Mërgimtarët (s)duhet të votojnë?

Diaspora

Mërgimtarët (s)duhet të votojnë?

Nga: Ramiz Selimi Më: 6 janar 2022 Në ora: 18:05
Ramiz Selimi

Gjatë qëndrimit tim shtatë mujor në Kosovë, vit që pati dy palë zgjedhje, ajo që më së tepërmi më ka rënë ta dëgjoj ishte një polarizim i panevojshëm për votimin e mërgimtarëve, se duhej apo nuk duhej të merrnin pjesë në votime.

Ishte kohë e mjaftueshme për t’i vërejtur arritjet pozitive, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në shërbim, sjellje dhe në përgjithësi kishte një ngritje të nivelit, që nga perëndimi rrallëherë mund të dallohen. Megjithatë nga këndvështrimi im për vlera perëndimore mund ta veçoj Komunën e Klinës që është shembulli më pozitiv. Madje kjo qytezë mund të merret si model për komunat tjera në Kosovë. Ajo nuk dallonte shumë nga qytetet evropiane, në shumë aspekte, si në emancipim, si në sjellje, por edhe për mungesë të punëtorëve, pa u futur tash në problemet tjera të shoqërisë, si sigurimet dhe niveli i pagës.

Të thuhet hapur se ne nuk duam mërgimtarët të na përcaktojnë se kush duhet të qeveris me ne, është më tepër thirrje e cila ndanë dhe nxitë urrejtje mes vëllezërve. Është një thirrje aspak e menduar mirë, që duhet të ketë dalë nga ndonjë politikan ose analist mediokër. Madje ky mendim më tepër i ngjanë mendësisë orientaliste, ku atje paska disa shtete që mohojnë votën e qytetarëve të cilët jetojnë përkohësisht jashtë, madje ata as me ligj s’kishin drejtë vote. Përderisa 3-4 milionë gjermanë që jetojnë në shtete të ndryshme evropiane edhe pse me numër të vogël gjithnjë votojnë. Nuk duhet ta përziejmë votimin me postë dhe diasporën, pasi në këtë mënyrë voton ¼ e popullsisë. P.sh. në Vjenë votojnë deri në 400 mijë votues me postë.

Dhe, ana tjetër negative, (që nuk ka pësuar asnjë ndryshim nga vitet e nëntëdhjeta, përkundrazi ka ngritje), siç janë: 1. Prezantimi dhe paraqitja  e rreme “fake” në secilin rast, para farefisit, mikut dhe shokut. 2. Mosbesimin dhe Gënjeshtrën i has jo vetëm gjatë kafes, por edhe në punët dhe kontratat që ti mund të kesh dhe 3. Inatet e Xhelozia janë po ashtu në kulm, gjëra që të bëjnë të mërzitësh se për çfarë arsye këto gjëra negative ushqehen vazhdimisht brez pas brezi. Por të kthehemi përsëri tek votuesit nga diaspora.

Cilët mërgimtarë votuakan dhe në çfarë numri?

Afërsisht të themi nga një milionë kosovarë, (pasi nganjëherë mendohet se jashtë vendit jetojnë gjysma e qytetarëve që i bie ndoshta 1,5 milionë), vetëm një pjesë tepër e vogël, madje simbolike e tyre marrin pjesë në zgjedhje. Kjo ndodhë pikë së pari për shkak të mungesës së interesit dhe pastaj faktor tjetër janë barrierat burokratike. Atëherë kur i analizon këto fakte të pjesëmarrjes së tyre, ky diskurs i panevojshëm më tepër i ngjanë  një budallallëku sesa interesit tonë të përbashkët. Sa qenka numri ideal i atyre që votojnë në vendlindje dhe kjo duhet të dëshmohet, jo me spekulime por me fakte. Në KQZ ekziston numri i saktë i atyre që votuan në zgjedhjet parlamentare të themi nga 14 shkurti, që është diku 57 mijë. A mund të quhen studentët, kompanitë dhe stafi diplomatik me familjet e tyre, mërgimtarë? Unë them, Jo!

Meqenëse nuk e kam numrin e saktë të studentëve që studiojnë jashtë, as të kompanive me punëtorë dhe as të stafit diplomatik me familjet e tyre të cilët votojnë me postë, më duhet të spekulojë dhe të them se gjysma e votuesve nga KQZ duhet t’i përkasin këtyre kategorive. Kurse gjysma tjetër duhet të jenë qytetarë që në 5 vitet e fundit në një formë ose tjetër kanë dal jashtë dhe janë akoma të lidhur shumë me vendlindjen. Kujtoj se në mesin e tyre mund të ketë edhe raste sporadike të votuesve të moshuar. Të mos flasim për gjeneratën e dytë dhe të tretë, e cila është 0% e interesuar të marr pjesë në zgjedhje. Përderisa prindërit e tyre të cilët e bëjnë zhurmën e madhe në rrjetet sociale, për njërin ose tjetrin subjekt politik kurrë nuk votojnë. Këtë lloji publiciteti pa pagesë për subjektin e preferuar e bëjnë për shkak dëshpërimit dhe rrezikut të asimilimit.

Flitej dhe spekulohej se  plotë autobusë dhe aeroplanë sollën mërgimtarët për të votuar? Ata duhet të kenë emër dhe mbiemër! Kush janë ata? Nëse dëshiron ta kesh një barometër më të saktë, atëherë fillo dhe numëro në lagjen tënde. 13 nga 24 familje gjithsejtë jetojnë jashtë, me një numër anëtarësie më të lartë se të atyre që jetojnë brenda. Kush erdhi të votoj me autobus, e kush me aeroplan? Askush! Sa persona dërguan votimin me postë? Gjashtë! Prej tyre dy studentë me dëshirë që kishin influencuar edhe katër veta. Dhe, kjo është e vërteta.

Demokracia thotë, se secili qytetarë që gjendet në listë mund të votojë.

Nuk e kuptoj arsyen e vërtet pse dikush po përpiqet t’i përjashtojë nga këto procese mërgimtarët. Zgjedhjet lokale treguan se mërgimtarët dinë të ndëshkojnë atëherë kur nuk i ke bërë detyrat. Kandidatët për asamblistë dhe kryetarë komunash vetë ishin ata që i kontaktuan qytetarët e komunave të tyre në mërgim. Aranzhuan takime, premtuan dhe në fund morën votat. P.sh. në Linz nga Komuna e Dragashit mendohet se jetojnë mbi 3 mijë qytetarë të saj dhe të interesuarit nga partitë e balotazhit ja mësynë këtij qyteti që të marrin votën. Votuesit e thanë fjalën e tyre dhe mirë bënë, sepse ata janë qytetarë të Kosovës.

Nuk është në rregull të mendohet se vetëm ata që e hanë çorbën mund ta thyejnë edhe pjatën. Sot është koha e internetit ku të gjitha çështjet, propozimet, pikëpamjet dhe dallimet mund të përcillen edhe nga jashtë, prandaj nuk qëndron teoria se mërgimtarët nga larg nuk e kuptojnë drejtë situatën, kush është më i mirë dhe kush më i keq.  Edhe pse nuk po e han supën, ata jo vetëm që kontribuuan, por edhe sot e kësaj dite po japin maksimumin në mbajtjen gjallë të këtij shteti. Madje mendoj që mërgimtarët janë kurban i gjallë i shtetit të Kosovës, sepse ata jo vetëm që dhanë gjithçka nga vetja e tyre, por sakrifikuan familjen duke ndarë investimet për vendlindje. Edhe pse jetojnë në vend të huaj ata duhet të trajtohen si qytetarë të barabartë dhe me të drejtë vote në secilin çast. Nga këtu ju them të gjithë atyre që gjenden në lista, votoni sa herë të kini dëshirë dhe votoni atë që ua do zemra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat