FSHF diplomon 24 video-analistë të rinj, mes tyre edhe 3 vajza

Futboll

FSHF diplomon 24 video-analistë të rinj, mes tyre edhe 3 vajza

Më: 13 mars 2026 Në ora: 14:47
Pamje

Federata Shqiptare e Futbollit organizoi me sukses kursin e 7-të për video-analistë, në përfundim të të cilit u diplomuan 24 pjesëmarrës të rinj, mes tyre edhe 3 vajza.

Me këtë kurs, numri i video-analistëve të licencuar nga FSHF ka kaluar tashmë shifrën 100, duke përfshirë profesionistë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe shqiptarë nga Kosova, Italia, Zvicra dhe vende të tjera.

Kursi u zhvillua në një format intensiv, i ndarë në tre blloqe nga tre ditë secili, me rreth katër orë mësim çdo ditë. Gjatë programit, pjesëmarrësit përfituan njohuri të thelluara mbi bazat e analizës së lojës, aspektet taktike të futbollit modern, analizën individuale të lojtarëve, si dhe përdorimin e të dhënave dhe statistikave për të përmirësuar performancën e ekipeve.

Përveç pjesës teorike, kursantët punuan edhe në projekte praktike, duke analizuar një ekip të caktuar dhe duke aplikuar në praktikë konceptet dhe metodat e mësuara gjatë leksioneve.

Ceremonia e shpërndarjes së certifikatave u zhvillua në prani të përfaqësuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërsa diplomat për pjesëmarrësit u dorëzuan nga trajneri i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Alban Bushi.

Ky kurs synon të rrisë më tej nivelin e profesionalizmit në fushën e analizës në futbollin shqiptar dhe të pajisë trajnerët, analistët dhe klubet me mjete moderne për të zhvilluar më tej performancën sportive.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat