LIVE: Trump në Holandë për samitin e NATO-s, armëpushimi Izrael-Iran duket se po respektohet

Bota

LIVE: Trump në Holandë për samitin e NATO-s, armëpushimi Izrael-Iran duket se po respektohet

Nga: Bota sot Më: 13 qershor 2025 Në ora: 07:17 Përditësuar në ora: 17:39 më 22.06.2025
Presidenti Donald Trump

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një mbledhje urgjente

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një seancë urgjente më vonë gjatë ditës së sotme, pas sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

Më herët gjatë ditës, Irani kërkoi një mbledhje të organit me 15 anëtarë për të adresuar veprimin e SHBA-së, të cilin e quajti “të turpshëm”, duke paralajmëruar se do të ketë “pasoja të përhershme”.

Për kontekst: SHBA është një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Anëtarët e tjerë të përhershëm janë Kina, Franca, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Grossi: Është i paqartë dëmi i shkaktuar në Fordo

Përderisa është e qartë se sulmet amerikane goditën centralin nëntokësor bërthamor të Iranit, Fordo, ende nuk ka mundësi që të vlerësohet dëmi i shkaktuar atje.

Kështu tha për CNN, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore, Rafael Grossi.

Inspektorët e kësaj agjencie të OKB-së nuk kanë mundur të inspektojnë këtë central bërthamor që nga sulmet e para ajrore të kryera nga Izraeli më 13 qershor ndaj Iranit. Grossi tha se shpreson që ekipi i tij të mund të shkojë në këtë impiant nëntokësor sa më shpejt për të vlerësuar dëmet e shkaktuara.

Ai tha se nuk mund të përjashtohet mundësia që në Fordo ka dëme të mëdha.

Grossi shtoi se “ne duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur, inspektorët duhet të jenë në gjendje të kthehen në objektet bërthamore të Iranit./REL

Irani pranon se ka pësuar dëme, por thotë se njohuritë e tij bërthamore s’mund të shkatërrohen

Irani pranoi sot se ka pësuar dëme nga sulmet e fundit amerikane ndaj bazave kryesore bërthamore, por tha se njohuritë e tij mbi teknologjinë bërthamore nuk mund të shkatërrohen.

"Sigurisht që kemi pësuar dëme, por kjo nuk është hera e parë që industria ka pësuar dëme. Duhet të dihet se kjo industri ka rrënjë në vendin tonë dhe se rrënjët e kësaj industrie kombëtare nuk mund të shkatërrohen", tha Behrouz Kamalvandi, zëdhënës i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim.

Shtetet e Bashkuara kryen një sulm ndaj tri objekteve bërthamore iraniane - Fordow, Natanz dhe Isfahan.

Gjashtë bombardues të fshehtë B-2 Spirit hodhën gjithsej 12 bomba GBU-57 për shkatërrimin e bunkerëve në kompleksin nëntokësor ultra të fortifikuar Fordow, ndërsa nëndetëset amerikane qëlluan 30 raketa lundrimi në objektet në Natanz dhe Isfahan.

Presidenti amerikan Donald Trump tha se objektet ishin "shkatërruar plotësisht", ndërsa Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike raportoi se nuk kishte nivele të larta rrezatimi në vendet e prekura.

Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth tha se sulmet ushtarake amerikane ishin një sukses i pabesueshëm dhe i madh që shkatërroi ambiciet bërthamore të Teheranit, raporton KosovaPress.

"Ambiciet bërthamore të Iranit janë shkatërruar", u tha Hegseth gazetarëve në një konferencë shtypi, duke shtuar se sulmet nuk kishin për qëllim forcat ushtarake iraniane, civilët apo ndryshimin e regjimit.

"Ky mision nuk ishte dhe nuk ka qenë për ndryshimin e regjimit", u tha Hegseth gazetarëve në Pentagon. "Presidenti autorizoi një operacion preciz për të neutralizuar kërcënimin për interesat tona kombëtare që paraqet programi bërthamor i Iranit".

"Operacioni që presidenti Trump ka planifikuar ishte i guximshëm dhe i shkëlqyer. Kur ky president flet, bota duhet të dëgjojë", tha ai.

Operacioni “Çekani i Mesnatës", u nis nga gjenerali i lartë amerikan Dan Caine. Sulmet përdorën 14 bomba për shkatërrimin e bunkerëve, dhjetëra raketa Tomahawk dhe mbi 125 avionë ushtarakë.

Vance: Duam një zgjidhje diplomatike me Iranin

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, tha se shteti i tij me sukses dëmtoi programin e armëve bërthamore të Iranit dhe tani presidenti amerikan, Donald Trump, shpreson që të ndiqet një zgjidhje diplomatike.

“Duam t’i japim fund programit të tyre bërthamor”, tha Vance gjatë një interviste për NBC.

“Duam të flasim me iranianët për një zgjidhje afatgjate për këtë çështje”, shtoi ai.

SHBA-ja njoftoi se ka sulmuar tre impiante bërthamore të Iranit.

Objektet bërthamore Fordo, Natanz dhe Esfahan janë “shkatërruar plotësisht” sipas presidentit amerikan, Donald Trump.

Trump i kërkoi Iranit që të bëjë paqe, në të kundërtën tha se sulmet do të vazhdojnë./REL

Teherani refuzon negociatat - bota bën thirrje për ulje të tensioneve

Teherani hodhi poshtë thirrjet urgjente të Perëndimit për rikthim në negociata dhe theksoi të drejtën e tij për vetëmbrojtje, duke paralajmëruar për “pasoja të rrezikshme” pas përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit. Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se sulmet amerikane kishin për qëllim "shkatërrimin" e objekteve kryesore bërthamore të Iranit.

Izraeli dhe Irani shkëmbyen sulme të reja me raketa herët më 22 qershor, në orët pas sulmeve amerikane, ndërsa ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se Teherani “i rezervon vetes të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin, interesat dhe popullin e vet”, pas asaj që e quajti një hap “të turpshëm” të Shteteve të Bashkuara.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi për “rrezik në rritje që ky konflikt mund të dalë shpejt jashtë kontrollit”, teksa frika për një luftë të gjerë u shtua pas bombardimeve që SHBA-ja kreu gjatë natës.

Udhëheqës të shumtë botërorë bënë thirrje për rifillim të negociatave për programin bërthamor të Iranit, me disa në Perëndim që theksuan se Irani nuk duhet të lejohet të prodhojë armë bërthamore.

Por, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, i hodhi poshtë thirrjet për bisedime, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara “kaluan një vijë të kuqe shumë të madhe duke sulmuar objektet bërthamore” dhe se administrata Trump “mban përgjegjësi të plotë dhe të vetme për pasojat e rrezikshme dhe implikimet e gjera të këtij akti agresioni”.

“Dera për diplomaci duhet të jetë gjithmonë e hapur”, tha Araqchi në një konferencë për shtyp në Stamboll, “por ky nuk është rasti për momentin”. Ai shtoi se Irani është nën sulm dhe do të ushtrojë të drejtën për vetëmbrojtje për aq kohë sa të jetë e nevojshme, por nuk zbuloi se çfarë masash do të marrë Irani në kundërpërgjigje ndaj sulmeve të SHBA-së.

Araqchi tha se do të udhëtojë drejt Moskës më vonë gjatë ditës dhe do të takohet më 23 qershor me presidentin rus, Vladimir Putin, oferta e fundit e të cilit për të ndërmjetësuar në negociatat me Teheranin ishte refuzuar në mënyrë efektive nga Trumpi.

“Rusia është partnere e jona dhe ne gjithmonë konsultohemi”, tha ai.

Trump deklaroi se sulmet ishin një “sukses spektakolar ushtarak”, duke thënë se bombarduesit amerikanë kishin goditur objektet bërthamore në Fordo, Natanz dhe Isfahan në një operacion të përbashkët me Izraelin për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, pasi diplomacia nuk e kishte bindur Teheranin të kthehej në tryezën e bisedimeve.

“Qëllimi ynë ishte shkatërrimi i kapaciteteve të pasurimit bërthamor të Iranit dhe ndalimi i kërcënimit bërthamor që paraqet sponsori numër një shtetëror i terrorizmit në botë”, tha Trump në një fjalim drejtuar kombit nga Shtëpia e Bardhë.

Sulmet ndodhën në orët e para të 22 qershorit sipas kohës lokale të Iranit, por ishte ende 21 qershor në Uashington kur foli presidenti amerikan.

Nuk pati raportime të menjëhershme për ndonjë sulm iranian ndaj interesave amerikane në Lindjen e Mesme apo gjetkë, por Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit tha se kishte lëshuar 40 raketa drejt Izraelit mëngjesin e 22 qershorit, përfshirë një nga raketat më të mëdha balistike që ka Teherani, Khorramshahr-4.

Ministria izraelite e Shëndetësisë tha se mbi 80 persona u plagosën nga sulmet iraniane gjatë natës, mbi 70 prej tyre me lëndime të lehta.

Ushtria izraelite deklaroi se kishte kryer “një seri sulmesh ndaj objektivave ushtarake në Iranin perëndimor” dhe se kishte bombarduar dy avionë F-5 në aeroportin Dezful.

Irani nuk ka pranuar se ndonjë avion i është rrëzuar që nga nisja e sulmeve izraelite ndaj Republikës Islamike më 13 qershor.

Si reagoi bota?

Pas goditjeve të SHBA-së, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se ishte “thellësisht i alarmuar” nga përshkallëzimi.

“Ekziston një rrezik në rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit - me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën”, tha Guterres.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), Rafael Grossi, tha se do të thërrasë një mbledhje urgjente të Bordit të Guvernatorëve më 23 qershor, “për shkak të situatës urgjente në Iran”.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, i cili së bashku me BE-në, Francën dhe Gjermaninë kishte bërë përpjekje javën e kaluar për një zgjidhje diplomatike me Iranin, i bëri thirrje Teheranit të rikthehet në negociata.

“Iranit nuk duhet t’i lejohet kurrë të zhvillojë një armë bërthamore dhe SHBA-ja ka ndërhyrë për të zvogëluar atë kërcënim”, tha Starmer.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi gjithashtu se “Irani nuk duhet të ketë kurrë bombë” bërthamore.

“Tani është momenti që Irani të angazhohet në një zgjidhje të besueshme diplomatike”, tha ajo. “Tryeza e negociatave është i vetmi vend ku mund të zgjidhet kjo krizë”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përgëzoi Trumpin për sulmet e “guximshme”, duke i quajtur ato një moment historik që mund të çojë Lindjen e Mesme drejt paqes.

“Të lumtë president Trump. Vendimi juaj i guximshëm për të goditur objektet bërthamore të Iranit me forcën e drejtë dhe të fuqishme të Shteteve të Bashkuara do të ndryshojë historinë”, tha Netanyahu në një video-adresim.

“Presidenti Trump dhe unë shpesh themi: paqe përmes forcës. Së pari vjen forca, pastaj paqja”, shtoi ai.

Ministria e Jashtme ruse tha se Moska “e dënon fuqishëm” bombardimin nga SHBA, të cilin e quajti “të papërgjegjshëm” dhe “shkelje të rëndë të të drejtës ndërkombëtare”.

“Është e qartë se një përshkallëzim i rrezikshëm ka nisur, i cili mund të minojë më tej sigurinë rajonale dhe globale”, tha ministria në një deklaratë.

Shtetet arabe të Lindjes së Mesme kërkuan shmangien e përshkallëzimit, disa duke dënuar sulmet e SHBA-së dhe të tjerë duke mos u shprehur qartë.

SHBA-ja ka baza ushtarake në Katar, Kuvajt, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Bahrejni është selia e Flotës së 5-të të Marinës së SHBA-së.

Turqia paralajmëroi se këto sulme mund të përshkallëzojë konfliktin Iran-Izrael në një nivel global, që siç tha, mund të ketë pasoja “katastrofike”.

“Këto zhvillime mund të nxisin që konflikti rajonal të përshkallëzohet në nivel global. Ne nuk duam që një skenar i tillë katastrofik të ndodhë”, tha Ministria e Jashtme turke, duke shprehur “shqetësim të thellë për pasojat e mundshme”.

Në një postim në X, kryeministri indian Narendra Modi tha se në një telefonatë me presidentin iranian, Masoud Pezeshkian, kishte shprehur “shqetësim të thellë për përshkallëzimin e fundit”.

“Ripërsërita thirrjen tonë për uljen e menjëhershme të tensioneve, dialog dhe diplomaci si rrugëdalje dhe për rivendosjen e hershme të paqes dhe stabilitetit në rajon”, shtoi ai.

Në SHBA, senatori republikan nga Karolina e Jugut, Lindsey Graham, mirëpriti sulmet amrikane.

“Kjo ishte zgjedhja e duhur. Regjimi e meritonte. Shumë mirë, president Trump”, shkroi Graham në X.

Vendimi për të goditur Iranin mund të jetë politikisht i rrezikshëm për Trumpin, i cili fitoi presidencën vitin e kaluar me premtimin për të mbajtur SHBA-në larg konflikteve të huaja.

Disa anëtarë të koalicionit “Make America Great Again” e kishin këshilluar Trumpin të mos përfshinte drejtpërdrejt ushtrinë amerikane në sulme ndaj Iranit./REL

Gjenerali amerikan jep detaje për sulmin ndaj Iranit

Ushtria amerikane ka përdorur 14 bomba për shkatërrimin e bunkerëve, GBU-57, gjatë sulmeve të kryera kundër ndërtesave kryesore bërthamore të Iranit, tha gjenerali amerikan, Dan Caine, gjatë një konference për media në Pentagon.

Bombat e fuqishme goditën dy objekte bërthamore, tha Caine, që është shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane.

SHBA-ja po ashtu ka përdorur dhjetëra raketa Tomahawk dhe mbi 125 avionë luftarakë në operacionin, që sipas gjeneralit Caine, u titullua “Çekani i Mesnatës”.

Ai tha se avionët amerikanë përdorën taktika që të mos detektoheshin nga autoritetet iraniane, duke shtuar se nuk ka informacione që Irani ka sulmuar ndonjë avionë amerikanë gjatë qëndrimit të tyre në hapësirën ajrore të Republikës Islamike.

Cain tha se sulmi u krye në orën 02:10 sipas kohës lokale në Iran dhe raketat Tomahawk ishin të fundit që u përdorën gjatë sulmit.

Sa i përket dëmeve të shkaktuara në tre objektet bërthamore, gjenerali Caine tha se bazuar në informacionet fillestare ato kanë pësuar dëme të mëdha dhe shkatërrim./REL

Kryeministri i Indisë bisedon me presidentin e Iranit lidhur me situatën në Lindjen e Mesme

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian, pasi SHBA-ja sulmoi centralet bërthamore iraniane.

Udhëheqësi indian bëri thirrje për ulje të menjëhershme të tensioneve.

“Diskutuam në detaje për situatën aktuale. Shpreh shqetësim të thellë për përshkallëzimet e fundit.

 Gjatë bisedës telefonike bëra thirrje për uljen e menjëhershme të tensioneve, për dialog dhe diplomaci si rrugë përpara për rivendosjen e paqes rajonale, sigurisë dhe stabilitetit”, shkroi Modi në X.

Turqia: Konflikti në Lindjen e Mesme mund të përshkallëzohet në një konflikt global

Turqia ka reaguar pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

Ankaraja paralajmëroi se këto sulme mund të përshkallëzojë konfliktin Iran-Izrael në një nivel global, që siç tha, mund të ketë pasoja “katastrofike”.

“Këto zhvillime mund të nxisin që konflikti rajonal të përshkallëzohet në nivel global.

Ne nuk duam që një skenar i tillë katastrofik të ndodh”, tha Ministria e Jashtme turke, duke shprehur “shqetësim të thellë për pasojat e mundshme”./REL

Ish-këshilltari i Trumpit: SHBA-ja nuk synon ndryshimin e regjimit në Iran

Teherani nuk është në pozitë të kërkojë armëpushim si parakusht për negociata, thotë Fred Fleitz, nënkryetar i Institutit “America First Policy” dhe ish-zëvendësasistent i presidentit amerikan, Donald Trump, në vitin 2018.

Në një intervistë të dhënë më 20 qershor — përpara se Shtetet e Bashkuara të ndërmerrnin sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane — Fleitz i tha Radios Evropa e Lirë se veprimet ushtarake mund t’i shkaktojnë dëme serioze programit bërthamor të Iranit, i cili, sipas tij, është tashmë afër përftimit të armës bërthamore.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, ishte Izraeli që inicioi sulmet, në një kohë kur kishte negociata mes SHBA-së dhe Iranit.

Fred Fleitz: Izraeli vendosi që nuk mund të priste më gjatë, për shkak të përparimit të madh që kishte bërë programi bërthamor i Iranit.

Nuk ka një qëndrim të unifikuar për qëllimin përfundimtar të Iranit. Inteligjenca amerikane ka thënë se Teherani ende nuk ka marrë vendim për të ndërtuar një bombë. Si e justifikoni këtë me ndërhyrje ushtarake?

Fred Fleitz: Inteligjenca amerikane për programin bërthamor të Iranit është politizuar prej kohësh. Faktet janë, dhe këtë e bëri të qartë dje drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, se Irani ka mbledhur të gjitha pjesët dhe teknologjinë që i duhen për të nisur menjëherë ndërtimin e një bombe. Ajo që po ndodh në thelb është se megjithëse Irani ndoshta tashmë ka një armë funksionale, nuk e ka pajisur ende me material bërthamor. Komuniteti i inteligjencës dëshiron të thotë se kjo nënkupton se Irani nuk ka një program armësh bërthamore dhe nuk ka vendosur të ndërtojë bombë. Mendoj se kjo është një analizë e pakuptimtë dhe është një mënyrë e të menduarit që agjencitë tona të inteligjencës duhet ta ndryshojnë.

Por cilat janë provat konkrete që sipas jush tregojnë se Irani është pranë ndërtimit të një bombe bërthamore?

Fred Fleitz: Irani ka mbledhur 900 paund uranium të pasuruar U-235 në nivelin 60%. Kjo është e mjaftueshme për të pajisur me material bërthamor nëntë deri në dhjetë bomba. Një sasi e tillë uraniumi nuk ka qëllime paqësore. Ne e dimë që Irani ka të paktën tre plane për ndërtimin e bombës. Ne e dimë që Irani është i përfshirë në testime për të ndërtuar një armë bërthamore. Ne e dimë që Irani ka mashtruar në mënyrë të vazhdueshme në kuadër të marrëveshjes bërthamore [të arritur me fuqitë perëndimore më 2015] për të siguruar teknologji për ndërtimin e armës. E dimë gjithashtu që Irani i ka ndërtuar pothuajse të gjitha objektet e tij bërthamore në fshehtësi, përfshirë objektet në Natanz dhe në Fordo.

Objekti i Fordos, që është një qendër pasurimi thellë nën tokë, u zbulua nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore shumë kohë pasi kishte filluar të funksiononte. Kjo është një shkelje e detyrimeve që Irani ka sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Nëse programi bërthamor i Iranit është paqësor, pse po ndërton kaq shumë objekte të mëdha në fshehtësi, pa i deklaruar në Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore?

Atëherë pse komuniteti i inteligjencës në SHBA heziton ta pranojë këtë, nëse është kështu?

Fred Fleitz: Sepse inteligjenca është politizuar. Është interesante që drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, aktualisht po shkarkon dhe transferon oficerë të lartë të inteligjencës që kanë përpiluar vlerësime të tilla, sepse ata kanë politizuar analizat e tyre për shumë vite.

Zoti Fleitz, për të kaluar në një çështje tjetër, a po konsiderohet ndërrimi i regjimit në Iran si një objektiv strategjik në Uashington dhe Jerusalem?

Fred Fleitz: Presidenti Trump nuk është i interesuar të ndjekë një politikë për ndërrim regjimi. Ai mendon se kjo është punë e popullit iranian. Kjo nuk ka shkuar mirë për SHBA-në në të kaluarën. Por, duke thënë këtë, nëse këto bombardime ndaj Iranit rrëzojnë këtë regjim, që ka varfëruar popullin dhe ka sjellë gjithë këtë shkatërrim mbi vendin e vet për një program bërthamor të pakuptimtë, mendoj se populli iranian dhe popujt e botës do të jenë mirënjohës.

Disa ekspertë paralajmërojnë se vdekja eventuale e liderit suprem iranian, ajatollah Ali Khameneit, nuk do të sjellë liberalizim, por mund të çojë drejt një regjimi më të ashpër ose të militarizuar. A e ndani këtë shqetësim?

Fred Fleitz: Po, jam i shqetësuar për këtë. Nuk e di se kush do ta udhëheqë Iranin nëse bie udhëheqësi suprem. Mendoj se kjo është një nga arsyet pse SHBA-ja duhet të qëndrojë jashtë politikave për ndërrim regjimi në këtë rast

SHBA e ‘trondit’ skenarin e luftës - Çfarë pritet nga Irani tani?

Nga: A.M

Ndërsa Benjamin Netanyahu qëndronte në podium në zyrën e kryeministrit izraelit këtë mëngjes, ai fillimisht nuk iu drejtua popullit izraelit në hebraisht, për t'i informuar ata mbi zhvillimin më të fundit dramatik në këtë luftë të tij të fundit.

Në vend të kësaj, ai foli në anglisht, duke folur drejtpërdrejt dhe duke lëvduar Presidentin e SHBA-së Donald Trump pasi SHBA-të bombarduan vendet bërthamore iraniane.

Nëse toni i Netanyahut ishte triumfues dhe buzëqeshjen mezi e fshihte, kjo nuk është aspak për t'u habitur. Ai e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij politike i fiksuar pas kërcënimit që ai beson se Irani përbën për Izraelin, shkruan BBC, transmeton “Bota sot”.

Netanyahu ka kaluar pjesën më të madhe të 15 viteve të fundit duke u përpjekur të bindë aleatët e tij amerikanë se vetëm veprimi ushtarak (dhe vetëm municionet amerikane) mund të shkatërrojnë programin e armëve bërthamore të Iranit.

Ndërsa përgëzoi Trumpin për një vendim të guximshëm që "do të ndryshojë historinë", Netanyahu gjithashtu mund të përgëzojë veten për ndryshimin e mendjes së një presidenti amerikan që bëri fushatë kundër aventurave ushtarake jashtë shtetit dhe mbështetësit e të cilit ishin kundër bashkimit me luftën e Izraelit kundër Iranit.

Duhet theksuar gjithashtu se agjencitë e inteligjencës së Trump nuk e kishin ndarë vlerësimin e Izraelit se sa shpejt Irani mund të kërkonte të ndërtonte një armë bërthamore, dhe as nëse kishte marrë vendimin për ta bërë këtë.

Gjatë gjithë këtij konflikti, i cili filloi vetëm 10 ditë më parë, qeveria dhe ushtria e Izraelit kanë këmbëngulur se Izraeli kishte kapacitetin për t'u përballur me kërcënimin iranian vetë.

Por nuk ishte sekret se vetëm Amerika zotëronte municionet masive të afta për t'u përballur me nivelet më të forta të mbrojtjes rreth objekteve bërthamore të Iranit, veçanërisht në Fordo, të ndërtuara thellë brenda një mali.

Nëse vendet bërthamore të bombarduara mbrëmë janë me të vërtetë jashtë përdorimit, atëherë kryeministri i Izraelit do të jetë në gjendje të deklarojë qëllimin e tij kryesor të luftës të përfunduar, ndoshta duke e çuar këtë konflikt më afër fundit. Nga ana e tij, Irani thotë se tashmë e kishte zhvendosur materialin e tij bërthamor.

Por pa bombardimet e mbrëmshme, Izraeli do të kishte vazhduar të punonte poshtë listës së gjatë të objektivave që forcat e tij ajrore kanë kaluar vite duke i hartuar.

Dëmi do të vazhdonte t'i shkaktohej ushtrisë iraniane, komandantëve të saj, shkencëtarëve bërthamorë, infrastrukturës qeveritare dhe pjesëve të programit bërthamor të arritshme për bombat e Izraelit.

Por Netanyahut mund t'i jetë mohuar një pikë e qartë në të cilën Izraeli mund të thoshte se kërcënimi bërthamor ishte neutralizuar përfundimisht. Ndoshta vetëm ndryshimi i regjimit në Iran mund ta kishte sjellë atë moment.

Bombarduesit B2 padyshim kanë ndryshuar trajektoren e luftës. Nëse ajo do të përshkallëzohet edhe më tej do të varet nga mënyra se si do të reagojnë Irani dhe aleatët e tij.

Javën e kaluar udhëheqësi suprem i Iranit ishte zotuar të kundërsulmonte SHBA-në nëse ajo do të hynte në luftë. "Amerikanët duhet ta dinë se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane padyshim do të shoqërohet me dëme të pariparueshme", tha Ajatollah Ali Khamenei.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat