Lëvizja e parë e Arbeloas

Futboll

Lëvizja e parë e Arbeloas

Më: 14 janar 2026 Në ora: 16:34
Kylian Mbappe e Arbeloa

Kylian Mbappe nuk do të jetë në dispozicion të Real Madridit për ndeshjen e fazës së 1/8-ave të Kupës së Mbretit ndaj Albacetes, e planifikuar të luhet sonte, në orën 21:00.

Mungesa e tij nuk vjen si surprizë: sulmuesi francez po vijon procesin e rikuperimit pas dëmtimit në gjurin e majtë dhe në seancën stërvitore të djeshme nuk u bashkua me grupin, duke qëndruar në pushim për arsye paraprake.

Lojtari kishte përshpejtuar rikthimin për të qenë i gatshëm në finalen e Superkupës së Spanjës, ku u aktivizua në minutën e 76-të ndaj Barcelonës, por pa arritur të ketë ndikim në lojë.

Përveç Mbappé-së, jashtë mbeten edhe Ferland Mendy, Trent Alexander-Arnold, Antonio Rüdiger dhe Eder Militão, ndërsa Courtois, Bellingham, Tchouaméni dhe Álvaro Carreras do të pushojnë, pavarësisht se janë stërvitur rregullisht. Një rotacion i gjerë që hap hapësira për lojtarët e stolit.

Përballja ndaj Albacetes do të shënojë edhe debutimin zyrtar të Álvaro Arbeloas në pankinën e Real Madridit, pas shkarkimit të Xabi Alonsos, i ardhur vetëm gjashtë muaj pas marrjes së detyrës. Ish-mbrojtësi, i promovuar nga ekipi rezervë, ka vënë theksin te aspekti njerëzor në daljen e tij të parë publike:

“Ky grup përbëhet nga profesionistë të mëdhenj, por mbi të gjitha nga njerëz të ndershëm që duan t’i bëjnë gjërat në mënyrën e duhur.”

Një zgjedhje që tani e shtyn stafin mjekësor ta menaxhojë me më shumë kujdes rikthimin e numrit 7, duke shmangur rreziqe të panevojshme në një kompeticion kundër një kundërshtari të një kategorie më të ulët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat