Shehi: Mundësinë e parë duhet ta shënojmë

Futboll

Shehi: Mundësinë e parë duhet ta shënojmë

Më: 7 maj 2021 Në ora: 12:58
Shehi: Mundësinë e parë duhet ta shënojmë

Tirana pret nesër Kastriotin, me bardheblutë që do të provojnë të rikthehen te fitorja pas barazimit me Bylisin. Në konferencë për shtyp, trajneri Orges Shehi thekson se duhen të shënojnë në mundësinë e parë që do t’iu jepet për ta pasur më të thjeshtë në minutat në vazhdim. Sakaq, tekniku shtoi se sezoni për Tiranën ka qenë paksa i ngarkuar duke qenë se ka filluar më herët si pasojë e pjesëmarrjes në Europë.  

“Kemi thënë se çdo skuadër ka objektivat e veta. Kastrioti është kundërshtar që nuk ka marrë pikë në javët e fundit, por të hap probleme sepse edhe ata kanë objektivat e tyre për të arritur. Ne jemi për t’u ngjitur lart, ata janë për t’i shpëtuar fundit të tabelës.

Do të jetë një ndeshje e luftuar nesër. Na ndajnë vetëm 5 javë nga fundit, duhet të jemi të përqendruar, të kujdesshëm dhe të çojmë topin në rrjetë. Kjo javë është shumë përcaktuese për ne, kur marrim gjithë frytet e sezonit. Tirana ka pasur një sezon shumë të ngarkuar sepse ka nisur shumë herët vitin futbollistik.

Rivali më i rëndësishëm? Kastrioti, që luajmë nesër. Nuk është rivali ynë direkt, por rivali i radhës është më i rëndësishmi. Duhet të bëjmë mirë, të shfrytëzojmë rastet sepse futbolli është edhe lojë momenti dhe duhet shfrytëzuar. Rasti i parë që do na jepet, do duhet ta shënojmë sepse na ndihmon për vazhdimësinë e ndeshjes. Nesër nuk do kursejmë asnjë lojtar për derbin.

Kemi edhe mungesa për shkak kartonësh. Do fus lojtarët që janë në gjendjen më të mirë. Nëse herët e tjera nuk e kemi në dorë, mendoj se kemi shanset tona nëse i fitojmë të gjitha ndeshjet. Nëse ndodh kjo, mendoj se do jemi brenda objektivit tonë”, u shpreh Shehi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat