Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih ka njoftuar se nga 20 nëntori 2026 do të zgjatet orari i shërbimit me qytetarë gjatë ditëve të premte.
Sipas njoftimit të Konsullatës, qytetarët do të mund t’i kryejnë shërbimet konsullore deri në orën 17:00, në vend të orarit të deritanishëm, i cili përfundonte në orën 12:00.
Ky ndryshim synon të lehtësojë qasjen e mërgatës në shërbimet konsullore dhe t'u mundësojë bashkatdhetarëve më shumë fleksibilitet për t'i kryer obligimet e tyre, veçanërisht atyre që për shkak të angazhimeve gjatë ditëve të punës e kanë të vështirë të paraqiten në konsullatë.
Ndërkohë, orari i shërbimit gjatë ditëve të tjera të javës do të mbetet i pandryshuar.
Konsullata ka bërë të ditur se ky vendim është marrë me qëllim të avancimit të vazhdueshëm të shërbimeve konsullore dhe lehtësimit të qasjes së bashkatdhetarëve në shërbimet që ofron për mërgatën në Zvicër.