Banorët e Zvicrës kanë edhe pak më shumë se dy javë kohë për ta ndërruar sigurimin bazë shëndetësor ose modelin e sigurimit për vitin 2027. Sipas Entit Federal për Shëndetësi (BAG), ndërrimi mund të bëhet deri në fund të nëntorit, pra më së voni të hënën, më 30 nëntor.
Afati vjen në një kohë kur primet rriten sërish ndjeshëm. Prima mesatare mujore në Zvicër do të jetë 412 franga në vitin 2027, që është 19.70 franga ose 5 për qind më shumë se këtë vit.
Sa paguajnë të rriturit, të rinjtë dhe fëmijët
Për të rriturit, prima mesatare mujore rritet për 22.80 franga dhe arrin në 487.60 franga. Për të rinjtë e rritur, ajo shkon në 338.80 franga, ndërsa për fëmijët në 128.10 franga në muaj.
Dallimet mes kantoneve mbeten të mëdha. Rritjen më të madhe e ka kantoni i Jurës, me 6.6 për qind, ndërsa më pak rriten primet në Glarus. Më i liri mbetet Zugu, me një primë mesatare prej 276.20 franga për të gjitha moshat, kurse Ticino ka nivelin më të lartë, me 519.90 franga. Në Gjenevë, të rriturit paguajnë mesatarisht mbi 600 franga në muaj.
BAG thotë se rritja vjen nga numri më i madh i trajtimeve, përparimi i teknologjisë mjekësore dhe plakja e popullsisë. Vetëm në vitin 2025 kostot e sigurimit të detyrueshëm u rritën për 5.3 për qind.
Si të kurseni
Sigurimi bazë ofron të njëjtat shërbime te të gjitha shoqëritë, por çmimet ndryshojnë shumë, edhe brenda të njëjtit kanton. Prandaj krahasimi mund të sjellë kursim prej qindra frangash në vit, sidomos për familjet me disa anëtarë.
Krahasimi mund të bëhet falas në faqen zyrtare të Konfederatës, priminfo.ch, ku renditen të gjitha primet sipas kantonit, moshës, franshizës dhe modelit. Çmimi ulet zakonisht edhe me një model alternativ, si modeli me mjek familjar, telemjekësi ose rrjet mjekësh, si dhe me një franshizë më të lartë, por kjo e dyta ia vlen kryesisht për ata që shkojnë rrallë te mjeku.
Çfarë duhet pasur kujdes
Kush vendos të ndërrojë sigurimin duhet të sigurohet që njoftimi për ndërprerje të arrijë te siguruesi aktual brenda afatit. Për këtë arsye shumë njerëz e dërgojnë letrën me postë rekomande disa ditë më herët. Në sigurimin bazë, sipas BAG-ut, siguruesit janë të detyruar ta pranojnë çdo person, pavarësisht moshës apo gjendjes shëndetësore.
Ndryshe është me sigurimet shtesë, të cilat kanë rregulla dhe afate të veçanta sipas kontratës. Për to, siguruesi mund të kërkojë të dhëna për shëndetin. Prandaj këshillohet që sigurimi shtesë të mos ndërpritet para se të konfirmohet pranimi te siguruesi i ri.
Për pyetje konkrete për policën e tyre, të siguruarit mund t’i drejtohen shoqërisë së tyre të sigurimit, e cila sipas ligjit është e detyruar të japë këshillim dhe informim falas. Familjet me të ardhura më të ulëta duhet të kontrollojnë edhe nëse kanë të drejtë në subvencione kantonale për uljen e primeve.