Java e 32-të hapet me Kukësi-Vllaznia

Futboll

Java e 32-të hapet me Kukësi-Vllaznia

Më: 7 maj 2021 Në ora: 11:40
Java e 32-të hapet me Kukësi-Vllaznia

Më 29 nëntor të 2020-ës Kukësi përjetoi një nga pak çastet e lumtura të këtij edicioni. Blutë fitonin në Shkodër, madje duke i shënuar 4 gola Vllaznisë, që ishte dhe mbetet një nga mbrojtjet më të mira të kampionatit. U duk si një dëshmi force e skuadrës që në atë kohë trajner kishte Gegën, edhe pse tekniku nuk ishte në stol sepse po kurohej për shkak të Covid-it. U duk si një shenjë e qartë që Kukësi do të luftonte për titull, por ishte “një flakë kashte”.

Tashmë në sfidën e fundit të sezonit përballë kuqebluve, Kukësi vjen me 3 humbje rradhazi, ku nuk ka shënuar asnjë gol e pësuar 8, me vetëm 1 fitore në 13 ndeshje në kampionat dhe me një pozicion modest për ta, që është vendi i 6-të, pa objektiva për Europën.

Atëherë ku do ta gjejnë motivimin futbollistët , të cilët kanë ndonjë pakënaqësi edhe me shpërndarjen e pagesave, motivimin duhet ta gjejnë tek e ardhmja e tyre, sa më shumë paraqitje zhgënjyese aq më pak shanse kanë të sigurojnë një kontratë të mirë, qoftë me Kukësin apo diku tjetër.

E nëse flasim për motvimin, atëherë  në krahun tjetër ky element është në dozat maksimale, sepse Vllaznia që në fillim askush nuk e priste në këto pozita, vijon të jetë e përfshirë fuqishëm në garën për titull kur kanë mbetur edhe  5 ndeshje nga fundi.

Kuqeblutë kanë mbledhur vetëm 1 pikë në dy ndeshjet e fundit dhe nuk kanë më asnjë rrugë tjetër në këtë takim vetëm se marrjen e fitores në “Elbasan Arena”. Diferenca me vendin e parë është 3 pikë dhe objektivi javor i Vllaznisë është të paktën të mos lejojnë Partizanin të shkëputet më shumë. Në letër duken shkodranët një hap më përpara, megjithatë nënlvlerësimi kundrejt një skuadre që ka në organikë dy golashënusit më të mirë të Superiores, do të ishte një “harakiri” epik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat