore iraniane! E gjithë administrata ime është udhëzuar të negociojë me Iranin”, tha Trump.

Megjithatë, Trump shtoi se Teherani “duhet fillimisht të heqë dorë plotësisht nga shpresat për të zhvilluar armë bërthamore”.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar bisedime për programin bërthamor iranian, me synimin për të arritur një zgjidhje diplomatike. Rundi i gjashtë i bisedimeve është planifikuar të nisë më 15 qershor në Oman. Irani ka pohuar vazhdimisht se përpjekjet e tij bërthamore janë vetëm për qëllime civile dhe jo ushtarake.

Të enjten, Bordi i Guvernatorëve i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) e miratoi një rezolutë, e cila deklaroi zyrtarisht se Irani i ka shkelur detyrimet e tij për mospërhapjen e armëve bërthamore.

Kjo është hera e parë që nga viti 2005 që kjo agjenci e OKB-së e shpall Iranin si shtet që nuk respekton obligimet bërthamore. Ky vendim është dënuar nga Teherani.

Rezoluta u miratua me 19 vota pro, 3 kundër dhe 11 abstenime në bordin prej 35 anëtarësh. Rezoluta ishte propozuar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë – Britania, Franca dhe Gjermania, të njohura si E3.

Si përgjigje, Ministria e Jashtme e Iranit njoftoi se do të krijohet një objekt i ri për pasurimin e uraniumit në një zonë të sigurt dhe centrifugat e gjeneratës së parë (IR-1) në objektin Fordow do të zëvendësohen me makineri të përparuara të gjeneratës së gjashtë (IR-6).

“Siç e kemi deklaruar më parë, Republika Islamike e Iranit nuk ka tjetër zgjidhje përveçse të përgjigjet ndaj kësaj rezolute politike”, thuhet në një deklaratë të ministrisë./REL

Sulme ajrore në Teheran, aktivizohet mbrojtja ajrore iraniane

Mbrojtja ajrore në të gjithë Iranin është aktivizuar ndërsa sulme të reja ajrore kanë shënjestruar kryeqytetin Teheran të premten në mbrëmje, sipas orës lokale. Mediat shtetërore iraniane kanë raportuar për këtë zhvillim dramatik, duke ndezur alarmin për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit me Izraelin.

Press TV raportoi se raketa u kapën në jug të Teheranit, duke treguar një ndërhyrje të menjëhershme të sistemit mbrojtës të Iranit. Ndërkohë, Transmetuesi i Republikës Islamike të Iranit (IRIB) bëri me dije se zona perëndimore e Teheranit po goditej nga sulme të reja, duke shtuar shqetësimin për shtrirjen e sulmeve. Gjithashtu, IRIB konfirmoi se edhe qyteti Karaj, pranë Teheranit, ishte në shënjestër të sulmeve ajrore.

Këto sulme të fundit vijnë vetëm pak orë pasi Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, paralajmëroi se Izraeli “do të pendohet thellësisht” për agresionin e tij dhe kërkoi një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar “terrorizmin shtetëror” izraelit.

CNN ka kontaktuar ushtrinë izraelite për koment mbi këto sulme, por deri tani nuk ka patur një reagim zyrtar.

Trump u thotë mediave amerikane se sulmi ndaj Iranit ishte “i suksesshëm”

Nga: A.M.

Presidenti amerikan Donald Trump ka folur për mediat amerikane këtë mëngjes dhe ka filluar të lavdërojë sulmin e Izraelit ndaj Iranit, shkruan BBC, transmeton "Bota sot".

Ai i konfirmoi Wall Street Journal se ishte informuar paraprakisht për planet e Izraelit. Kur u pyet për shkallën e kësaj, Trump tha: "nuk ishte një paralajmërim. Ishte, ne e dimë se çfarë po ndodh".

Ai e quajti operacionin "një sulm shumë të suksesshëm, për ta thënë butë".

Në një intervistë të veçantë me ABC News, ai shprehu një ndjenjë të ngjashme, duke i përshkruar sulmet si "të shkëlqyera".

"Ne u dhamë atyre një shans dhe ata nuk e shfrytëzuan", tha ai, duke përsëritur postimin e tij në Truth Social nga herët këtë mëngjes.

"Ata u goditën rëndë, shumë rëndë. Ata u goditën aq fort sa do të goditeni. Dhe ka edhe më shumë për të ardhur. Shumë më tepër."

Një kujtesë: Më parë, Irani akuzoi SHBA-në për mbështetjen e sulmeve të Izraelit në Iran, gjë që Uashingtoni e ka mohuar.

Si arriti Izraeli të depërtojë thellë brenda Iranit

Nga: A.M.

Sulmet në shkallë të gjerë izraelite duket se kishin tre objektiva kryesore:

Dëmtimi i programit bërthamor të Iranit
Degradimi i aftësive mbrojtëse
Dhe vrasja e një pjese të lidershipit ushtarak dhe shkencor

Strategjia, e cila do të kishte vite që po përgatitej, duket e ngjashme me atë që Izraeli zbatoi me sukses kundër Hezbollahut, grupit të mbështetur nga Irani në Liban, i cili u dobësua rëndë në luftën e vitit të kaluar, shkruan BBC, transmeton "Bota sot"

Dhe ashtu siç bëri me Hezbollahun, Izraeli arriti të depërtojë thellë brenda Iranit.

Ai kishte informacion të detajuar dhe të saktë rreth disa prej zyrtarëve dhe shkencëtarëve më të lartë ushtarakë të vendit, ndërsa disa nga sulmet u nisën nga brenda territorit iranian.

Koha e sulmit mund të ketë ardhur si surprizë, por zyrtarët izraelitë kanë ngritur shqetësime për vite me radhë në lidhje me programin bërthamor të Iranit, duke e përshkruar atë si një kërcënim ekzistencial për Izraelin.

Irani ka mohuar vazhdimisht se po kërkon armë dhe thotë se programi i tij është për qëllime paqësore.

Megjithatë, në muajt e fundit, Izraeli foli për një mundësi për të goditur objektet iraniane: mbrojtja ajrore e Iranit ishte dëmtuar nga sulmet izraelite vitin e kaluar dhe përfaqësuesit e saj në rajon, pjesë e asaj që Teherani e quan Boshti i Rezistencës, ishin degraduar, përfshirë Hezbollahun.

Ushtria izraelite thotë se po vazhdon të godasë ‘objektivat’ në Iran

Nga: A.M.

Pak më parë, gazetari i BBC në Jerusalem tha se kishte raportime se sulmet e Izraelit në të gjithë Iranin po vazhdonin si pjesë e 'Operacionit të saj Luani në Ngritje', transmeton "Bota sot".

Tani vjen konfirmim nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit, të cilat thonë se "vazhdojnë të sulmojnë objektiva në territorin iranian".

Izraeli filloi të kryejë një valë sulmesh ndaj Iranit gjatë natës, me IDF-në që tha se kishte në shënjestër lokacionet bërthamore dhe shefat ushtarakë. Shefi i Gardës Revolucionare Hossein Salami dhe figura të tjera të larta ushtarake janë vrarë, konfirmuan IDF-ja dhe Irani.

Irani thotë se gjashtë shkencëtarë janë vrarë, me mediat shtetërore që raportojnë se civilë, përfshirë fëmijë, janë midis të vdekurve - kjo nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat