Dosja e armëve dhe drogës pas vrasjes misterioze të Luka Beqirajt në Spanjë

Diaspora

Dosja e armëve dhe drogës pas vrasjes misterioze të Luka Beqirajt në Spanjë

Më: 12 nëntor 2026 Në ora: 19:19
Luka Beqiraj, viktima dhe vendi i krimit në Orihuela Costa

39-vjeçari shqiptar, i njohur me pseudonimin “Kriols”, u ekzekutua me armë zjarri në Orihuela Costa. Ai kishte lidhje me grupe kriminale shqiptaro-italiane dhe ishte arrestuar në vitin 2019 gjatë një operacioni të gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe armëve…

Luka Beqiraj, 39-vjeçari shqiptar që u vra të martën në një kompleks sportiv në Orihuela Costa të Spanjës, kishte një të kaluar kriminale të lidhur me organizata shqiptaro-italiane që merreshin me trafikun ndërkombëtar të drogës, armëve dhe municioneve.

Sipas gazetës spanjolle El Espanol, Beqiraj, i njohur me pseudonimin “Kriols”, kishte qenë më parë pjesë e rrjeteve kriminale që vepronin në Itali, ndërsa autoritetet e kishin arrestuar dhe burgosur për përfshirjen e tij në aktivitete të paligjshme.

Garda Civile spanjolle vijon kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorit që qëlloi për vdekje shqiptarin në zonën e Playa Flamenca dhe më pas u largua nga vendngjarja.

Hetuesit po shqyrtojnë disa pista, përfshirë mundësinë që vrasja të lidhet me konflikte ose detyrime të mbetura nga e kaluara kriminale e viktimës. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende motivin e krimit.

Nga Vlora në rrjetet kriminale të Italisë

Luka Beqiraj lindi në vitin 1987 në Vlorë. Ai ishte arrestuar në vitin 2016 pasi kishte sulmuar dhunshëm një person tjetër, duke i shkaktuar plagë të rënda, shkruan media spanjolle.

Tre vjet më vonë, në vitin 2019, autoritetet italiane e arrestuan gjatë operacionit të koduar “Lulet e Pranverës” (Flores de Primavera), të zhvilluar nga Policia Financiare italiane. Operacioni përfshiu më shumë se 100 efektivë dhe përfundoi me arrestimin e 27 personave, pas një hetimi që kishte zgjatur dy vjet.

Sipas autoriteteve italiane, personat e përfshirë në hetim dyshoheshin për trafik ndërkombëtar droge, si dhe për posedim dhe futje të paligjshme në Itali të armëve dhe municioneve të luftës.

Mes 27 të arrestuarve, 21 ishin shtetas shqiptarë. Në listën e tyre figuronte edhe emri i Luka Beqirajt, së bashku me fotografinë e tij të identifikimit policor.

Grupi kriminal me të cilin lidhej Beqiraj kishte baza operative në provincën italiane të Leçes dhe shtrinte veprimtarinë në disa rajone të tjera, përfshirë Kalabrinë, Toskanën, Emilia-Romanjën, Sicilinë, Ligurinë dhe Lombardinë.

Costa Blanca, zonë ku strehohen edhe persona të lidhur me krimin e organizuar

Sipas medias spanjolle, rajoni i Costa Blanca në Spanjë është kthyer gjatë dekadave të fundit në një destinacion ku vendosen edhe persona me të kaluar kriminale nga vende të ndryshme.

Lidhjet e mira të transportit, afërsia me korridorin mesdhetar, aeroportet, portet turistike dhe lëvizja e madhe e vizitorëve krijojnë kushte që mund të shfrytëzohen nga rrjetet kriminale ndërkombëtare.

Disa prej këtyre personave zgjedhin zona ku kanë bashkëpunëtorë, lidhje logjistike ose komunitete bashkatdhetarësh që mund t'u lehtësojnë qëndrimin.

Megjithatë, prania në këto territore nuk i përjashton konfliktet mes grupeve rivale, të cilat në raste të caktuara përfundojnë me vrasje.

José Luis Gil, bashkëdelegat në Spanjë i Shoqatës Evropiane të Analistëve të Inteligjencës Kriminale (EACA), shpjegon për El Espanol se vrasjet e kryera në hapësira publike mund të kenë edhe një qëllim demonstrues.

Sipas tij, organizatat kriminale mund t'i përdorin këto akte për t'u dërguar paralajmërime grupeve rivale, për të ruajtur disiplinën e brendshme ose për të zgjidhur konfliktet mes tyre.

Eksperti vëren gjithashtu se veprimtaria e grupeve kriminale në këtë rajon ka ndryshuar me praninë e organizatave që përfshijnë shtetas nga vende të ndryshme, përfshirë Shqipërinë, Serbinë, Gjeorgjinë dhe Rusinë.

Hetimet për vrasjen e shqiptarit vijojnë

Orihuela Costa është një nga zonat ku autoritetet spanjolle po përballen me veprimtarinë e grupeve kriminale ndërkombëtare.

Vrasja e Luka Beqirajt ka rikthyer vëmendjen te konfliktet e mundshme mes këtyre rrjeteve, por hetuesit nuk kanë përcaktuar ende nëse ngjarja lidhet drejtpërdrejt me të kaluarën e tij.

Garda Civile vazhdon operacionin për kapjen e autorit dhe sqarimin e rrethanave të vrasjes. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat