Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ/DAIGS) ka reaguar ndaj debatit të hapur në mediat zvicerane për xhamitë shqiptare. Në një komunikatë të datës 10 nëntor, komuniteti kundërshton atë që e cilëson stigmatizim kolektiv.
Në komunikatë thuhet se komuniteti dënon pa rezervë çdo formë ekstremizmi dhe intolerance, riafirmon përkushtimin ndaj vlerave demokratike dhe është i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet zvicerane. KMSHZ kujton se një pjesë e madhe e anëtarëve të tij janë shtetas zviceranë, me të drejta dhe detyrime të plota qytetare. Komuniteti kërkon të vlerësohet sipas veprimeve, angazhimit qytetar, respektit për institucionet dhe kontributit në shoqëri, e jo përmes përgjithësimeve.
Rasti i imamit Bashkim Aliu
Reagimi vjen pas rastit të imamit Bashkim Aliu nga Wetzikoni, një nga imamët më me ndikim në Zvicër, i cili mbeti pa asnjë funksion në organizatat myslimane. Sipas gazetës “SonntagsZeitung”, Aliu në vitin 2017 e kishte quajtur në Facebook Paradën e parë të Krenarisë në Prishtinë “paradë e turpit”. Gazeta raportoi gjithashtu se ai kishte marrë pjesë në një konferencë ku kishin folur edhe përfaqësues të Vëllazërisë Myslimane.
Federata e Organizatave Islame në Zvicër (FIDS) e shkarkoi atë nga drejtimi i Komisionit të Imamëve, ndërsa nga Unioni i Organizatave Islame të Cyrihut (VIOZ) Aliu dha vetë dorëheqje. Aliu erdhi në Zvicër në vitin 2011 nga Maqedonia e Veriut dhe njihej si specialist për çështjet e integrimit.
Televizioni publik zviceran SRF ka hapur ndërkohë debatin nëse xhamitë në Zvicër kanë problem me homofobinë. SRF i referohet raportimit të “SonntagsZeitung”, sipas së cilës disa xhami kishin ftuar mysafirë nga jashtë që lidhen me deklarata homofobe. FIDS dhe VIOZ janë distancuar nga Aliu pasi u bënë publike zbulimet.