LIVE: Trump në Holandë për samitin e NATO-s, armëpushimi Izrael-Iran duket se po respektohet

Bota

LIVE: Trump në Holandë për samitin e NATO-s, armëpushimi Izrael-Iran duket se po respektohet

Nga: Bota sot Më: 13 qershor 2025 Në ora: 07:17 Përditësuar në ora: 16:32 më 13.06.2025
Presidenti Donald Trump

Kush ishin katër gjeneralët iranianë të vrarë në sulmin izraelit?

Izraeli ka pretenduar se sulmet ajrore të ndërmarra më 13 qershor kanë vrarë katër gjeneralë të lartë të ushtrisë iraniane, përfshirë tre prej tyre nga Garda Revolucionare Islamike, forca ushtarake më e fuqishme në vend.

Sipas autoriteteve izraelite, këto sulme të paprecedent synuan objektet bërthamore të Iranit, fabrikat e raketave balistike dhe komandantë ushtarakë, me qëllimin për të penguar Teheranin të zhvillojë një armë bërthamore.

Më poshtë janë të dhënat për katër gjeneralët që raportohet se janë vrarë:

Hossein Salami

Gjeneralmajor Hossein Salami ka qenë komandant i përgjithshëm i Gardës Revolucionare që nga viti 2019.

Ai ndodhej nën sanksione ndërkombëtare që nga viti 2006, si "person i përfshirë në programin iranian të raketave balistike", sipas një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Salami ndodhej gjithashtu në listat e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Zvicrës, Australisë dhe Japonisë.

Mohammad Baqeri

Gjeneralmajor Mohammad Baqeri ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit që nga viti 2016, dhe zyrtarisht figura e dytë më e fuqishme në ushtri, pas liderit suprem, ajatollahut Ali Khamenei.

Ai u ngrit në radhët e Gardës Revolucionare, që dominon strukturat më të larta të ushtrisë iraniane, dhe kontrollon planifikimin, operacionet, inteligjencën, operacionet e fshehta dhe jo të rregullta, si dhe sigurinë e brendshme.

Garda Revolucionare është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Gholam Ali Rashid

Gjeneralmajor Gholam Ali Rashid ishte zëvendëskomandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Iranit dhe konsiderohej si një nga figurat më të respektuara ushtarake në vend.

Që nga viti 2015, ai drejtonte shtabin qendror të Khatam-ol-Anbia, njësinë më të lartë operacionale të ushtrisë iraniane.

Që nga viti 2016, ky shtab është ndarë nga Shtabi i Përgjithshëm, dhe ka marrë përsipër komandën dhe kontrollin operacional.

Amir Ali Hajizadeh

Gjeneral brigade Amir Ali Hajizadeh ishte komandant i Forcës Ajrore të Gardës Revolucionare që nga viti 2009.

Nën sanksione të SHBA-së që nga viti 2019, Hajizadeh ishte një figurë kyç në programin e raketave dhe dronëve të Iranit, dhe luajti një rol qendror në operacionet e fundit kundër Izraelit.

Ai u bë fytyrë e njohur ndërkombëtarisht kur doli drejtpërdrejt në televizion për të pranuar se Garda Revolucionare kishte rrëzuar gabimisht avionin e fluturimit 752 të linjës Ukraine International Airlines, në janar të vitit 2020, duke fajësuar “gabimin njerëzor”./REL

Sulmi i Izraelit në Iran trondit ushtrinë, por mund t’i forcojë ambiciet bërthamore të Teheranit

Sulmi i gjerë izraelit kundër Iranit duket se ka befasuar udhëheqjen ushtarake iraniane dhe mund ta ketë vonuar një kundërpërgjigje të menjëhershme.

Por, mbetet e paqartë nëse ka arritur qëllimin kryesor: dëmtimin e programit bërthamor të Iranit, për të cilin Izraeli pretendon se është pranë prodhimit të armëve, pavarësisht se Irani këmbëngul se ai është vetëm për qëllime civile.

Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë izraelitë kanë pohuar se Irani, kohët e fundit, ka përshpejtuar përpjekjet e pasurimit të uraniumit deri në atë pikë sa mund të prodhojë armë bërthamore brenda muajsh - ose edhe ditësh.

Operacioni “Luani që ngrihet”, siç e quajti Izraeli, kishte në shënjestër komponentë të rëndësishëm të infrastrukturës bërthamore të Iranit - përfshirë objektin e pasurimit në Natanz - si dhe instalime ushtarake brenda dhe rreth Teheranit.

Avionët luftarakë izraelitë goditën, gjithashtu, fabrika për prodhimin e raketave dhe ndërtesa banimi, ku dyshohej se strehoheshin zyrtarë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.

Ndër të vrarët thuhet se është edhe Hossein Salami, komandanti i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), megjithëse Irani nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij.

Sipas zyrtarëve izraelitë, qëllimi ishte të dëmtohej si programi bërthamor i Iranit, ashtu edhe aftësia e tij për t’u kundërpërgjigjur me arsenal të gjerë të raketave balistike - që për Izraelin janë kërcënimi më i madh pas një Irani me armë bërthamore.

“Netanyahu ka hapur një kapitull të ri në Lindjen e Mesme - një epokë të luftës bërthamore izraelite-iraniane”, shkroi Eran Etzion, ish-zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, në platformën X.

“Një luftë që synon ndalimin e programit bërthamor të Iranit, por që, në fakt, duket se ka për qëllim goditjen e bazave themelore të vetë regjimit iranian”, sipas tij.

Bast me rrezik të lartë

Analistët e sigurisë e përshkruajnë operacionin si një bast parandalues, apo një përpjekje për të shmangur atë që Izraeli e sheh si kërcënim ekzistencial, por që rrezikon të ndezë një luftë rajonale, të pengojë diplomacinë dhe, madje, t’i përshpejtojë ambiciet bërthamore të Iranit.

Danny Citrinonwicz, bashkëpunëtor i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv, tha se sulmi i dha një goditje të madhe prestigjit të Iranit, duke depërtuar në mbrojtjen e tij ajrore dhe duke i eliminuar komandantë të lartë.

Megjithatë, ai tha se ndikimi në programin bërthamor të Iranit është “i kufizuar”, pasi objektet kyçe, përfshirë edhe vendin e fortifikuar mirë, Fordov, mbeten të paprekura.

“Kjo është vetëm faza fillestare e një fushate më të gjatë”, shkroi Citrinonwicz në X.

“Duket se Izraeli po ruan disa karta për përshkallëzimin e mundshëm që pritet”, shtoi ai.

Njoftimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës për qytetarët e Kosovës në Izrael

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, të premten, ka lëshuar një komunikatë duke këshilluar të gjithë qytetarët e Kosovës që ndodhen aktualisht në Izrael që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në vende të sigurta.

Ky njoftim vjen pas përkeqësimit të situatës së sigurisë në Izrael dhe në rajon.

Ministria u bën thirrje qytetarëve që të ndjekin udhëzimet e Komandës së Mbrojtjes së Brendshme të Izraelit, të cilat mund t’i gjeni në linkun: https://www.oref.org.il/eng

Po ashtu, Ministria njofton se për çdo pyetje apo nevojë për ndihmë, qytetarët mund të kontaktojnë Ambasadën e Republikës së Kosovës në Izrael në numrin: +972 (0) 586 340 450

Cilat janë opsionet e Iranit?

Rundi i gjashtë i bisedimeve bërthamore mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, i planifikuar për datën 15 qershor, tani duket se është e pamundur të zhvillohet.

Me diplomacinë që duket se ka dështuar, çdo reagim i Iranit rrezikon t’i përshkallëzojë edhe më tensionet.

Reagim i menjëhershëm i Iranit ishte lëshimi i rreth 100 dronëve Shahed drejt Izraelit - shumica e të cilëve u neutralizuan jashtë hapësirës ajrore izraelite.

Udhëheqësit iranianë përsëritën paralajmërimet për hakmarrje ndaj Izraelit dhe forcave amerikane në rajon.

Edhe pse Uashingtoni e mohoi përfshirjen në sulm, Irani mund ta mbajë përgjegjës.

Nëse Teherani e realizon kërcënimin e tij, duke goditur bazat ushtarake amerikane, një gjë e tillë do të mund ta tërhiqte Uashingtonin në një konflikt më të gjerë.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, Irani zotëron rreth 2.000 raketa - shumë prej të cilave të afta të mbajnë koka luftarake me mbi 900 kilogramë eksploziv - dhe prodhon rreth 50 raketa balistike në muaj.

Nuk është ende e qartë se sa janë dëmtuar këto kapacitete nga sulmi izraelit.

Grupet aleate të Iranit në rajon janë dobësuar ndjeshëm.

Lufta në Gazë e ka goditur rëndë Hamasin - grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera - ndërsa Hezbollahu libanez nuk e ka marrë ende veten pas përplasjeve me Izraelin.

Aktualisht, aleatët më të fortë të Teheranit mbeten rebelët Huthi në Jemen.

Irani mund ta shqyrtojë edhe largimin nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).

Edhe pse SHBA-ja - ndryshe nga Izraeli - beson se Irani nuk po zhvillon në mënyrë aktive armë bërthamore, sulmi i fundit mund t’i shërbejë Teheranit si arsye për të hequr dorë nga traktati dhe për të nisur hapur rrugën drejt armatosjes.

“Qeveria e Netanyahut mund t’i ketë dhënë regjimit iranian legjitimitet - si të brendshëm, ashtu edhe ndërkombëtar - për të prodhuar armë bërthamore”, paralajmëroi Etzion./REL

Trump paralajmëron Iranin: Sulme edhe më brutale nëse nuk pranon marrëveshjen

Donald Trump sapo ka dhënë reagimin e tij ndaj sulmeve izraelite ndaj Iranit gjatë natës.

Ai shkroi një postim të gjatë në platformën e tij Truth Social, ku i bëri thirrje Iranit të arrijë një marrëveshje me SHBA-në dhe të bien dakord që të mos ndjekin zhvillimin e një arme bërthamore, shkruan sky news transmeton "Bota sot".

Presidenti amerikan shkroi:

“I dhashë Iranit mundësi pas mundësie për të bërë një marrëveshje. U thashë me fjalët më të forta, ‘thjesht bëje,’ por pavarësisht sa shumë u përpoqën, pavarësisht sa afër ishin, thjesht nuk ia dolën.

U thashë se do të jetë shumë më keq se gjithçka që ata dinin, prisnin apo u ishte thënë, se Shtetet e Bashkuara kanë pajisjet më të mira dhe më vdekjeprurëse ushtarake kudo në botë, dhe se Izraeli ka shumë prej tyre, me shumë më tepër që do të vijnë – dhe ata dinë si t’i përdorin.

Disa nga të ashprit iranianë folën guximshëm, por nuk e dinin çfarë po vinte. Ata tani janë të gjithë TË VDEKUR, dhe do të bëhet vetëm më keq!

Ka pasur tashmë vdekje dhe shkatërrim të madh, por ende ka kohë që kjo masakër, me sulmet e ardhshme që janë tashmë të planifikuara dhe do të jenë edhe më brutale, të marrë fund. Irani duhet të bëjë një marrëveshje, përpara se të mos mbetet asgjë, dhe të shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Iraniane.

Jo më vdekje, jo më shkatërrim, THJESHT BËJE, PARA SE TË JETË VONË. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”

Netanyahu thotë se sulmet do të vazhdojnë "për aq ditë sa të jetë e nevojshme"

Në një deklaratë me video të publikuar më herët, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli ka nisur Operacionin “Luanit që Ngrihet”.

Ky operacion ushtarak ka për synim të zmbraps kërcënimin iranian ndaj “vetë mbijetesës së Izraelit”.

Ai tha se Izraeli kishte në shënjestër shkencëtarë iranianë:

“që punojnë për bombën iraniane” dhe se sulmet “do të vazhdojnë për aq ditë sa të jetë e nevojshme.”

Dronët iranianë me cak Izraelin shihen duke kaluar nëpër hapësirën ajrore të Irakut

Dy zyrtarë irakianë të sigurisë, të cilët folën në kushte anonimiteti për “AP” për shkak të ndjeshmërisë së situatës, thanë se më shumë se 100 dronë të nisur nga Irani drejt Izraelit u gjurmuan duke kaluar hapësirën ajrore irakiane.

Banorët e provincës Diyala të Irakut, e cila kufizohet me Iranin, raportuan se kishin dëgjuar zhurmën e avionëve dhe shpërthimet nga sulmet brenda territorit iranian të premten në mëngjes.

Disa më vonë thanë se panë dronë të nisur nga Irani duke u drejtuar drejt Izraelit.

Irani lëshon rreth 100 dronë drejt Izraelit – konfirmon Forca Mbrojtëse Izraelite (IDF)

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjeneral brigade Effie Defrin, ka deklaruar se Irani ka lëshuar rreth 100 dronë (UAV) drejt territorit izraelit, dhe shtoi se forcat izraelite po punojnë për t’i kapur dhe neutralizuar ato. shkruan BBC transmeton Bota sot.

Gjenerali Defrin konfirmoi gjithashtu se gjatë sulmeve të mbrëmjes së kaluar janë vrarë tre figura të larta ushtarake iraniane:

Shefi i shtabit të ushtrisë iraniane

Komandanti i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC)

Komandanti i komandës emergjente të Iranit

Më herët, media shtetërore iraniane raportoi gjithashtu vrasjen e Hossein Salami, komandant i IRGC-së.

Siç është kujtuar më herët, në Izrael është shpallur gjendje emergjente, ndërsa tensionet mes dy vendeve kanë arritur kulmin.

Izraelitët grumbullojnë ushqime dhe ujë ndërsa përgatiten për “hakmarrjen” e Iranit

Në Jerusalem, raftet e supermarketeve po shterohen me shpejtësi nga njerëzit që po furnizohen me ushqim dhe ujë, raporton BBC.

Pjesa më e madhe e vendit u zgjua rreth orës 03:00  këtë mëngjes me një lështim të shkurtër sirenash dhe një alarm telefonik që paralajmëronte për një “kërcënim të rëndësishëm” – me njerëzit që u udhëzuan të qëndronin afër një strehe.

Shërbimet e emergjencës së Izraelit thonë se po mobilizojnë shërbimet e gjakut në të gjithë vendin, ndërsa disa spitale thonë se po lirojnë pacientët që janë mjaftueshëm mirë për të shkuar në shtëpi.

Në Bregun Perëndimor, një bllokim është vendosur në të gjitha qytetet palestineze deri në njoftim të mëtejshëm.

E gjithë kjo me paralajmërimin e ushtrisë izraelite se 100 dronë iranianë janë në rrugën e tyre drejt Izraelit. 

Rregullatori bërthamor global konfirmon se objekti kryesor bërthamor në Iran është goditur

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka konfirmuar se objekti kryesor i pasurimit të uraniumit në Natanz është goditur nga sulmet izraelite në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Në një postim në X (ish-Twitter), IAEA deklaroi se po "monitoron nga afër situatën jashtëzakonisht shqetësuese në Iran".

Agjencia tha gjithashtu se është në kontakt me autoritetet iraniane për të verifikuar nivelet e rrezatimit në këtë objekt, si dhe me inspektorët e saj që ndodhen në Iran.

Çka dihet deri tash:

Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore në të gjithë Iranin, duke deklaruar se kanë shënjestruar "zemrën" e programit bërthamor iranian.

Sipas mediave shtetërore iraniane, sulmet kanë shkaktuar vrasjen e Hossein Salami, komandant i Gardës Revolucionare Islamike – një degë shumë e fuqishme e forcave të armatosura iraniane – si dhe disa shkencëtarëve bërthamorë.

Presidenti izraelit Benjamin Netanyahu e përshkroi operacionin si një "operacion ushtarak i synuar për të zmbrapsur kërcënimin iranian ndaj vetë mbijetesës së Izraelit", duke pohuar se "nëse nuk ndalet, Irani mund të prodhojë një armë bërthamore në një kohë shumë të shkurtër".

Në Izrael është shpallur gjendje emergjente, pasi priten kundërsulme "në të ardhmen e afërt".

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se SHBA nuk ka qenë e përfshirë në sulmet dhe nuk ka ofruar ndihmë.

Një zëdhënës i forcave të armatosura iraniane ka paralajmëruar se si SHBA-ja ashtu edhe Izraeli do të paguajnë një "çmim të rëndë" për këto sulme.

 

"Një moment përcaktues në historinë e Izraelit" – ministri i mbrojtjes

Pak para se Izraeli të ndërmerrte sulmin ndaj Iranit, ministri i mbrojtjes, Israel Katz, u tha një forumi të zyrtarëve ushtarakë se:

"Ky është një moment përcaktues në historinë e Shtetit të Izraelit dhe në historinë e popullit hebre."

Ai deklaroi: "Që në momentin që mora detyrën, e përcaktova pengimin e programit bërthamor të Iranit si prioritet absolut," duke pretenduar se "Irani është më i vendosur se kurrë për të realizuar vizionin e tij për shkatërrimin e Izraelit."

Katz shtoi: "Jemi në një pikë kritike – nëse e humbasim këtë mundësi, nuk do të kemi më asnjë mënyrë për të ndaluar Iranin nga pajisja me armë bërthamore që kërcënojnë ekzistencën tonë."

"Gjatë një viti e gjysmë kemi luftuar kundër përfaqësuesve të Iranit, por tani po përballemi me vetë kokën e gjarprit."

Siç është raportuar më herët, Izraeli ka shpallur gjendje emergjente në pritje të kundërsulmeve nga Irani.

Çfarë është goditur deri tani

nformacioni për atë që është goditur dhe për kë është prekur nga sulmet e Izraelit ende po zbulohet, por ja çfarë raportohet deri tani:

Ushtria izraelite ka deklaruar se ka goditur "dhjetëra objektiva ushtarake, përfshirë objektiva bërthamore në zona të ndryshme të Iranit", shkruan BBC transmeton "Bota sot".

Ndër objektet e goditura është edhe objekti kryesor i pasurimit të uraniumit në Natanz, në qendër të vendit. Televizioni shtetëror iranian raportoi se objekti u godit disa herë, me pamje që tregonin tym të zi që dilte nga vendi.

Natanz përdor mijëra centrifuga të avancuara – pajisje që shërbejnë për pasurimin e gazit të uraniumit – të cilat ndodhen dhjetëra metra nën tokë për mbrojtje. Ende nuk është e qartë se sa thellë arritën sulmet izraelite.

Sipas The New York Times, të paktën gjashtë baza ushtarake rreth Teheranit, si dhe shtëpi të komandantëve ushtarakë dhe disa ndërtesa banimi, janë goditur, duke cituar zyrtarë të lartë iranianë.

Televizioni shtetëror iranian ka konfirmuar vrasjen e krerëve të forcave të armatosura iraniane: Hossein Salami, komandant i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), dhe gjeneralmajor Mohammad Bagheri, komandant i përgjithshëm i ushtrisë iraniane dhe i IRGC-së.

Po ashtu, janë vrarë të paktën dy shkencëtarë bërthamorë: Fereydoon Abbasi, ish-drejtor i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, dhe Mohammad Mehdi Tehranchi, rektor i Universitetit Islamik Azad në Teheran.

--------

Izraeli ka nisur një sulm ajror të gjerë ndaj Iranit, duke goditur objekte bërthamore dhe ushtarake kyçe, përfshirë komandantë të lartë të Gardës Revolucionare. Në mesin e viktimave është gjenerali Hossein Salami, komandanti i Gardës Revolucionare, si dhe shkencëtarët bërthamorë Fereydoun Abbasi-Davani dhe Mohammad Mehdi Tehranchi.

Sulmet kanë përfshirë objektet bërthamore në Natanz, Khondab dhe Khorramabad, si dhe selinë kryesore të Gardës Revolucionare në Teheran.Operacioni, i koduar "Am KeLavi", është ndër sulmet më të mëdha ajrore të Izraelit ndaj Iranit që nga Lufta Iran-Irak.

Sipas kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, ky sulm ishte një veprim parandalues për të ndaluar përparimin e Iranit drejt zhvillimit të armëve bërthamore. Sulmi ka ndodhur disa ditë para bisedimeve të planifikuara bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit, duke shkaktuar shqetësime për ndikimin në diplomaci.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA-ja nuk ishte e përfshirë në sulm, por ka shprehur shqetësime për pasojat e mundshme.

Në përgjigje, Irani ka premtuar hakmarrje ndaj Izraelit dhe SHBA-së, duke i akuzuar për bashkëpunim në sulm. Ky incident ka shkaktuar rritje të çmimeve të naftës dhe pasiguri në tregjet financiare. Komuniteti ndërkombëtar është në alarm për mundësinë e një konflikti më të gjerë rajonal.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat