Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka lavdëruar paraqitjen e Alejandro Baldes në fitoren 4:1 ndaj Sabahut në Ligën e Kampionëve, pasi i besoi mbrojtësit një vend në formacionin titullar për herë të parë këtë sezon.
Deklaratat pozitive të teknikut gjerman përbëjnë një ndryshim të dukshëm në qëndrimin ndaj futbollistit, i cili kohëve të fundit është përfolur për një largim të mundshëm nga ‘Camp Nou’ gjatë afatit kalimtar të janarit.
Alejandro Balde zhvilloi një paraqitje bindëse të mërkurën mbrëma në Azerbajxhan, duke dëshmuar sërish cilësitë e tij në fitoren e Barcelonës në udhëtim në Baku.
Pas përfundimit të ndeshjes, Hansi Flick theksoi se nuk është aspak e lehtë për një futbollist që ka pak minuta në dispozicion të aktivizohet papritur në një ndeshje evropiane dhe të paraqitet në nivel të lartë.
“Alejandro Balde zhvilloi një ndeshje të mirë. Sipas mendimit tim, ai ishte i shkëlqyer. Siç e dini, nuk është e lehtë për një lojtar që nuk ka shumë minuta aktivizimi të futet papritur në një ndeshje të tillë”, deklaroi Flick.
Para udhëtimit në Baku, Balde kishte regjistruar vetëm 124 minuta lojë në pesë paraqitje si zëvendësues gjatë këtij sezoni.
Pavarësisht se ka zhvilluar 173 ndeshje me ekipin e parë të Barcelonës, mbrojtësi kishte humbur vendin në formacionin e skuadrës. Në këtë situatë ndikuan paraqitjet e Joao Cancelos, i cili mori rolin e mbrojtësit të majtë, si dhe talenti 19-vjeçar Xavi Espart, i cili gjithashtu kishte lënë përshtypje të mira para se të pësonte një lëndim.
Flick madje kishte përdorur mesfushorin Frenkie de Jong dhe 20-vjeçarin Brian Farinas për të mbuluar mungesat në repartin defensiv, përpara se t'i jepte sërish hapësirë Baldes.
Në klub kishte pasur gjithashtu pakënaqësi për mungesën e progresit të tij në fazën sulmuese, ndërsa muajin e kaluar Flick kishte vënë në pikëpyetje përshtatshmërinë e tij për sistemin kërkues të lojës me presing të lartë.