Kushdo që fluturon nga Zvicra ose drejt saj, përfshirë mijëra bashkatdhetarë që udhëtojnë rregullisht drejt Prishtinës, Tiranës apo Shkupit, do të ketë nga viti i ardhshëm të dhënat e tij të udhëtimit nën kontrollin e policisë federale.
Ligji zviceran për të dhënat e pasagjerëve ajrorë ka hyrë në fuqi më 1 nëntor 2026, ka njoftuar Këshilli Federal. Njësia e posaçme për informacionin e pasagjerëve (PIU), pranë Zyrës Federale të Policisë (fedpol), fillon punën më 1 shkurt 2027.
Çfarë ndryshon?
Sipas ligjit, kompanitë ajrore duhet t'ia dërgojnë njësisë së fedpol-it të dhënat e pasagjerëve për të gjitha fluturimet nga jashtë drejt Zvicrës dhe nga Zvicra drejt jashtë. Të dhënat krahasohen me sistemet policore, me qëllim që të zbulohen terroristët dhe autorët e veprave të rënda penale para nisjes ose para hyrjes në vend.
Kompanitë ajrore janë të detyruara t'i njoftojnë pasagjerët se të dhënat e tyre i dërgohen fedpol-it, duke përfshirë bazën ligjore dhe të drejtën për informim.
Fillim i kufizuar
Njësia e re do të ndërtohet hap pas hapi. Në vitin 2027 ajo nis me tetë punonjës dhe me funksionim të kufizuar, sipas orarit të punës, numrit të linjave të lidhura dhe sasisë së të dhënave.
Sipas Këshillit Federal, të dhënat mund t'i përdorin vetëm punonjësit e PIU-së, ndërsa mbrojtja e të dhënave është e garantuar me ligj.
Zvicra ndjek shembullin e mbi 70 shteteve
Mbi 70 shtete, përfshirë vendet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, i mbledhin dhe i kontrollojnë tashmë të dhënat e pasagjerëve ajrorë, ka raportuar radiotelevizioni zviceran SRF. Sipas fedpol-it, përvoja e këtyre vendeve tregon se kontrollet çojnë me shumë gjasë në zbulimin e rasteve të krimit të rëndë dhe të terrorizmit.
Zvicra dhe BE-ja kanë nënshkruar edhe një marrëveshje të veçantë për shkëmbimin e këtyre të dhënave. Këshilli Federal synon ta fusë atë në fuqi në fillim të vitit 2027.