LIVE: Trump në Holandë për samitin e NATO-s, armëpushimi Izrael-Iran duket se po respektohet

Bota

LIVE: Trump në Holandë për samitin e NATO-s, armëpushimi Izrael-Iran duket se po respektohet

Nga: Bota sot Më: 13 qershor 2025 Në ora: 07:17 Përditësuar në ora: 00:34 më 23.06.2025
Presidenti Donald Trump

Bota duhet ta falënderojë Trump-in, thotë përfaqësuesi izraelit në OKB

Pas komenteve të përfaqësuesit iranian në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dëgjuam përfaqësuesin izraelit Danny Danon – i cili tha se bota duhet ta falënderojë Donald Trump-in.

"E gjithë bota duhet të thotë sot publikisht: faleminderit," tha Danon. "Faleminderit Donald Trump-it që veproi kur shumë të tjerë hezituan.", shkruan BBC transmeton Bota sot

Ai tha se disa në OKB kanë "dënuar" SHBA-në dhe Izraelin, por shtroi pyetjen: "Ku ishit ju kur Irani pasuronte uraniumin përtej niveleve për përdorim civil, kur ndërtonte një fortesë nën një mal për t’u përgatitur për zhdukjen tonë?"

Ai tha se nuk mund të injorohet fakti se "u provua diplomacia," por shtoi se Irani e "ktheu negociatën në teatër" dhe e përdori si "kamuflazh" për të fituar kohë për ndërtimin e raketave dhe pasurimin e uraniumit.

Danon vazhdoi duke thënë se Irani negocioi marrëveshje që "nuk kishte kurrë ndërmend t’i zbatonte."

"Bota e lirë ia dha çdo shans," tha ai, dhe se kostoja e mosveprimit do të kishte qenë "një dënim me vdekje."

​Avionët B2 kthehen në shtëpi, lajmërohet Trump

Bombarduesit e fshehtë B2 që hodhën bomba për të shkatërruar bunkerët në objektet bërthamore iraniane kanë filluar të kthehen në një bazë amerikane në Misuri.

Pamjet në rrjetet sociale tregojnë avionët B2 që po afroheshin për ulje në Bazën Ajrore Whiteman në Misuri, raporton KosovaPress.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në orët e hershme të mëngjesit të sotëm kryen sulmin e parë ushtarak ndaj Iranit, pas fillimit të konfliktit me Izraelin dhjetë ditë më parë, duke hedhur bomba mbi caqet bërthamore të Teheranit zyrtar - Natanz, Isfahan dhe Fordow.

Presidenti amerikan Donald Trump sapo ka ndarë një mesazh në Truth Social duke i quajtur sulmet ndaj centraleve bërthamore të Iranit "të forta dhe të sakta".

"Ushtria jonë tregoi aftësi të mëdha", shton ai.

Më parë, organi mbikëqyrës bërthamor i OKB-së tha se centrali Natanz në Iran është "shkatërruar plotësisht" dhe centrali Isfahan pësoi "dëme shumë të konsiderueshme". Por dëmi në centralin nëntokësor Fordow mbetet ende "i paqartë", tha Rafael Grossi.

Netanyahu: Izraeli “shumë, shumë pranë” arritjes së objektivave ndaj Iranit

Izraeli është “shumë, shumë pranë” përmbushjes së objektivave të tij ndaj Iranit, pas urdhrit të presidentit amerikan Donald Trump për bombardime gjatë natës mbi objektet bërthamore, deklaroi të dielën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Duke përsëritur qëllimet e tij për të shkatërruar kapacitetet bërthamore dhe raketore të Iranit, Netanyahu tha në një konferencë për media:

“Po lëvizim hap pas hapi drejt arritjes së këtyre objektivave, jemi shumë, shumë pranë përmbushjes së tyre”.

Ai shtoi se “kur këto objektiva të jenë arritur, operacioni do të përfundojë.”

Ali Shamhani: Irani ende zotëron rezerva të uraniumit të pasuruar

Irani ende zotëron rezerva të uraniumit të pasuruar pavarësisht sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi objektet kryesore bërthamore, ka thënë këshilltari i liderit suprem iranian, Ali Shamhani.

"Edhe nëse objektet bërthamore shkatërrohen, loja nuk ka mbaruar, materialet e pasuruara, njohuritë vendase dhe vullneti politik do të mbeten", shkroi Shamhani sot në një postim në rrjetin iks.

Ai shtoi se iniciativa politike dhe operacionale tani i përket palës që luan me zgjuarsi dhe se "surprizat do të vazhdojnë!"

Shamhani dyshohej se është vrarë në një sulm ajror izraelit në Teheran javën e kaluar.

Megjithatë, të premten, media shtetërore në Iran publikoi një letër nga Shamhani drejtuar Ali Khamenei, në të cilën ai deklaroi se në fakt ishte gjallë.

Ali Akbar Velayati, një tjetër këshilltar i lartë i liderit suprem Ali Khamenei, tha se bazat e përdorura nga forcat amerikane për të nisur sulme ndaj objekteve bërthamore iraniane do të konsideroheshin objektiva legjitime.

“Çdo vend në rajon ose gjetkë që përdoret nga forcat amerikane për të sulmuar Iranin do të konsiderohet një objektiv legjitim për forcat tona të armatosura", tha Velayati në një mesazh të transmetuar nga agjencia IRNA duke shtuar se “nuk ka më vend për Shtetet e Bashkuara në Lindjen e Mesme.”

Kujtojmë, në orët e hershme të mëngjesit, Shtetet e Bashkuara nisën një sulm ndaj tri objekteve bërthamore iraniane Fordow, Natanz dhe Isfahan. Gjashtë bombardues të fshehtë B-2 Spirit hodhën 12 bomba GBU-57 në kompleksin nëntokësor Fordow, ndërsa nëndetëset amerikane qëlluan 30 raketa lundrimi në objektet në Natanz dhe Isfahan.

Disa orë pas sulmit, presidenti Donald Trump tha se bombardimet shkatërruan plotësisht tri objekte bërthamore iraniane, Natanz, Esfahan dhe Fordow, raporton kp.

"Ose do të ketë paqe ose Irani do të përballet me një tragjedi shumë më të madhe se ajo që kemi parë në tetë ditët e fundit", tha Trump në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë, duke e quajtur Iranin "agresori i Lindjes së Mesme" dhe duke thënë: "Nëse paqja nuk vjen së shpejti, ne do të godasim objektiva të tjerë me precizitet, shpejtësi dhe aftësi".

Izraeli dhe Irani armiq të përbetuar - dikur ata ishin aleatë

Dhjetë ditë më parë Izraeli nisi një sulm ndaj Iranit në një përpjekje për të parandaluar Teheranin të zhvillonte armë atomike, dhe ky i fundit u përgjigj me qindra raketa dhe dronë, e mbrëmë u godit nga SHBA-ja për herë të parë me dhjetëra bomba mbi centralet kyçe atomike.

Është e qartë se po dëshmojmë ngjarje historike, por raportet midis Izraelit dhe Iranit nuk kanë qenë gjithmonë armiqësore. Teherani ka qenë një partner kyç i shtetit hebre në Lindjen e Mesme për dekada të tëra.

Ndërsa Izraeli dihet se ka qenë një demokraci parlamentare që nga themelimi i tij në vitin 1948, Irani u sundua nga Shah Mohammad Reza Pahlavi gjatë së njëjtës periudhë.

Që në vitin 1947, Irani ishte ndër vendet e pakta që votuan kundër planit të ndarjes së Palestinës në Kombet e Bashkuara. Dy vjet më vonë, Irani votoi gjithashtu kundër pranimit të Izraelit në OKB. Megjithatë, Irani u bë vendi i dytë me shumicë myslimane pas Turqisë që de facto njohu Izraelin në vitin 1950 përmes kontakteve diplomatike joformale dhe krijimit të një misioni tregtar izraelit në Teheran.

Sohrab Sobhani, një profesor iraniano-amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Georgetown, në librin e tij "Antanta pragmatike: Marrëdhëniet izraelito-iraniane, 1948-1988", përmend gjithashtu aspektin humanitar, duke shpjeguar se si ekzistonin fillimisht marrëdhëniet dhe si t'i ndihmonin hebrenjtë iranianë të shpërnguleshin në Izrael.

Motivi më i thellë i Iranit ishte të distancohej nga nacionalizmi arab. Domethënë, Irani është një vend persian, jo arab, me gjuhën dhe trashëgiminë e vet historike. Shumica e myslimanëve në Iran janë shiitë, ndërsa sunitët dominojnë në vendet arabe. Nacionalizmi arab, i udhëhequr nga Egjipti nën Gamal Abdel Nasser, shpesh drejtohej kundër ndikimit të fuqive jo-arabe, përfshirë Iranin dhe Turqinë.

Situata ndryshon me ardhjen në pushtet të kryeministrit Muhammad Mossadegh në vitin 1951. Shahu kishte kompetenca të kufizuara në atë kohë, i cili ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Izraelin për t'u afruar me vendet arabe, sepse u kërkoi atyre mbështetje në luftën kundër dominimit britanik mbi naftën.

Pas një grusht-shteti në vitin 1953, të organizuar nga CIA me ndihmën e MI6 britanik, Shah Pahlavi riafirmoi pushtetin e tij dhe u bë një monark i fortë pro-perëndimor, raporton kp.

Pastaj u krijua një aleancë e ngushtë por diskrete midis Iranit dhe Izraelit, bazuar në interesa të përbashkëta dhe mbështetjen e Perëndimit. Ky ishte rasti deri në revolucionin e vitit 1979 dhe përmbysjen e Pahlavi.

Edhe pse Irani dhe Izraeli ndryshonin në sistemet politike, vlerat shoqërore dhe identitetet, interesat e përbashkëta dhe kërcënimet rajonale i bënë ata partnerë të natyrshëm.

Izraeli, i izoluar nga bota arabe, kërkonte me dëshpërim partnerë për tregti, furnizime me energji dhe bashkëpunim ushtarak. Irani, nga ana tjetër, kishte nevojë për inovacione teknologjike, pajisje ushtarake dhe mbështetje të inteligjencës për të modernizuar ushtrinë e tij dhe për të siguruar stabilitetin e regjimit.

Historiani i Universitetit të Oksfordit, Eirik Kvindesland, thotë se Izraeli kishte nevojë për Iranin më shumë sesa Irani për Izraelin.

“Izraeli ishte gjithmonë pala pro-aktive, por Shahu gjithashtu donte një mënyrë për të përmirësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, dhe në atë kohë, Izraeli shihej si një mënyrë e mirë për të arritur këtë qëllim. Ekzistonte gjithashtu mundësia e ndërtimit të një aparati sigurie, dhe shërbimi iranian i sigurisë dhe inteligjencës SAVAK ishte trajnuar pjesërisht nga Mossadi", tha ai.

Deri në revolucionin e vitit 1979, Irani kishte një nga komunitetet më të mëdha hebraike në Lindjen e Mesme jashtë Izraelit, e cila ishte e integruar mirë dhe shpesh shërbente si urë lidhëse midis dy vendeve.

Filmi i Dan Shadur dhe Barak Heyman "Para Revolucionit" u kujton shikuesve se në kryeqytetin iranian kishte një shkollë izraelite dhe se disa izraelitë në Iran fituan aq shumë para brenda pak vitesh saqë mund të përballonin blerjen e shtëpive në pjesët luksoze të Tel Avivit pas kthimit të tyre.

Sipas filmit, siç raportohet nga Times of Israel, thuhet se kishte fluturime midis dy vendeve, të cilat nuk ishin regjistruar zyrtarisht.

Gazeta Times of Israel në një artikull të titulluar "A ndihmoi Izraeli, nën Shahun, të fillojë programin bërthamor të Iranit?" kujton gjithashtu se filmi përshkruan në detaje marrëveshjet e mëdha të armëve, si dhe kornizën kontraverse të bashkëpunimit ushtarak dhe të inteligjencës. Gazeta shkruan se korniza ka të ngjarë të përfshijë ndihmën izraelite në krijimin e asaj që u bë programi bërthamor i Iranit.

Profesori i universitetit David Menshari, i cili kaloi dy vjet duke kryer kërkime në Iran në prag të Revolucionit Islamik, dikur e pyeti një zyrtar iranian pse Teherani nuk mund ta njihte zyrtarisht Izraelin, duke pasur parasysh se marrëdhëniet ishin kaq të përzemërta.

"Është më mirë të kesh një lidhje dashurie pa kontratë sesa të kesh një kontratë që nuk do të thotë shumë", ishin fjalët e cituara nga Menshari.

Gjatë vitit 1979, Revolucioni Islamik përmbysi regjimin e Shahut dhe Irani u shpall Republikë Islamike nën udhëheqjen e Khomeinit. Regjimi i ri krijoi një qeveri teokratike dhe Khomeini e shpalli Izraelin "Djallin e vogël" dhe SHBA-në "Djallin e madh", duke i shënuar kështu qartë armiqtë e tij kryesorë dhe duke hedhur themelet për orientimin e ri të vendit

Trump: Ne ia hoqëm bombën nga duart Iranit

Donald Trump ka postuar një mesazh të gjatë në Truth Social, duke sulmuar kongresmenin republikan Thomas Massie – i cili kritikoi sulmet amerikane ndaj Iranit si jokushtetuese.

Trump shkruan:

“Kishim një sukses spektakolar ushtarak dje, ia hoqëm 'bombën' nga duart (dhe do ta përdornin nëse do të mundnin!), por, si zakonisht, dhe pavarësisht gjithë lavdërimeve dhe vlerësimeve të marra, ky kongresmen 'i lehtë' është kundër asaj që u arrit me aq shkëlqim mbrëmë në Iran.”

Presidenti përfundon:

“MAGA nuk ka të bëjë me politikanë dembelë, që bëjnë shoë dhe nuk sjellin rezultate – dhe Thomas Massie është padyshim një prej tyre.

Faleminderit ushtrisë sonë të jashtëzakonshme për punën E MREKULLUESHME që bënë mbrëmë. Ishte me të vërtetë E VEÇANTË!!!”

SHBA i bën thirrje Kinës që të bindë Iranin të mos e mbyllë Ngushticën e Hormuzit

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u bëri thirrje të dielën autoriteteve kineze që të nxisin Iranin të mos mbyllë Ngushticën e Hormuzit, njërës prej rrugëve kryesore në botë për transportim të naftës.

Deklarata e Rubios në emisionin “Sunday Morning Futures with Maria Bartiromo” në Fox News erdhi pasi televizioni shtetëror iranian Press TV raportoi se Parlamenti i Iranit ka miratuar një masë për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë dhe gaz.

“Inkurajoj Qeverinë kineze në Pekin që t’i telefonojë [Iranit] për këtë çështje, sepse ata varen rëndë nga Ngushtica e Hormuzit për furnizimin me naftë”, tha Rubio, i cili shërben gjithashtu si këshilltar për sigurinë kombëtare.

“Nëse e bëjnë këtë, do të jetë një tjetër gabim i rëndë. Është vetëvrasje ekonomike për ta. Ne kemi opsione për ta trajtuar, por edhe vendet e tjera duhet ta shohin me seriozitet. Do t’i dëmtonte ekonomitë e tyre shumë më tepër se sa tonën”.

Rubio theksoi se një vendim për të mbyllur ngushticën do të përbënte një përshkallëzim masiv, që do të kërkonte përgjigje nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera./Rel

Izraeli kryen sulme ajrore në Iran: Vriten nëntë pjesëtarë të forcave iraniane të sigurisë

Nga: Bota sot

Irani njoftoi se nëntë pjesëtarë të forcave të tij të sigurisë u vranë pas një sulmi ajror izraelit mbi dy objekte ushtarake në qytetin Yazd.

Sipas agjencisë gjysmëzyrtare Fars, mes viktimave janë shtatë anëtarë të Gardës Revolucionare dhe dy ushtarë.

Izraeli nuk ka komentuar ende për sulmin, por Irani paralajmëroi se "do të përgjigjet në kohën e duhur".

Sulmi vjen mes tensioneve në rritje mes dy vendeve dhe shqetësimeve për një përshkallëzim të mëtejshëm në rajon.

Zbulohet momenti kur Trump dha urdhrin për bombardimin e Iranit

Nga: Bota sot

Presidenti Donald Trump dha urdhrin përfundimtar për sulm ndaj objekteve bërthamore iraniane të shtunën, sipas një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë që foli për CNN.

Pas disa ditësh diskutimesh të brendshme dhe përpjekjesh diplomatike nga i dërguari Steve Witkoff, Trump vendosi të mbështesë fushatën ushtarake të Izraelit.

Sipas zyrtarëve amerikanë, urdhri iu dha Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, pak minuta para se bombat të hidheshin.

Rreth orës 6:40 të pasdites me orën e SHBA-ve (2:10 të mëngjesit me orën lokale në Iran), avionë amerikanë lëshuan bomba të fuqishme “bunker buster” në dy objekte të dyshuara bërthamore në Iran.

Zëvendëspresidenti JD Vance deklaroi të dielën se Trump kishte mundësinë ta ndalte sulmin deri në momentin e fundit, por zgjodhi të vazhdonte.

Sulmi i SHBA-së 'shkatërroi' programin bërthamor iranian

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Pentagon, deklaroi se sulmet ajrore të kryera natën e kaluar kishin për qëllim të “dobësonin” dhe “shkatërronin” aftësitë bërthamore të Iranit.

Ai theksoi se operacioni kishte pasur një ndikim shkatërrimtar mbi programin bërthamor të Iranit, duke e cilësuar ndërhyrjen si një goditje të madhe ndaj ambicieve strategjike të Teheranit në këtë fushë.

Sipas Hegseth, sulmet ishin të planifikuara me kujdes për të shmangur viktimat dhe nuk kanë prekur trupat apo popullsinë civile iraniane.

“Ne e kemi bërë të qartë se nuk do të lejojmë që Irani të arrijë aftësi bërthamore që kërcënojnë stabilitetin rajonal apo aleatët tanë,” u shpreh Hegseth, duke shtuar se veprimet e ndërmarra ishin “të nevojshme dhe të justifikuara”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat