Milik do të grumbullohet nesër

Futboll

Milik do të grumbullohet nesër

Më: 19 dhjetor 2025 Në ora: 17:09
Luciano Spalletti

Luciano Spalletti ka konfirmuar se sulmuesi i harruar i Juventusit, Arkadiusz Milik, do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen ndaj Romës në Serie A të shtunën në mbrëmje, më shumë se 18 muaj pas paraqitjes së tij të fundit me “Zonjën e Vjetër”.

“Bianconerët” do të presin “Giallorossët” të shtunën në mbrëmje në një përballje shumë të rëndësishme në garën për një vend në Ligën e Kampionëve.

Juventusi renditet i pesti me 26 pikë para kësaj jave, dhe ka mundësinë të ngushtojë diferencën me Romën, që ndodhet në vendin e katërt me 30 pikë.

Spalletti është dashur të përballet me mungesën e sulmuesit qendror Dushan Vlahoviq, i cili do të mungojë edhe për disa muaj të tjerë si pasojë e një dëmtimi në aduktor, por këtë fundjavë ndaj Romës do të rikthejë një alternativë tjetër në sulm.

Kjo sepse Milik u rikthye në stërvitje me ekipin e parë më herët këtë javë, plot 550 ditë pas dëmtimit të ligamentit të gjurit që pësoi në qershor të vitit 2024.

31-vjeçari nuk ka luajtur për Juventusin që nga ndeshja e fundit e sezonit 2023-24: fitorja 2-0 ndaj Monzës.

Duke folur në konferencën për shtyp para ndeshjes të premten pasdite, Spalletti konfirmoi se Milik do të jetë pjesë e skuadrës për përballjen ndaj Romës në Serie A këtë fundjavë.

“Milik do të grumbullohet nesër,” konfirmoi trajneri i Juventusit.

“E pashë duke u dukur i lumtur si një i ri që ka mundësinë të luajë ndeshjen e tij të parë.

Është një djalë me shumë entuziazëm dhe e njeh shumë mirë rolin që luan. Ka cilësi të shkëlqyera fizike dhe teknike, ndaj do të vijë me ne”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat