​Cana: Padeli është një nga kontributet e mia për sportin në Kosovë

Futboll

​Cana: Padeli është një nga kontributet e mia për sportin në Kosovë

Më: 9 maj 2026 Në ora: 10:13
Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, Lorik Cana

Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit, Lorik Cana, ka folur për përfshirjen e tij në zhvillimin e padelit në Kosovë, duke e cilësuar këtë sport si një nga projektet që po ndihmon në rritjen e komunitetit sportiv në vend.

Në një intervistë për KosovaPress, gjatë turneut ndërkombëtar “FIP Bronze”, Cana tregoi se si lindi ideja për investimin në padel, ndikimin që ky sport po merr në Kosovë dhe ambiciet për ta zgjeruar edhe më shumë.

“Jo, jo, unë mbeta me familjarët e mi këtu, me angazhimet, me fondacionin, vizitën e njerëzve të mi, biznesin në Kosovë. Kështu që aspak. Padeli ka qenë një nga kontributet ose projektet që kemi munduar bashkë me Federatën e Kosovës me e bërë të njohur njëherë këtu te ne, me mujt me e praktiku, me e rrit komunitetin. Dhe sigurisht, kur bëhen aktivitete dhe sidomos sot që jemi, mbas një kohe kaq të shkurtë, me e organizuar një turnir ndërkombëtar, zyrtar nga Federata Ndërkombëtare e Padelit në Kosovë, atëherë sigurisht që nuk mund të mungoj që të kem edhe prezencën time”, u shpreh fillimisht Cana.

Ish-futbollisti shqiptar tregoi edhe momentin kur nisi të merrej më seriozisht me padelin, duke theksuar se dëshira për ta zhvilluar këtë sport në Kosovë erdhi pas përvojave që kishte parë jashtë vendit.

“Me katër veta mund të luash edhe e shikoja të gjithë ish-futbollistët. Thashë edhe unë, shkoj ta provoj. Dhe me të vërtetë është i jashtëzakonshëm. Mandej, duke i njohur miqtë e mi dhe partnerët, dhe presidentin e federatës, Besimin, thamë: “Ok, hajde ta bëjmë të mundur”. Dhe filluam me bë investimin e parë që së paku të ketë një vend ku mund të shkojmë e të luajmë, t’i sjellim edhe shkollat edhe komunitetin dhe komuniteti për pak kohë u rrit. E shikonim se çka po ndodh jashtë, e shikonim çka po ndodh në vende të tjera që po rritet jashtëzakonisht shumë. Kështu që thoshim, sa më shpejt edhe sa më mirë e bëjmë edhe komunitetin tonë këtu në Kosovë, aq më mirë do të jetë. Dhe këto po shihen rezultatet që mbas pak kohe, Federata Ndërkombëtare i beson një organizim të tillë ku po vijnë nga 40 shtete, që nëpërmjet sportit, nëpërmjet padelit, po e zbulojnë edhe vendin tonë për herë të parë”, shtoi Cana:

Cana foli edhe për trendin në rritje të investimeve të ish-futbollistëve të njohur në padel, duke përmendur emra të mëdhenj të futbollit botëror që tashmë janë pjesë aktive e këtij sporti.

“Zakonisht unë e shoh disa raste ku është edhe Zlatan (Ibrahimoviq) në Itali e në Suedi, Zidane në Marsejë, ka shumë lojtarë që kanë investuar në këtë rast, por sidomos që po luajnë vetë. E kanë vetë nga dëshira, nga pasioni për ta rritur komunitetin. Unë i shoh në Itali të gjithë ish-lojtarët, qoftë të Lazios, qoftë të Romës, që takohemi, luajmë me njëri-tjetrin. Janë bërë edhe turne të ish-lojtarëve profesionistë për të promovuar aktivitete edhe aktivitete bamirësie për të mbledhur fonde. Po është vetëm fillimi. Te ne, normalisht sa më shumë rritet komuniteti, aq më i prekshëm bëhet, se nuk është një sport shumë i lehtë për ta kapur, por nuk është sport jashtëzakonisht shumë ekonomik. Domethënë, duhet njëfarë lloj mundësie që të kenë hapësirë ata që duan të luajnë”, bëri të ditur Cana.

Në fund, Cana theksoi se objektivi kryesor mbetet promovimi i sportit dhe zgjerimi i komunitetit të padelit në Kosovë, duke vlerësuar njohjen ndërkombëtare që tashmë ka marrë federata kosovare.

“Qëllimi është që të rritet komuniteti dhe të afrohen sa më shumë njerëz drejt sportit në përgjithësi dhe në këtë rast edhe komuniteti i padelit. Në anën tjetër, shihet që edhe Kosova është njohur zyrtarisht nga Federata Ndërkombëtare e Padelit, shkon dhe fillon garon si Kosovë dhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme kur para pak vitesh ishte joekzistuese. Por ka ende jashtëzakonisht shumë sende për të realizuar. Gjithçka çfarë ka të bëjë me promovimin e sportit, atëherë ne e bëjmë me gjithë qejf sepse e bëjmë me pasion. S’e bëjmë me zor, nuk e bëjmë as me mundim, as nuk lodhemi, le të themi, për ta promovuar:, theksoi Cana në fund.

Cana la të kuptohet se padeli në Kosovë është ende në fazat e para të zhvillimit, por me potencial të madh për t’u shndërruar në një sport gjithnjë e më të përhapur.

Ai theksoi se përmes investimeve, organizimeve ndërkombëtare dhe përfshirjes së komunitetit, synimi mbetet që sa më shumë të rinj të afrohen me sportin dhe që Kosova të vazhdojë të prezantohet denjësisht në arenën ndërkombëtare edhe përmes padelit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat