Trajneri i Villarrealit, Inigo Perez, u shpreh i zhgënjyer që skuadra e tij nuk arriti ta shfrytëzonte mundësinë për të marrë pikë në përballjen ndaj Barcelonës.
Trajneri spanjoll theksoi se skuadra e tij duhej të ishte më e guximshme dhe më e saktë pas epërsisë prej dy golash, duke vlerësuar se është shumë e vështirë të marrësh rezultat pozitiv në fushën e Barcelonës duke u përqendruar vetëm në mbrojtje.
Perez u shpreh se Villarrealit i iku një mundësi e artë për të fituar besim.
“Besoj se nuk do të ishte e drejtë të thuhej se lojtarët nuk kanë dashur të dilnin nga mbrojtja, por thjesht nuk kanë mundur.
Në një moment të pjesës së dytë, sulmet e tyre nuk përfunduan me sukses dhe topi përfundoi në zotërimin tonë.
Pikërisht aty na mungoi pak më shumë saktësi dhe guxim, për të lidhur tri apo katër pasime radhazi dhe për t'u shkaktuar probleme, ashtu siç bëmë në pjesën e parë.
Nëse vetëm mbrohesh, ata e rrisin intensitetin dhe vazhdojnë të sulmojnë. Në këtë stadium, edhe epërsia prej dy golash nuk të mjafton për të marrë rezultat pozitiv”, deklaroi Perez.
Nuk dëshiron të komentojë gjykimin e arbitrave!
“Nuk i vlerësoj situatat pasi ndeshja ka përfunduar. Gjatë takimit kam pasur shkëmbimin tim të mendimeve me gjyqtarin dhe ia kam shprehur qëndrimin tim. Tashmë gjithçka ka kaluar dhe nuk dëshiroj të prononcohem”, tha ai.
A mungoi një lojë më sulmuese?
“Edhe në Liverpool na ndodhi që kundërshtari të përmbyste rezultatin, por ishte ndryshe. Atje na mungoi qëndrueshmëria në lojë, energjia taktike dhe ndihma nga stoli.
Sot dua të vlerësoj nivelin e Barcelonës, sepse kur e sheh nga afër, kupton se sa të mirë janë. Megjithatë, neve na mungoi ndonjë aksion për të kombinuar dhe për të dalë në sulm. Kjo do t'ua ulte vetëbesimin.
Nuk kam asnjë qortim për lojtarët. Më vjen keq vetëm që, kur e kemi topin në zotërim, nuk arrijmë t'ua kthejmë goditjen. Përqindja e skuadrave që arrijnë të marrin rezultat pozitiv këtu duke u mbrojtur gjatë gjithë kohës është minimale”, theksoi trajneri.
Çfarë ndryshoi nga pjesa e parë në të dytën?
“Rrjedha e ndeshjes ndryshon vazhdimisht. Qëndrimi ynë në zonën e mbrojtjes zgjati shumë, por duhet pranuar se ata janë shumë të mirë dhe është e vështirë t'i përballosh. Lodhja fillon të grumbullohet, ndërsa ata fitojnë gjithnjë e më shumë terren. Na mungoi shfrytëzimi i rasteve kur e rikuperonim topin, por nuk arritëm ta bënim këtë”, u shpreh Perez.
Pse vendosi për zëvendësimet?
“Me zëvendësimet synoja të mos mbetesha me një lojtar më pak. Doja të zëvendësoja dy futbollistë dhe t'i jepja skuadrës më shumë energji. Mendoj se sot nuk ishte çështje skemash taktike”, shpjegoi ai.
Si po e përballon skuadra numrin e madh të kartonëve?
“Pa hyrë në vlerësimin nëse kartonët janë të drejtë apo jo, kur je vazhdimisht në kufijtë e lojës së lejuar në mbrojtje dhe grumbullon kartonë, ky kufi bëhet gjithnjë e më i vogël. Është më e lehtë të ndëshkohesh dhe kjo të kushtëzon”, deklaroi trajneri.
Çfarë i mungon skuadrës?
“Fitoret të japin atë që dëshiron, të krijojnë një ritëm të qëndrueshëm. Nuk më pëlqen të them se duhet ta fitojmë ndeshjen e radhës, sepse këtë mund ta thotë secili. Ajo që më shqetëson është krijimi i situatave që do të na ndihmojnë të dalim nga kjo mungesë e vazhdimësisë.
Sot kishim një mundësi të shkëlqyer për të fituar dhe për të rritur vetëbesimin.
Fatkeqësisht, nuk ia dolëm. Të mërkurën na pret një ndeshje në Pragë, e cila tashmë është në mendjen tonë”, përfundoi Inigo Perez.