CYRIH – Zinxhiri i njohur zviceran i mobilieve Micasa ka pronar të ri. Një grup investitorësh i udhëhequr nga sipërmarrësi i logjistikës Toni Shala ka marrë 100 për qind të aksioneve të Micasa AG, siç njoftoi kompania.
Sipas mediave shqiptare në Zvicër, Shala është me origjinë nga Kosova. Gazeta Blick shkruan se, sipas regjistrit tregtar, ai zotëron të gjitha aksionet që nga fundi i tetorit. Ai lidhet me kompaninë Jubex Transporte AG në Spreitenbach, ku është që nga viti 2012. Që nga viti 2025 ai është edhe në drejtimin e kompanisë së softuerit Tobb GmbH.
Ndryshime në krye dhe shkurtime
Me ndërrimin e pronarit ka ndryshuar edhe udhëheqja. Ish-drejtori operativ, Manuel Landolt, është emëruar drejtor ekzekutiv, ndërsa kryetari Philipp Agustoni ka dhënë dorëheqje.
Pronarët e rinj kanë konfirmuar mbylljen e katër filialeve, në Crissier, Langendorf, Brügg dhe Buchs AG. Rreth 70 punonjës rrezikojnë largimin nga puna, por kompania thotë se po shqyrton mundësitë për t'i mbajtur disa prej tyre. Sipas Micasa-s, mbyllje të tjera nuk janë planifikuar.
Shala ka paralajmëruar investime kryesisht në teknologjinë e informacionit dhe në zgjidhje digjitale. Qëllimi është përmirësimi i blerjeve, logjistikës, disponueshmërisë së mallrave dhe shërbimit ndaj klientëve. Ai deklaroi se mbështet afatgjatë Micasa-n.
Javë të vështira për klientët
Ndërrimi i pronarit erdhi pas javësh problemesh me dërgesat. Disa klientë u ankuan në media se nuk kishin marrë mobiljet e paguara. Kompania thotë se logjistika tani është stabilizuar dhe se dërgesat e mbetura po kryhen me përparësi.
Micasa u shit nga Migros në shkurt të vitit 2025 përmes një blerjeje nga menaxhmenti. Që nga shtatori i atij viti vepron si kompani e pavarur.