Kori i Fakultetit të Arteve të Universitetit “Haxhi Zeka” nga Peja ka mbajtur dy koncerte në Hungari, në kuadër të bashkëpunimit kulturor me universitetet e këtij vendi.
Më 18 nëntor, në Sallën Ceremoniale të Urdhrit Cistercian në qytetin e Pecsit, u mbajt koncerti i përbashkët “Choral Echoes: From Peja to Pecs”, ku kori nga Peja performoi së bashku me Korin e Universitetit të Pecsit.
Performanca u drejtua nga profesorët Hysen Nimani dhe Tamás Lakner, ndërsa koncerti u mbështet nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Hungari.
Një ditë më herët, më 17 nëntor, kori nga Peja kishte performuar edhe në Aula Magna të Universitetit ELTE në Budapest, së bashku me Korin “Bela Bartok” të këtij universiteti.
Në këtë koncert, kori u drejtua nga profesorët Hysen Nimani dhe Laszlo Kovacs, ndërsa u shoqërua nga koorepetitori Gent Kumnova.
Përmes një njoftimi, Ambasada e Kosovës në Hungari ka vlerësuar këto dy aktivitete muzikore, duke shprehur mirënjohje për profesorët që kontribuuan në realizimin e tyre.