Mërgata, rimëkëmbja e vërtetë ekonomike për Kosovën

Diaspora

Mërgata, rimëkëmbja e vërtetë ekonomike për Kosovën

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 12:06
Foto ilustrim

Viti 2020 shkaktoi shumë dëme për xhepat e secilit kosovar. Kjo, si pasojë e pandemisë së koronavirusit, e cila ndikoi në ngadalësimin e aktivitetit ekonomik, shkaku i masave parandaluese, në secilin sektor në vend.

Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore, ekonomia e Kosovës në vitit 2020 pritet që të shënojë një rënie prej 7.2 për qind në terma real, e cila njëherit paraqet edhe goditjen më të rëndë që ka pësuar ekonomia e Kosovës në këto 20 vjet.

Njëri ndër faktorët që ndikuan që kjo situatë të ishte ndryshe, ishte edhe ndihma e vonuar nga Qeveria e Kosovës, e cila përveç disa ‘injuzioneve’ të dhëna për bizneset kosovare, tek pas 8 muajsh arriti ta votojë në Kuvend, Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili edhe pse u vonua shumë, shkaku i situatës politike, i njëjti nuk mund të zbatohet në tërësi pa aprovimin e buxhetit të vitit 2021.

Në krahasim me shumë vende të rajonit, ku nga Qeveritë u ndanë mbi 3 pako të rimëkëmbjes, ekonomisë kosovare në krahë duket se po i del Diaspora.

Kjo pasi, deri në tetor të këtij viti, rreth 800 milionë euro kanë hyrë në vend, si remitenca e qindra miliona të tjera në rrugë të tjera joformale.

Një gjë e tillë u konfirmua edhe nga guvernatori i BQK-së ditë më parë.

“Një faktor që ka ndikuar në zbutjen e pasojave të krizës kanë qenë pikërisht remitencat  nga diaspora, të cilat edhe në këtë kohë shumë të vështirë për ekonominë botërore vazhduan rrjedhën e qëndrueshme drejt ekonomisë tonë. Vlera e remitencave të pranuara deri në tetor 2020 ishte 796.5 milionë euro”, tha Mehmeti.

Se efektet e pandemisë në ekonominë e Kosovës do të ishin shumë më të rënda, pa ndihmën e mërgimtarëve e thotë edhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.

Zeka thotë se duke e ditur strukturën jo të qëndrueshme që e karakterizon ekonominë e Kosovës, si dhe dështimet në tërheqjen e investimet e huaja direkte, roli i Diasporës është i pazëvendësueshëm, si në aspektin e dërgesave për familjet kosovare, po ashtu edhe përmes vizitave në Kosovë.

“Diaspora përmes dërgesave të saj por edhe vizitave në Kosovë ndikon në rritjen e kërkesës agregate, respektivisht në nxitjen e konsumit”

Ai shton se nëse analizohet edhe struktura e investimeve të huaja direkte si në aspektin e origjinës sipas shteteve, por edhe sektorëve ku ndodhin këto investime, atëherë sërish vërehet roli kyç që ka Diaspora edhe në aspektin e investimeve të huaja. 

“Efektet e pandemisë në ekonominë e Kosovës do të ishin shumë më të rënda po të mos ishte ndikimi i patjetërsueshëm i diasporës, e pa këtë nuk do të mund të kishim as rritjen ekonomike që e kemi pasur përgjatë të gjithë viteve të shkuara”

Se diaspora kosovare, po del të jetë shpëtimtare, e konfirmojnë disa prej bizneseve të cilat frekuentohen në masë të madhe nga mërgimtarët gjatë vizitave në Kosovë.

Fjalët e Zekës, i vërteton Sulejman Limani, pronar  i kafiterisë 'Cozy' në Prishtinë.

Limani thotë se diaspora gjithmonë i ka shpëtuar bizneset, duke e pranuar kështu që pas ardhjes së tyre ka pasur rritje të të hyrave

“Gjithmonë i kanë shpëtuar bizneset, mërgimtarët dhe gjithmonë është atmosfere sa herë është prania e tyre.

Sipas tij, problematike në këtë fundvit po del të jenë masat antiCovid, të cilat po irritojnë mërgimtarët.

“Po kemi rritje të punës, por as mërgimtarët nuk janë të kënqaur për arsye të orarit të punës. Ne jemi duke mbajtur shprese për zgjatje të orarit, sepse nëse vetëm vazhdon ky orar shumë biznese do të mbyllen. Ne jemi duke shpresuar që për festa të kemi lirim të masave dhe atmosferë më të mirë.

Në mesin e shumë bizneseve që ia shohin hairin mërgimtarëve janë dhe marketet e vogla.

Një gjë të tillë e konfirmon Safet Maxhuni, pronar i 'Valona Market' në Prishtinë.

Ai thotë se ndër vite ka pasur rritje të qarkullimit, pas ardhjes së diasporës.

Edhe pse edhe ata i ka godit pandemia nga vendet prej nga vijnë, kur po vijnë në Kosovë ata prapë po shpenzojnë. Po vërehet se prej fillimit të muajit ka fillu mu rrit qarkullimi edhe po ka punë ma shumë, faleminderit prej tyre, pa ta sdi qysh ia kishim dal.

Maxhuni shton se problem mbetet orari i shkurtër i punës, por, shpreson që masat do të lirohen për festat e fundvitit.

Mërgimtarët që kalojnë pushimet në Kosovë, të njëjtën kohë e përdorin në masë të madhe edhe për të kryer shërbime stomatologjike.

Stomatologu Donat Begzati nga ordinanca stomatologjike ‘Dental Plus Clinic’ thotë se mërgata është Rimëkëmbja e vërtetë ekonomike për Kosovën.

“Për javën e fundit të dhjetorit në ordinancën tonë, pothuajse të gjitha terminet janë të zëna dhe shumica e pacientëve vijnë nga mërgata. Kjo tregon që ardhja e tyre ka shtuar intensitetin e punës në ordinancën tonë.

Begzati shton se masat e marra karshi pandemisë, kanë ndikuar negativisht në punën e tyre, por në krahasim me bizneset e tjera, sipas tij ordinancat stomatologjike kanë arritur ta përballojnë më lehtë këtë periudhë.

Për më tepër ai i ka falenderuar mërgimtarët për ndihmë, duke kërkuar që të njëjtit të i përmbahen rekomandimeve kundër përhapjes së virusit Covid-19

“Pandemia mund të themi se ka ndikuar edhe në ordinancë sikur edhe në çdo sektor tjetër të ekonomisë. Por në krahasim me sektorët tjerë dhe situatën me pandemi mendoj se ordinancat stomatologjike kanë arritur ta perballojnë më lehtë këtë kohe. Shfrytëzoj rastin të i falenderojmë shumë, secilin, dhe të ju kërkojmë të bëjnë kujdes, e të iu përmbahen rekomandimeve kundër përhapjes së virusit Covid19.

Ndryshe, Kryeministri Avdullah Hoti gjatë ditës së sotme, ka deklaruar se ka dyndje të madhe të qytetarëve dhe do të kujdesen që me masat që ndërmarrim për mbrojte nga COVID të krijojmë kushte të volitshme për bizneset si dhe për të lëvizur qytetarët, por, në të njëjtën kohë do të sigurohen të mbajnë nën kontroll situatën me COVID.

Kujtojmë se ditëve të fundit, debat i madh u shkaktua nga disa shkrime ofenduese karshi diasporës nga gazetari Valon Syla që nga shumë persona u cilësuan si fyerje.

Për të njëjtin  u bë thirrje që të i mbyllet llogaria e një gjë e tillë tashmë ka ndodhur./syri

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat