Barcelona arriti një fitore të rëndësishme ndaj Villarrealit me rezultat 3-2, pasi përmbysi disavantazhin prej dy golash në ndeshjen e zhvilluar të dielën në kuadër të La Ligës.
Pas përfundimit të takimit, mbrojtësi i Barcelonës, Eric Garcia, ka zbuluar mesazhin që trajneri Hansi Flick ua përcolli futbollistëve gjatë pushimit mes dy pjesëve, kur katalunasit ishin në disavantazh 0-2.
Flick u kërkoi lojtarëve të respektonin pozicionet e tyre në fushë dhe të qëndronin besnikë ndaj roleve të përcaktuara, duke besuar se një gol i parë do ta ndryshonte rrjedhën e ndeshjes.
“Ai na tha t’i respektonim pozicionet tona dhe të qëndronim në rolet tona. E dinim se sapo të shënonim një gol, do të ishte shumë e vështirë për kundërshtarin të na ndalte”, deklaroi Garcia.
Mbrojtësi spanjoll shtoi se goli i parë u dha edhe më shumë besim katalunasve, ndërsa realizimi i dytë erdhi pothuajse menjëherë, duke e rikthyer Barcelonën në lojë.
Ai theksoi edhe rëndësinë e mbështetjes së tifozëve në “Camp Nou”, të cilët u dhanë lojtarëve energji shtesë për ta përmbysur rezultatin.
Garcia e vlerësoi si shumë të rëndësishme këtë fitore, duke nënvizuar se Villarreali është një skuadër e fortë dhe se ndeshjet e tilla nuk duhen konsideruar të fituara paraprakisht.
“Villarreali është një ekip i nivelit të Ligës së Kampionëve, me një trajner fantastik. Ata patën dy raste dhe shënuan dy gola. Por më pas u zgjuam, filluam të luanim lojën tonë dhe në pjesën e dytë luajtëm ashtu siç duhet të luajmë gjithmonë”, u shpreh ai.
Me këtë fitore, Barcelona vazhdon të kryesojë tabelën e La Ligës, duke marrë tri pikë të rëndësishme në garën për titullin kampion.