Franca provokon Barcelonën

Futboll

Franca provokon Barcelonën

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 11:03
Franca provokon Barcelonën

Të martën që vjen Barcelona do të përballet me PSGnë në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave në Ligën e Kampioneve dhe “France Football” ia ka dedikuar kopertinën Lionel Mesit duke e veshur me fanellën e PSG-së. Në analizën e bërë nga revista franceze shkruhen mundësitë e këtij transferimi.

Një tjetër provokim për të ardhmen e argjentinasit. Diçka e tillë ka tërbuar kampin katalanas dhe mendohet se në Francë kanë nisur “luftën” për të shpërqendruar kapitenin përpara dy ndeshjeve të rëndësishme në Champions. Publikimi i realizuar në formën e një reportazhi ka zërat e disa specialistëve në ekonomi, të cilët tregojnë shanset për të ndodhur një transferim i tillë.

Nuk duhet të harrojmë që zërat për kalimin e Leos nga Barcelona në Paris janë bërë gjithmonë e më të shumtë dhe shanset janë reale që “Pleshti” të veshë fanellën franceze dhe të luajë në Paris sezonin e ardhshëm. Di Maria, Nejmar dhe Paredes kanë dalë hapur duke ftuar sulmuesin e Barcelonës, por edhe Leonardo si drejtor sportiv e pranoi diçka të tillë.

“Futbollistë të mëdhenj si Mesi janë gjithmonë të mirëpritur te PSG-ja. Për momentin nuk duhet të flasim apo të ëndërrojmë këtë gjë. Jemi të ulur në tryezën e bisedimeve për të dhe kemi një vend të rezervuar. Por, kemi 4 muaj futboll për të luajtur dhe ato duken si përjetësi”, ka thënë Leonardo.

Rrogë si Bekham – Një nga çështjet që duhet zgjidhur nëse Mesi do të transferohet te PSG-ja është rroga e tij. Lionel Mesi mund të përfitojë 74.2 milionë euro në vit neto, duke përfshirë këtu edhe premiot. Një rrogë e tillë është si ajo e Bekhamit dhe kjo është strategjia e klubit francez.

Paga e tij do të bëhet përmes fondeve të ndryshme dhe fushatave të marketingut në Katar. Mesi sigurisht që është i joshur nga diçka e tillë, por ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar. Kapiteni i Barcelonës ka thënë se në fundin e sezonit do të vendosë se çfarë do të bëjë. Sigurisht që ai dëshiron të shikojë edhe zgjedhjet presidenciale në klubin e tij dhe pastaj të zgjedhë më të mirën për karrierën dhe familjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat